E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i lëkurës,“sinjalet e alarmit”

 

AIDA MALAJ

Tipi i lëkurës dhe ekspozimi në diell, njihen si shkaktarët kryesor të shfaqjes së kancerit të lëkurës. Por sipas mjekëve, edhe përdorimi i solarëve ndikon në krijimin e predispozicionit për shfaqjen e tumorit të lëkurës. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja dermatologe, Monika Fida shpjegon se cilat janë “sinjalet” e alarmit të kësaj pathologjie tumorale dhe çfarë ekzaminimesh duhen bërë për vendosjen në kohë të diagnozës:
Doktoreshë, është e vërtetë që numri i rasteve me kancer të lëkurës është rritur në mënyrë të ndjeshme?
Po. Është e vërtetë që numri i pacientëve me probleme të kancerit të lëkurës ose me elemente të dyshimtë që paraqiten te mjeku dermatolog ose mjeku onkolog është një numër që po rritet nga viti në vit. Në vendin tonë nuk ka statistika të sakta për këtë pathologji, por duke ju referuar statistikave botërore vihet re se kanceri i lëkurës është një nga format më të shpeshta të kancerit.
Kush njihen si shkaktarët kryesorë të kancerit të lëkurës?
Së pari “nën akuzë” vihet fenotipi i lëkurës ( pra ngjyra naturale e lëkurës) është faktori kryesor që lidhet me rrezikun e kancerit të lëkurës. Së dyti sigurisht është ekspozimi në diell.
Individët me lëkurë të fenotipit I ose II kanë rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit të lëkurës, pra personat me ngjyrë të bardhë të lëkurës me ngjyrë blu ose jeshil të syve, me flokë bjondë ose të kuq dhe që nuk nxihen kurrë në diell, por digjen, janë personat më të rriskuar. Ndërsa personat me fenotip të lëkurës V ose VI kanë një rrezik shumë më të ulët (këtu hyjnë personat me lëkurë të errët, që nxihen lehtë në diell dhe nuk digjen kurrë ose zezakët). Kjo ndodh për faktin se këta persona me më shumë pigment, kanë më shumë mbrojtje natyrale ndaj rrezatimit diellor. Pra personat e sipërpërmendur me lëkurë të fenotipit I e II duhet të kryejnë kontrolle periodike te mjeku dermatolog për një diagnostifikim të hershëm të kancerit të lëkurës.
Ndërkohë njihet që më shumë se 90% të tërë llojeve të kancerit të lëkurës shkaktohen nga ekspozimi në diell. Rreziku për të zhvilluar kancer lëkure dyfishohet nëse personi ka patur gjatë jetës 5 ose më shumë djegie nga dielli. Pra rekomandohet që veçanërisht fëmijët të mbrohen dhe të mos digjen gjatë ekspozimit në diell.
Po solarët a ndikojnë në shfaqjen e kancerit të lëkurës?
Solarët janë konsideruar “makinat e kancerit të lëkurës”. Nëse i referohemi shoqatës Amerikane të Dermatologjisë personat që kanë përdorur solarët (pra marrje ngjyre në sallonet estetik) janë të riskuar 2.5 herë më shumë për të zhvilluar Karcinomë skuamoqelizore dhe 1.5 herë më shumë për Karcinomë bazoqelizore. Përdorimi i solarëve, megjithëse mund të jetë i rastësishëm, pra me raste dhe jo shumë i shpeshtë, mund të trefishojë rrezikun e zhvillimit të melanomas.

Kush duhet të drejtohet për të kryer dermatoskopinë?

o  Nëse keni shumë nishane (më shumë se 50)
o Nëse keni ndonjë person në familje me histori të kancerit të lëkurës
o Nëse keni patur ndonjëherë melanoma gjatë jetës
o A keni ndonjë nishan të rritur (diametër më të madh se 5 cm)?
o A keni ndonjë nishan që ka ndryshuar gjatë kohëve të fundit?
o A keni histori të djegies nga dielli gjatë fëmijërisë ose
o A keni lëkurë në ngjyrë të lehtë
(fenotipi I,II , me sy blu ose të gjelbërt, flokë bjond ose të kuq).

Përse duhet të kontrollohen elementët e dyshimtë ose nishanet me dermatoskop?

 Përhapja e shpejtë e numrit të rasteve me kancer lëkure ose melanoma.

 Sepse nëse elementi diagnostifikohet në kohë, atëherë mund të realizohet një trajtim adekuat dhe të realizohet shërimi.

 Vetëm nëpërmjet dermatoskopisë mund të vendoset një diagnozë më e saktë se sa vetëm ekzaminimi me sy të lirë të elementit ose nishanit.

 Nëpërmjet dermatoskopit ekziston mundësia e ekzaminimit në kohë, pra të rikontrollohet elementi pas 6-1 viti dhe të vërehen dhe ndryshimet më të vogla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›