Raporti i DASH vëren se, qeveria përpjekje të vazhdueshme dhe rezultate në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore

Shqipëria si rezultat i reformave, nuk është më në hartën që monitorohet nga DASH
Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të vazhdueshme për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, duke hartuar dhe implementuar disa ligje antitrafik si dhe janë institucionalizuar trajnime për policë e gjykatës. Është kjo ajo çka thotë raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit publikuar dje për të gjitha vendet e botës. Sipas këtij raporti, mësohet se Shqipëria si rezultat i reformave të qeverisë, nuk është më në hartën që monitorohet nga ky departament.
Qeveria e Shqipërisë bëri njëfarë përparimi në përpjekjet e saj ligjzbatuese kundër trafikimit gjatë vitit 2008. Shqipëria ndalon me ligj trafikimin seksual dhe të punës me anë të kodit penal, i cili parashikon ndëshkime pesë deri në 15 vjet burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për përdhunimin.
Gjithashtu vlerësohet fakti që në vitin 2008 qeveria ka hartuar edhe një plan veprimi për të luftuar këtë dukuri.
Raporti vëren midis të tjerave se, qeveria e Shqipërisë zbatoi një sërë veprimtarish parandaluese kundër trafikimit gjatë periudhës së raportimit. Organizatat ndërkombëtare financojnë shumicën e fushatave të parandalimit, por Ministria e Brendshme ka financuar një linjë telefonike të posaçme kombëtare 24-orëshe për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit qysh nga nëntori 2007. Ministria e Arsimit përfshin në programin mësimor për shkollat e mesme rritje ndërgjegjësimi për rreziqet e trafikimit. Zyrtarë të lartë të qeverisë folën haptas kundër trafikimit njerëzor dhe qeveria ofroi taksa të ulura për bizneset që punësojnë persona në rrezik trafikimi. Në vitin 2008, qeveria miratoi një plan të ri kombëtar veprimi për të luftuar trafikimin, i cili trajton specifikisht çështje të trafikimit të fëmijëve. Ministria e Turizmit mori drejtimin në monitorimin e një kodi sjelljeje për parandalimin e turizmit seksual të fëmijëve që u nënshkrua nga 24 agjenci turistike dhe hotele. Nuk pati të dhëna se qeveria ndërmori veprimtari parandaluese të synuara posaçërisht për të ulur kërkesën për akte seksuale për tregti apo punë të detyruar.
Megjithatë DASH rekomandon që ka ende për tu bërë në këtë drejtim dhe se vendi cilësohet ende si vendburim për trafikimin ku fëmijë e gra trafikohen kryesisht në vendet fqinje Itali e Greqi. Në këtë kuadër, Departamenti Amerikan i Shtetit rekomandon që qeveria të hetojë zyrtaret e përfshirë në trafiqe dhe të vazhdoje të punojë me OJQ-te dhe shoqërinë civile.
Raporti i klasifikon vendet në tri grupe kryesore, në vend të parë vendet me më pak problem në këtë fushë dhe në vend të tretë, ato vende ku ky fenomen është më tepër shqetësues. Në raport thuhet se Shqipëria këtë vit ka shënuar përparim dhe ndodhet në vendet e Grupit të 2. Në këtë grup bashkë me Shqipërinë ndodhen edhe vendet e tjera të rajonit, si Bosnja & Hercegovina, Bulgaria, Qipro, Greqi, Hungaria, Rumania, Sllovakia, Turqia dhe Kosova. Gjithashtu në këtë grup janë edhe vende të tjera, si Islanda, Irlanda, Japonia, Malta, Portugalia, etj
Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se trafiku njerëzor, prek çdo vend të botës, përfshi edhe SHBA. Klinton u bëri thirrje vendeve të tjera të bashkëpunojnë për eliminimin e të gjitha formave të trafikut njerëzor.
...