E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në Shqipëri PD-PS zëvendësojnë sistemin e vjetër të një partie”

 

Aristir Lumezi

Deputeti liberal i Qendrës së Djathtë në parlamentin belg, Denis Ducarme e cilësoi dje grevën e urisë së 11 deputetëve shqiptarë si një rast i paprecedent në historinë e parlamenteve evropiane. Sipas tij, asnjëherë deputetët nuk arrijnë në akte të tilla sublime, pasi të gjitha divergjencat dhe problemet zgjidhen mes dialogut dhe negociatave. Ai shprehet i çuditur nga ndalimi që i bëri Garda e Republikës së Shqipërisë për të takuar deputetët grevistë. Pasi është lejuar pas 5 orëve të vizitojë deputetë grevistë nga Garda e Republikës, Ducarme shprehet se është anormale mbajtja e izoluar e tyre, larg mediave dhe larg kolegëve të tyre. 
Ju sot jeni penguar nga Garda e Republikës në mesditë dhe më pas jeni lejuar të hyni të takoni grevistët. I njëjti ndalim i është bërë edhe ish-presidentit të Republikës, Alfred Moisiu për t’i vizituar ata. Si e gjykoni një qëndrim të tillë?
Kur arrita këtu erdha me një qëllim, të takoja deputetët e futur në grevë urie. Ata më prisnin dhe unë vajta t’i takoja. Ishin parlamentarë që donin të takoheshim. U çudita nga fakti se nuk na lejuan që ta bënim një gjë të tillë. Në këtë moment unë mendova a mos vallë Shqipëria ka akoma shumë për të bërë në planin demokratik, aq sa unë nuk e besoja? Por më në fund këtë mbrëmje më lejuan që t’i takoj ata. Më në fund parlamenti shqiptar mori një informacion lidhur me identitetin tim dhe në momentin që mësuan se unë jam një person i dëshiruar, më lejuan të shihja ata parlamentarë, për të cilët unë kisha ardhur. Më kanë surprizuar ajo ç’kam parë. Nëse na lejuan të vizitonim grevistët ishte thjesht nga presioni, për shkak të medias, por dhe pse zoti Berisha ishte në Bruksel, ku është folur për këtë pengesë që ne na është bërë. Ka qenë edhe frika se po krijohej një imazh i keq  për Shqipërinë. Nëse nuk pata mundësi të takoja parlamentarët që donin të më takonin, atëherë unë me t’u kthyer në Bruksel do të lajmëroja të gjithë organizmat ndërkombëtarë për këtë.
Si e gjetët situatën brenda në sallën e parlamentit ku dhe zhvillohet greva?
Jam shumë i impresionuar nga kjo që po ndodh këtu, është një rast i veçantë, ku 11 deputetë kanë hyrë në grevë urie. Fjala e parë që më vjen nga kjo vizitë është, forca bindëse me të cilën qëndrojnë këta deputetë në grevën e urisë, e dyta, është lodhja e tyre dhe e treta, është kthjelltësia për objektivin që i kanë vënë vetes. 
Nëse në parlamentet evropiane do të zhvillohej një grevë e tillë urie, do të ishte e mundur vazhdimi i seancave siç ndodhi këtu dy ditë më parë, por dhe që pritet të ndodhë të hënën e ardhshme?
Në historinë e politikës evropiane nuk njoh një rast të tillë, që parlamentarët të shkojnë në një grevë urie. Mendoj se në disa vende demokratike në Evropë, para se të shkohet në veprimet ekstreme ka negociata dhe biseda. Kjo është dhe në respekt të minoriteteve. Kur Sarkozy fitoi zgjedhjet në Francë, ai i hapi dyert e pushtetit edhe të majtës që ishte në minorancë. Ai tregoi respekt për demokracinë, sepse nuk ka humbës dhe fitimtarë por ka një votë që duhet respektuar. Në Shqipëri kemi dy parti që duan të zëvendësojnë sistemin e vjetër të një partie, duke eliminuar të gjithë ata që nuk i përshtaten. Kjo nuk është demokraci.
Është e rëndësishme për popullin shqiptar të kuptohet që një parlamentar evropian nuk vjen për të zgjidhur grevën, por për të kuptuar dhe për të mos qëndruar shurdh për një çështje rajonale dhe për një vend, që nesër do të bëhet anëtar i komunitetit evropian. Ka dy probleme në bërjen e kësaj reforme, është ai i proporcionalitetit dhe ai i kontrollit. Nëse duam që të ketë një fryt nga ky kod, duhet të kemi këto dy zgjidhje, ose të jenë teknike, që në Shqipëri është e vështirë dhe në këtë rast kjo kërkon përfshirjen e të gjitha partive në administrimin e zgjedhjeve. Nëse do të ketë sërish vjedhje vote si vite më parë, Shqipëria do të ketë probleme të mëdha.
Deputetë të PD dhe PS komentojnë se nuk është Kuvendi ambienti më i mirë për të zhvilluar grevën e urisë së deputetëve. Por nga ana tjetër e konsiderojnë grevën si një reagim ekstrem. E shihni të ligjëruar këtë grevë të deputetëve, të cilët në vetvete kërkojnë numërimin e votës së tyre me përfaqësues në komisione?
Unë nuk jam shqiptar dhe nuk mund të gjykoj për këtë. Por mund të them se këta deputetë e kanë bërë këtë zgjedhje me ndërgjegje të plotë. Ata mendoj se i kanë konsumuar të gjitha negociatat parlamentare dhe kanë zgjedhur këtë formë reagimi në mënyrë që të mund të dëgjohen. Ky qëndrim bëri që edhe në mediat evropiane të flitet shumë aktualisht. Por duhet ditur se unë si parlamentar nuk mund të gjykoj veprimet e parlamentarëve shqiptarë.
Si e gjykoni një grevë kaq të izoluar nga mediat, deputetët e tjerë dhe nga gjithë opinioni?
Është anormale, një gjë e tillë nuk është aspak normale. Ata janë parlamentarë, janë të zgjedhur, janë në parlament, është një rast i veçantë, por kjo është e vërteta. Unë nuk e dija që ata ishin të izoluar në këtë mënyrë. Është shumë e çuditshme. Unë u surprizova që hyrja e Parlamentit ishte bllokuar për një parlamentar evropian, në një kohë kur në çdo vend të Evropës ajo është e hapur, jo vetëm për parlamentarët, por edhe për mediat apo personalitetet e ndryshme. Kjo është e pajustifikueshme, në një vend demokratik.
Çfarë do të përcillni ju në parlamentin belg, por dhe në homologët tuaj evropianë për këtë grevë, por më shumë shkakun që detyroi këta deputetë të hynin në një grevë urie?
Gjëja e parë që duhet të dini është se tashmë shumë parlamentarë evropianë kanë sensibilizuar Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian, por dhe parlamentet kombëtare, kanë dijeni për këtë krizë politike dhe kanë idenë e bërjes së një raporti teknik dhe preciz mbi atë se çfarë do të sjellë një reformë e tillë, kështu siç është bërë, për tranzicionin demokratik shqiptar. Të japë mundësi të njohë më mirë situatën në Shqipëri dhe të japin një mendim dhe analizë të thellë teknike dhe të mundemi të paraqesim mbi këtë bazë në Evropë, një mendim të saktë politik.  

