E Diel, 1 Nëntor 2026

Bamir Topi: “Shumica më ekzekutoi politikisht”



Eljona Ballhysa

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka cilësuar “ekzekutim politik” nga ana e maxhorancës rrëzimin e dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë dy net më parë, në seancën parlamentare. Gjatë një prononcimi për mediat kreu i shtetit u shpreh dje se rrëzimi i kandidaturave me një karrierë profesionale të vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët është një luks i madh për Shqipërinë. Bamir Topi ka ironizuar dhe qëndrimin e maxhorancës, e cila për gati një muaj e cilësoi antikushtetuese procedurën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që gjatë seancës ditën e hënë mori pjesë në votimin e dekreteve. “Mund t’ju them që votimi i djeshëm duhet të konsiderohet si një fitore e demokracisë, sepse për një muaj rresht është diskutuar për antikushtetutshmërinë e dekreteve të presidentit, për paligjshmërinë e këtyre dekreteve dhe fakti që u futën në procedurën e votimit sipas Kushtetutës, tregon që edhe palët që e kontestonin u ndërgjegjësuan që kjo procedurë ishte kushtetuese”, - është shprehur Topi. Kreu i shtetit gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar dy takime të rëndësishme me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Uidhers dhe me ambasadorin e KE-së, Lohan. Megjithëse zyrtarisht nuk ka informacion për temën e bisedimeve mes palëve, burimet bëjnë të ditur se rrëzimi i dekreteve ka qenë në qendër të vëmendjes së faktorit ndërkombëtar në Tiranë.
Reagimi
Topi tha dje për mediat se kandidaturat e dekretuara prej tij ishin të konsultuara dhe të zgjedhur me kujdes, duke u bazuar në arritjet profesionale dhe integritetin moral të tyre. “Lidhur me rrëzimin e emrave, kini durim, sepse unë nuk i jam shmangur ndonjëherë medias për pyetjet që më kanë bërë. Ky, pa dyshim, është një ekzekutim politik i këtyre kandidaturave, sepse këto kandidatura janë zgjedhur me shumë kujdes, janë zgjedhur mbi bazën e konsultimeve të gjera të CV-ve të tyre, por edhe me institucionet, të cilat mund të japin të dhëna për karrierën dhe integritetin e këtyre personave. Të rrëzosh sot në Shqipëri një gjyqtar që ka qenë për nëntë vjet në Gjykatën e Strasburgut, besoj që është një luks shumë i madh”, - është shprehur Topi. Ai gjithashtu e cilësoi rrëzimin e kandidaturës që përfaqësonte të përndjekurit politikë, një qëndrim të faktorit politik shqiptar kundër deklaratave të tyre në mbështetje të kësaj kategorie. “Nga ana tjetër, për të dalë kundër retorikëve që bëhen për të përndjekurit, të rrëzosh një kandidaturë që mbështetet nga të përndjekurit politikë dhe t’i japësh atij vetëm dyzet vota në Parlament, besoj që nuk ka nevojë për koment”, - është shprehur Topi.
Takimet
Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, presidenti Bamir Topi ka pritur në Presidencë ambasadorin e Komisionit Europian, Lohan, me të cilin kanë biseduar për rreth 30 minuta. Pas tij, rreth orës 14:00, kreu i shtetit është takuar me ambasadorin e SHBA-ve, Uidhers, me të cilin ka biseduar 55 minuta. Të dyja takimet nuk janë bërë publike në faqen zyrtare në internet të institucionit të Presidencës. Ndërkohë që burimet e informacionit kanë bërë të ditur se faktori ndërkombëtar ka qenë i interesuar që në fillim për çështjen e dekreteve. Mësohet se tema e bisedimeve ka qenë pikërisht rrëzimi i dekreteve të presidentit nga Kuvendi. Nga ana tjetër, presidenti Topi, gjatë deklaratës së dhënë për mediat, ka bërë të ditur për dekretet se ai kishte mbështetjen e institucioneve që monitorojnë ligjshmërinë e proceseve demokratike në Shqipëri. “Mund t’ju them edhe për një pozicionim të institucioneve specifike që merren me supervizionin e ligjshmërisë mbi institucionet e Drejtësisë shqiptare, që i kanë dhënë plotësisht të drejtë pozicionit kushtetues të Presidentit, pra për këtë s’ka asnjë dyshim”, - është shprehur Topi. Një deklaratë e tillë e tij nënkupton se kreu i shtetit ka pasur që në fillim mbështetjen e ndërkombëtarëve për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›