E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët dhe partitë blejnë votat me pasaporta biometrike

12/04/2011  Blerja e votave në fushatë një fenomen i vënë re dhe në lokalet e 8 majit

Nisja e fushatës elektorale ka startuar jo vetëm me përplasjet me programet elektorale, por dhe me të përfolurat blerje të votave apo mbështetësve. Si gjithnjë edhe këtë vit, ende pa nisur mirë fushata, kanë nisur dhe përplasjet mes militantëve, por dhe garës për të manipuluar me programe apo me premtime votuesit në të gjitha zonat. Burimet kanë bërë të ditur se ndryshe nga vitet e shkuara këto votime kanë si karakteristikë dhe mbështetjen me kuponat e postës që përdoret për pajisjen me pasaportë biometrike. Këtë herë skema duket se do të jetë edhe më e thjeshtë, gjithnjë e më shumë thuhet “më jep votën, të jap kuponin e kartës si dhe të pasaportës biometrike”. Pakkush nga sponzorizuesit e vret mendjen për blerje të votës apo për abuzime të tjera e rëndësishme është që të arrihet qëllimi. Megjithatë, gazeta nuk do të botojë kapin nga i cili ka dalë së fundi oferta, duke denoncuar kështu elementin e blerjes së votës në shkëmbim të hallit për të vizituar fëmijën, e drejtë e fituar falas pas përfshirjes në skemën e BE, apo dhe me kartën e identitetit, e cila lehtëson në masë aplikimet në një sërë institucionesh.

Premtimi

Burimet kanë bërë të ditur se thuajse të gjitha zyrat elektorale të një prej partive të mëdha janë përfshirë në pronotimin e kuponave për pasaporta biometrike, duke kërkuar si shkëmbim dhe votën për kandidatin e tyre. Ndërkohë për këtë si garanci deri më tani nuk është kërkuar të jepet një foto në celular për votën e firmosur, por çështja ka shkuar më tej. Në këmbim të kuponit të japin një kartë anëtarësimi. Ndoshta një element i tillë do të shërbejë për kundërsulmin në rast humbjeje ndoshta do të shërbejë për të garantuar rritjen e numrit të votuesve, por ky mbetet një nga format e blerjes së votave të mbështetësve apo jo në zgjedhjet e 8 majit.

Lëvizja

Rritja e interesimit për të vizituar një të afërm në zonën e BE, apo qoftë për të dalë jashtë vendit pas liberalizimit të vizave duket se ka sjellë dhe një reagim të zyrave elektorale. Në këtë formë duket se është zbuluar një ofertë në këmbim të votës. Ndryshe nga ajo që kërkohet prej OSBE-së dhe Presidentit për të votuar programet dhe jo kandidatët, duket se sërish veç faturave të mbetura në dyqanin e lagjes është përfshirë dhe blerja e kuponave të kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike.

Pagesa e faturave

Në çdo fushatë zgjedhore kandidatët dhe elektorati përfshihen nga plotësimi i kushteve të menjëhershme, si pagesa e faturave të prapambetura të ushqimeve apo formave të tjera të kësaj forme. Ashtu si dhe më parë, fushatës nuk i gëzohen vetëm votuesit, por dhe shitësit, të cilët duket se kanë nxjerrë nga sirtarët fletoret me faturat e papaguara të klientëve në muaj apo në vite. Ashtu dhe këtë herë do të jenë kandidatët apo sponsorët e tyre që do të përgjigjen për nevojat e elektoratit më të mundshëm. Sigurisht që asnjë prej këtyre faturave nuk do të rezultojë në deklarimin e shpenzimeve të kandidatëve apo të partive politike. Kjo pasi gjithçka bëhet nën rrogoz dhe në sy të të gjithë opinionit publik.

Vendimet për telefonat

Në zgjedhjet e shkuara opozita e kohës ka hedhur në tregun mediatik denoncimin e blerjes së votës me lekë apo me shërbime të tjera. Në atë kohë kriter ishte fotografimi i votës, por dhe shpallja fitues. Nëse një nga kushtet do të plotësohej, atëherë dhe kuota e caktuar do të kalonte te votuesi ose në të kundërt premtimi mbetej thjesht në letër. Por pavarësisht se në atë kohë denoncimi është bërë në letër, asnjë prej partive nuk ka marrë masa. Madje, abuzimi ka shkuar deri në blerjen e komisionerevë. Gjithsesi, KQZ-ja në çdo fushatë zgjedhore ka marrë masat që të bllokojë celularët dhe komunikimin me jashtë. Vendime që në letër kanë marrë mbështetjen e plotë, por që pa marrë një realizim konkret, edhe pse në transmetime të drejtpërdrejta komisionerët i kanë përdorur telefonat pa problem dhe pa komplekse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›