E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i gjirit, vizita falas në të gjitha spitalet e vendit

Autori i Lajmit: red.
Në më pak se një vit, nga ekzaminimet e kryera janë konstatuar rreth 260 raste pozitive me kancer
Rreth 10 mijë ekzaminime falas janë realizuar deri tani në katër aparaturat e mamografisë (që tregojnë diagnozën e kancerit të gjirit), të instaluara vitin e kaluar në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër. Kjo është mundësuar në kuadër të programit INTERREG III, Shqipëri- Itali, i financuar me një vlerë prej 7 milionë eurosh nga Komuniteti Europian, përmes Agjencisë Rajonale Sanitare të Pulias (Itali). "Për një kohë relativisht të shkurtër, në më pak se një vit, nga ekzaminimet e kryera janë konstatuar rreth 260 raste pozitive me kancer, një numër që konsiderohet i lartë", tha dje për mediat drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardhi Spahia, duke vlerësuar se numri i ekzaminimeve falas dëshmon për një sensibilizim të grave për diagnostikimin në kohë, si trajtimi më i suksesshëm i kancerit të gjirit. Por, nga ana tjetër, ai u bërë thirrje grave që të tregohen më bashkëpunuese me mjekët, pasi përmes projektit u jepet mundësia që të ekzaminohen në kohë. Kabinetet e mamografisë në rrethe janë ngritur në kuadër të projektit INTERREG III, me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim shtrirjen e këtij shërbimi në shkallë kombëtare. Pranë këtyre kabineteve funksionon edhe shërbimi echografik i gjirit, i cili plotëson dhe ndihmon diagnostikimin e saktë dhe në kohë të patologjive të gjirit. Ekzaminimi mamografik ofrohet edhe nga rreth 10 kabinete private. Sfida e sistemit shëndetësor, sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, është shtrirja dhe funksionimi i këtij shërbimi si hap i parë në të gjitha qendrat e prefekturave dhe më pas në të gjitha rrethet si dhe rritja e treguesve të përdorimit të këtyre kapaciteteve e lidhur ngushtë kjo me forcimin e fushatave sensibilizuese dhe informuese për popullatën

Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›