Kandidatët e BQK`së
Nisi gara për shefin e Bankës Qendrore të Kosovës. Për këtë pozitë kanë aplikuar 27 kandidatë. Në mesin e tyre ka emra nga Bordi dhe menaxhmenti aktual i BQK`së, ish-menaxhmenti, profesorë universitarë dhe drejtues të ndërmarrjeve publike.
Ata janë Mentor Nimani, Ganimete Salihu, Flamur Keqa, Ramadan Gashi, Agim Paca, Safet Merovci, Fatmir Klaiqi, Genc Kuki, Blerim Dragusha, Sejdi Rexhepi, Valentin Toçi, Milazim Abazi, Ilir Aliu, Vlora Obërtinca, Xhevat Meha, Gazmend Luboteni, Marte Palokaj, Ardian Uka, Shaqir Totaj, Ajri Begu, Behxhet Brajshori, Agron Dida, Afrim Maloku dhe Kristë Gojani. Po ashtu, në listën e kandidatëve për guvernator janë edhe zëvendësguvernatorët Gani Gërguri dhe Nexhat Kryeziu, si dhe drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës - Agron Mustafa. Në diskualifikim automatik do të shkojnë të gjithë kandidatët që janë nën hetime. Pas 28 shkurtit, paneli do të shqyrtojë listën definitive dhe sipas ligjit do të klasifikojë kandidatët për intervistim.
Mejdi Bektashi, kryetar i Panelit për nominimin e guvernatorit, ka mohuar zërat se ka ndikime politike dhe preferenca partiake për përzgjedhjen e guvernatorit. Ai tha se kriteri kryesor është i paraparë në konkursin publik dhe paneli që përbëhet prej dy vendorëve dhe një ndërkombëtari do t’i shqyrtojë të gjitha aplikacionet që janë valide, respektivisht që i plotësojnë kushtet e konkursit.
Gjithashtu, ai thotë se gjatë aplikimit të verifikimit të dokumenteve, paneli do të ketë ndihmën e agjencive të pavarura të Republikës së Kosovës.
Personat që janë nën hetime, tha ai, nuk do të jenë pjesë e kësaj gare.
“Nëse është dikush nën hetime, ajo nënkupton integritetin e personit dhe sipas tij, nuk mund të ftohet në intervistim”, ka thënë Bektashi.
Panelin për nominimin e guvernatorit të BQK`së e përbëjnë Mejdi Bektashi dhe Lulzim Ismajli nga BQK’ja, si dhe një ndërkombëtar nga Thesari amerikan.
Pritet që pas intervistimit të kandidatëve edhe të bëhet radhitja sipas pikëve e listës me emrat e konkurrentëve dhe mandej Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë guvernatorin dhe kryetari i shtetit bën dekretimin e tij.
Sipas Ligjit të BQK’së, guvernatori dhe anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore emërohen për një mandat prej pesë vitesh. Këto mandate do të mbesin të shkallëzuara.
“Asnjë anëtar i Bordit të Bankës Qendrore apo i Bordit Ekzekutiv nuk do të shërbejë për më shumë së dhjetë vjet në këto Borde përkatëse, përveç në rast se një zëvendësguvernator emërohet si guvernator, atëherë ai person do të ketë të drejtë për të shërbyer dy mandate nga pesë vjet si guvernator”, thuhet në nenin 38.
Banka Qendrore e Kosovës ka 7 muaj që ka mbetur pa guvernator, pas arrestimit të Hashim Rexhepit për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Vonesat në krijimin e institucioneve vendore kanë sjellë edhe pasoja në funksionimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Ky institucion ka muaj që vazhdon punën e saj me ushtrues detyre, e kjo me vete ka sjellë shumë zbrazëtira anësore në politikën monetare. Njëra ndër to është edhe performanca e sektorit bankar. Ndryshe, keqpërdorimet me polica kufitare, korrupsioni, marrja e ryshfetit, shmangia nga tatimi, ushtrim ndikimi dhe shpëlarje parash janë akuzat që rëndojnë mbi guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.
Kandidatët:
Mentor Nimani
Ganimete Salihu
Flamur Keqa
Ramadan Gashi
Agim Paca
Safet Merovci
Fatmir Klaiqi
Genc Kuki
Blerim Dragusha
Sejdi Rexhepi
Valentin Toçi
Milazim Abazi
Ilir Aliu
Vlora Obërtinca
Xhevat Meha
Gazmend Luboteni
Marte Palokaj
Ardian Uka
Shaqir Totaj
Ajri Begu
Behxhet Brajshori
Agron Dida
Afrim Maloku
Kristë Gojani
Gani Gërguri
Nexhat Kryeziu
Agron Mustafa.