E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka rritje të pagave as më 1 mars?

Nga Express më 19 shkurt 2011 në ora 12:00

Në kontot e shërbyesve civil sipas gjitha gjasave pagat më 1 mars do të dalin edhe kësaj radhe pa ngritje, pasi ende nuk janë konstituuar institucionet e vendit dhe nuk ka miratim të Ligjit të buxhetit për vitin 2011. Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave thonë se pas aprovimit të buxhetit do të bëhet edhe rritja e premtuar e pagave që do të zbatohet në mënyrë retroaktive, ndërkaq krerët e BSPK-së paralajmërojnë se nëse nuk ndodh një gjë e tillë pas aprovimit të buxhetit, atëherë kjo sindikatë nuk e përjashton mundësinë e organizimit të protestave.

Ngritja e pagave për shërbyesit civilë, duke filluar nga janari i këtij viti, nuk është realizuar, për shkak të mos konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe mos aprovimit të buxhetit. Marrja e pagave me ngritje duket se nuk do të ndodhë as në muajin shkurt, pasi që javën e ardhshme pritet formimi i qeverisë së re, zgjedhja e presidentit dhe konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës.

Drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) i kanë dhënë kohë Qeverisë për të dhënë pagat me rritje deri në miratimin e buxhetit për këtë vit nga Kuvendi i Kosovës, por nëse kjo nuk realizohet do të organizohen protesta dhe greva në të gjithë sektorët.

Kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka thënë për Kosovapress se nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të dalin pagat me ngritje, por sipas tij me aprovimin e buxhetit pritet që të zbatohet vendimi për ngritje pagash.

“Nuk kemi caktuar datë. BSPK-ja ka kërkuar sqarime nga qeveria për mos rritje pagash, ndërsa sipas qeverisë kjo ka ardhur për shkak të kërkesave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për nxjerrjen e Ligjit për buxhetin, ndërsa ai ligj duhet të nxirret në seancën parë të parlamentit”, ka thënë Arifi.

Arifi ka shtuar se BSPK insiston që ajo ngritje të jetë, sepse listat e janarit janë nënshkruar me ngritje, por gjithashtu listat e muajit shkurt do të nënshkruhen me ngritje dhe se me nxjerrjen e ligjit për buxhetin në mënyrë retroaktive do të marrin pagat me rritje.

Kreu i BSPK-së ka theksuar se nëse nuk ndodh një gjë e tillë edhe pas aprovimit të Ligjit për buxhet, BSPK-ja do të reagojë, duke mos anashkaluar edhe protestat.

“Normalisht që ne do të reagojmë po që se nuk ndodh një gjë e tillë. Por jam i bindur se kur të miratohet Ligji për buxhetin nuk ndodh kjo ngritje, atëherë janë hapat e tjerë dhe ato dihen”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Ministrisë Ekonomisë dhe Financave (MEF), Muharrem Shahini ka thënë për Kosovapress, se pagat me rritje do të dalin pas formimit të qeverisë dhe miratimit të Ligjit për buxhet në kuvend.

“Pagat do të dalin kur të miratohet Ligji për buxhetin, që do të thotë në seancat e para të Kuvendit të Kosovës do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Shahini.

Sipas kësaj, duket se as më 1 mars nuk do të dalin pagat me ngritje, ndërsa një ngritje e tillë pritet të ndodhë vetëm në muajin prill.

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga janari i këtij viti paga e mësimdhënësve do të duhej të ishte 50 për qind më e madhe, kurse edhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së do të përfitonin nga kjo ngritje prej 50 për qind.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të kishin rritje prej 40 për qind, shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit do të përfitojnë rritje prej 30 për qind.

Po ashtu, bazuar në premtimet gjatë fushatës së zgjedhjeve të 12 dhjetorit të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, rritje të pagave do të kishin edhe disa sektorë tjerë, si sistemi i drejtësisë, minatorët etj. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›