E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i mitrës, 100 raste të reja në Shqipëri

Në Shqipëri ky lloj kanceri ka një incidencë prej 4.1 për 100.000 banorë. Ai përbën 51.2% të rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror. Hyn për herë të parë vaksina, kushton 4500 lekë. 

TIRANE-Kanceri i qafës së mitrës renditet si "vrasësi" i dytë i grave, pas kancerit të gjirit. Aktualisht, në vendin tonë, çdo vit preken rreth 100 persona nga kjo sëmundje. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ishte e pranishme në konferencën e parë për këtë sëmundje, e organizuar në kuadër të "Javës Europiane të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës", u shpreh se "megjithëse në Shqipëri ekziston një traditë jo e papërfillshme në fushën e kontrollit të kancerit të cerviksit, përsëri jemi në hapat e para të instalimit të një sistemi efikas të depistimit. Ende kemi një nivel shumë të ulët të pap-testit, ku vetëm një përqindje e vogël e grave shprehin interes, - ka deklaruar Ministrja e Shëndetësisë, Godo. - Sistemi ynë shëndetësor ka mungesat e veta e duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, jemi sot këtu për të shprehur gatishmërinë tonë në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij sistemi, duke ftuar femrat shqiptare në përdorimin e shërbimeve të depistimit, në mënyrë që të rrisim presionin mbi sistemin dhe përgjegjësinë tonë për t'iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi kësaj kërkesë", - ka përfunduar Godo. Ndërkohë që ajo ka deklaruar se për herë të parë mbërrijnë në Shqipëri edhe vaksinat kundër kësaj sëmundjeje të rrezikshme, e cila kushton 4500 lekë. Dhe nëse përdoret sipas të gjitha rekomandimeve dhe në kohë, ka një efikasitet deri në 94 për qind. "Sapo ka hyrë në treg vaksina e parë kundër kancerit të qafës së mitrës, e cila zhvillohet në tre faza. Momenti aktual (zero), pas një muaji dhe pas 6 muajsh. Një sasi dozash, firma 'GlaksoSmithKline' në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do ja shpërndajë falas një grupi të përzgjedhur femrash në nevojë. Specialistët vlerësojnë se dalja e vaksinës për mbrojtjen nga kjo sëmundje krijon mundësi shumë të fuqishme për të shpëtuar jetët e femrave. Parandalimi nëpërmjet vaksinimit dhe kryerjes së depistimeve (PAP testit) periodike, reduktojnë riskun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës deri në 94 %", - është shprehur Godo, e cila ka shtuar se në strategjinë e re të vaksinimit në Shqipëri, është parashikuar që pas pak vitesh të merret seriozisht në konsideratë përfshirja e vaksinës së re HPV (virusit të papilomës humane), në programin kombëtar të vaksinimit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›