Kandidatët për Gjykatën e Lartë: “Kuvendi u tall me dinjitetin tonë njerëzor
“Kuvendi ka çmuar të rreshtohet politikisht dhe të votojë politikisht”. Kështu janë shprehur dje gjatë një deklarate për shtyp pesë gjyqtarët e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm një ditë pas rrëzimit nga Kuvendi, kandidatët e dekretuar nga kreu i shtetit, Artan Zeneli, Zamir Poda, Kristaq Traja, Altina Xhoxhaj dhe Medi Bici, e kanë konsideruar votimin të paragjykuar dhe politik. Në deklaratën e tyre të përbashkët pesë gjyqtarët kanë theksuar se refuzimi i kandidaturave të tyre nga Kuvendi nuk cenon integritetin e tyre profesional. “Duke respektuar të drejtën sovrane të Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë ose jo pëlqimin për kandidaturat e përcjella nga Presidenti i Republikës, vlerësojmë se megjithatë, ky refuzim nuk cenon integritetin tonë profesional, por rëndon në dinjitetin tonë moral dhe njerëzor”, - janë shprehur gjyqtarët, ndërsa kanë komentuar se votimi i Kuvendit ishte politik.
“Ne vlerësojmë se më shumë se për ne, profesionalisht dhe personalisht, Kuvendi ka çmuar të rreshtohet politikisht dhe të votojë politikisht”, - vazhdon më tej deklarata për shtyp. Më tej gjyqtarët kanë bërë të ditur se procesi para votimit ka qenë i paragjykuar nga ligjvënësi. “Ne konsiderojmë se procesi i dhënies së pëlqimit për ne, për shkaqe dhe rrethana të ndryshme, ishte i paragjykuar që në krye të herës. Zvarritja e procesit, shkelja e procedurës ligjore dhe praktikës të ndjekur deri sot, por ndoshta edhe keqinterpretimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishin një pjesë e faktorëve që më pas u shtuan me etiketime të pabaza ndaj nesh dhe paragjykime të dëmshme”, - kanë theksuar gjyqtarët. Në përfundim ata kanë vlerësuar institucionin e Presidentit të Republikës për dekretimin e emrave të tyre duke u nisur nga kontributi që këta gjyqtarë kanë dhënë në fushën e Drejtësisë.
18 Qershor 2008