Një deputet i djathtë mbështet grevën
 
Denis Ducarme, është deputet liberal i qendrës së djathtë në parlamentin belg. I lindur më 23 tetor 1973, ai është deputet i Dhomës së deputetëve që prej 5 qershorit të 2003. Familja e Denis Ducarme njihet në Belgjikë për aktivitetin e saj politik dhe social. Ai ka dalë deputet për në Dhomën e deputetëve në qershor 2003, ndërkohë që ai dhe i ati i tij kandiduan në shkurt 2004 për të njëjtën asamble në Bruksel. Vëllai i tij, Lucas kandidoi për një vend në Senat. Denis Ducarme njihet në Belgjikë për aktivitetin e tij politik kryesisht për çështjet e sigurisë dhe drejtësisë, por dhe për çështjet ndërkombëtare, siç janë ato të mosdërgimit të trupave belge në Afganistan.

Garda nuk lejon takimin me grevistët

Deputeti liberal i qendrës së djathtë Denis Ducarme, i cili mbërriti dje paradite në Tiranë, sapo ka mësuar për grevën e urisë së deputetëve shqiptarë në ambientet e parlamentit shqiptar. Ducarme shoqërohej gjithashtu nga Claude Moniquet, presidenti i Qendrës Strategjike Evropiane për Inteligjencën dhe Sigurinë. Moniquet është një njohës i mirë i situatës politike në Shqipëri. Ai ka vizituar Shqipërinë pas viteve ’90 dhe arrin të bëjë dallimin mes ndryshimeve që kanë ndodhur. Të dy personalitetet belge kërkuan dje të takojnë deputetët grevistë në ambientet e parlamentit, por nuk janë lejuar nga forcat e gardës. Ducarme ka mbetur i çuditur nga kjo sjellje e punonjësve të gardës, duke u shprehur se kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ata kanë kërkuar sqarime për rreth 30 minuta nga punonjësit e Gardës, por sërish nuk janë lejuar të hyjnë, ndonëse kërkesa për futjen e tyre në parlament ishte bërë që në mëngjes në mënyrë zyrtare. “Ndoshta nuk do të ndodhte asnjëherë në Evropën Perëndimore, sepse nëse ne do të përballeshim me një precedent të tillë, do të ishte zgjidhur nga konsensusi i përbashkët mes palëve, nga negociatat mes partive politike, që fatkeqësisht duket se ky nuk është rasti për Shqipërinë. Edhe kjo çështje duhet të ishte zgjidhur me gjithëpërfshirje, që deputetët të mos kishin nevojë të hynin në grevë urie”, u shpreh Ducarme. Ata janë lejuar të takojnë deputetët grevistë vetëm në orën 18:30 pas një njoftimi të Gardës së Republikës. 

