E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti kontroll inerteve, 6 firma rrezikojnë licencat

06/05/2010 Janë keqshfrytëzuar, masat nga vendorët pas “masakrës” në shtretërit e lumenjve

ELBASAN- Gjashtë firma rrezikojnë të humbasin licencën për shfrytëzimin e inerteve në lumin Shkumbin në pjesën që përfshin rrethin e Elbasanit. Prefekti Shefqet Deliallisi tha se ka marrë pjesë vetë personalisht në kontrollet për zbatimin e ligjit përgjatë dy shtretërve të lumit Shkumbin dhe Devoll sidomos për zbatimin e disa detyrimeve, të cilat firmat duhet t’i plotësojnë siç është rehabilitimi i lumit, ruajtja e normave të shfrytëzimit dhe pagesa e detyrimeve të licencës.

Kontrolli

Prefekti Deliallisi tha se bashkë me një Task-Forcë janë zhvilluar kontrolle në Peqin ku nuk janë regjistruar shkelje shqetësuese, në lumin Devoll në afërsi të Gostimës ku një firmë ka bërë një punë mjaft të mirë për mbrojtjen e shtratit të lumit duke mbjellë pemë. Por ajo që paraqitet më problematike është gjendja e shfrytëzimit në Elbasan. “Ne i paralajmëruam firmat se në rast se nuk do të riparojnë shpejt territoret duke bërë rehabilitimin e tyre, atëherë ato do të humbin të drejtën e rinovimit të licencës. Ne shumë shpejt do të mbledhim Këshillin e Baseneve dhe do të pezullojmë punën e tyre. U bëjmë thirrje këtyre firmave të marrin masa dhe të mbjellin sasinë e pemëve dhe të zvogëlojnë grumbullimin e inerteve në masa të mëdha. Të gjitha këto sjellin probleme për banorët përreth pasi gjatë dimrit shumë territore janë përfshirë nga uji dhe shumë hektarë tokë tashmë nuk ekzistojnë më”. Prefekti tha se kontrollet do të vazhdojnë duke i bërë ato edhe në befasi për të kapur abuzuesit me inertet. Zbatimi i ligjit mbetet një problem i madh për firmat, por edhe për institucionet. Në shumë këmbë urash, në afërsi të fshatrave shfrytëzohen inerte pa kriter. Operacionet e kontrollit të Task-Forcë kanë qenë të vazhdueshme, por deri tani asnjë firme nuk i është bllokuar licenca dhe të jetë penalizuar me gjobë pas shkeljes së ligjit.

Ndërkohë komuna Bradashesh i është drejtuar me një shkresë Kryeministrit ku i kërkon lejimin e shfrytëzimit të inerteve në përroin e Kushës. Kryekomunari Sabri Sallaku tha se ka kërkuar shfrytëzimin sepse ky përrua ka një rritje të nivelit duke rrezikuar përmbytjen e tokave. Shfrytëzimi i inerteve në shtretërit e lumenjve administrohet nga Këshilli i Baseneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›