E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU çel fushatën në Durrës

12/04/2011  Prezantohet edhe kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ferdinand Xhaferri

Idrizi: Politika të ulë tensionet e fushatës. Ndaloni dhunën! Ballafaqoni idetë!

Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet” ka hapur dje fushatën e saj në qytetin e Durrësit, ku prezantoi kandidatët për anëtar të këshillit bashkiak të këtij qyteti. Përpara më shumë se dy mijë simpatizantëve të kësaj partie të mbledhur në Pallatin e Sportit të Durrësit, kryetari i PDIU-së i bëri thirrje politikës shqiptare që t’i thotë “jo” dhunës dhe të ulë tensionet gjatë këtyre zgjedhjeve në respekt të interesave kombëtarë. Idrizi tha se PDIU-ja është për qytetarin dhe për të krijuar një fuqi të re, për të kushtëzuar politikën e madhe që t’i kthehet interesit kombëtar. Në lidhje me incidentet e fundit kreu i PDIU-së bëri thirrje që të ulen tonet politike, që nxitin dhunë. “Ju vetë e keni vënë re se sa shumë dhunë ka prodhuar e po prodhon kjo fushatë. Druaj se, nëse vazhdohet kështu, do të ketë dhe më shumë dhunë. Sepse partitë e mëdha i shikojnë këto zgjedhje si mundësia e fundit për ta asgjësuar rivalin politik. Ne jemi kundër ekseseve që prodhojnë partitë e mëdha. Nga kjo tribunë ne u bëjmë thirrje atyre: nëse është e vërtetë se këto zgjedhje janë për qytetarin, ndaloni dhunën! Të ballafaqohen alternativat, idetë dhe jo ushtritë elektorale”, - deklaroi Idrizi. Gjithashtu ai parashtroi programin e partisë përpara zgjedhësve në Durrës, duke deklaruar se PDIU-ja është parti kombëtare shqiptare, që do të tregojë me anë të besimit të qytetarëve se e duam Shqipërinë. Dhe për këtë Idrizi u bëri thirrje qytetarëve durrsakë dhe qytetarëve në mbarë Shqipërinë që në zgjedhjet e 8 majit të zgjedhin forcën kombëtare shqiptare dhe kandidatët e saj për këshillat komunalë dhe bashkiakë. “Kjo votë nuk është politike, ndaj mendoni t’ia hidhni njeriut më të mirë. PDIU-ja ka njerëzit më të mirë. Kjo votë duhet të çojë në institucionet lokale, që janë afër jush, njerëzit më të mirë, që duhet të bëjnë vepra për bashkësinë. Ne sjellim frymë të re. Frymën që deri më tash nuk ka ekzistuar apo që ka ndenjur e ndrydhur brenda shoqërisë sonë”, - tha kreu i PDIU-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›