Deputeti belg bashkohet në protestë

ADI SHKEMBI

Qindra protestues kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme të mbështesin para Kuvendit dhjetë deputetët grevistë. Tashmë me një organizim thuajse të përpiktë, protestuesit janë mbledhur ashtu si edhe në katër ditët e fundit paradite në orën 11:30 para Parlamentit, nga ana e Komunitetit Mysliman për të protestuar ndaj Kodit të ri Zgjedhor, kauzë e cila detyroi edhe deputetët që prej të hënës t’i drejtoheshin kësaj rruge. Gjatë paradites përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si Gaqo Apostoli, Brizida Gjikondi e Petrit Vargu folën para protestuesve, duke bërë thirrje për të rishqyrtuar Kodin e ri Zgjedhor dhe për t’u dhënë të drejtën partive politike të kenë përfaqësuesin e tyre nëpër komisione. Kulmi i protestës së paradites duket se ishte pikërisht në mesditë, kur deputeti belg Denis Ducarme nuk u lejua të hynte për të vizituar nga afër deputetët e ngujuar në Kuvend. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe një natë më parë me ish-presidentin Alfred Moisiu, të cilit iu kërkua një autorizim nga Kuvendi për të hyrë në Parlament. Ndërkohë gjatë pasdites së djeshme qindra protestues u mblodhën sërish para Parlamentit. Situata ishte edhe më shumë optimiste gjatë ditës së djeshme, pas vizitës që kishte bërë Topalli te deputetët dhe urdhrit të saj për të lejuar të gjithë deputetët të vizitonin grevistët. “Çdo deputet që ka dëshirë lejohet të vizitojë deputetët grevistë”, thuhej në urdhrin e lëshuar mbrëmë nga kryeparlamentarja, çka dukej sikur ndryshonte nga situatat e krijuara ditët e kaluara. Rreth orës 18:30 deputeti belg Denis Ducarme mbajti një fjalim para protestuesve të mbledhur para Kuvendit dhe më pas hyri për të parë nga afër gjendjen e deputetëve grevistë. Përfaqësuesi i parlamentit belg qëndroi rreth një orë në sallën e Kuvendit dhe më pas mbajti sërish një fjalë para qytetarëve, ku theksoi se deputetët në Kuvend ishin të vendosur t’i shkonin deri në fund grevës së nisur. Fjalët e deputetit belg ngjallën entuziazëm te protestuesit, të cilët qëndruan para Kuvendit deri rreth orës 23:00.

Dule: Vota jonë, kundër Kodit të hartuar nga PD-PS

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kundërshton ashpër Kodin e ri Zgjedhor, duke paralajmëruar votën kundër për të. Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, në një komunikim me mediat e cilësoi ligjin e ri zgjedhor si një kod, i cili nuk do të arrijë të prodhojë zgjedhje të pranueshme dhe për këtë arsye forca që ai drejton do të votojë kundër në Parlament. “Eshtë një formulë e pranueshme ajo e zgjidhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por kurrsesi nuk mund të jetë e pranueshme për ne, por besoj edhe për besueshmërinë e vetë procesit, komisionet zonale dhe ato të qendrave të votimit. Në asnjë fushë, në asnjë aspekt, në asnjë kohë barazie dhe demokracie nuk mund që llogarinë e tjetrit ta bëjë dikush tjetër”, tha Dule. Sipas Dules, Kodi Zgjedhor për më tepër është hartuar edhe pa asistencën ndërkombëtare dhe kjo i shton më shumë shanset që produkti final i tyre të jetë i kontestueshëm. “Megjithëse projekti për Kodin Zgjedhor erdhi për herë të parë në kohën e duhur dhe i formuluar kryekëput nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, pa asistencën e ndërkombëtarëve,  është ende larg praktikave evropiane, pasi nuk jep garanci se kur do të përfundojë procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumente përkatëse për të votuar dhe listave adeguate të zgjedhësve”, theksoi Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›