Kandidatët për kryebashkiakë deri më 20 mars, Alibeaj: Do të përmbushim kërkesat e KQZ

Enkelejd Alibeaj, kryetari në detyrë i PD-së, bëri të ditur sonte në mbrëmje se do të ndjekë të gjitha procedurat e kërkuara nga KQZ-ja për regjistrimin e subjektit politik që ai drejton, për në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Këtë qëndrim Alibeja e bëri publik për mediat pas takimit me kryesinë e grupit parlamentar të PD-së. Sipas tij, në këtë mbledhje diskutimet dhe vendimet u përqëndruan te aspekti organizativ i PD-së, në funksion të fushatës zgjedhore.
Alibeaj bëri të ditur se deri me datë 20 mars do të përmbyllet procesi i miratimit të kandidaturave për kryetarë të bashkive.
“Janë vendosur detyrat përkatëse që do të merren në aspektin e fushatës, me organizimin dhe rifreskimin e strukturave tona. Jemi të vetëdijshëm për situatën jo aq të shëndetshme që kemi kaluar. Tani që ka nisur fushata dhe është miratuar pozicioni, PD-ja po kthehet në rutinën e funksionimit të saj për zgjedhjet e 14 majit. Është diskutuar edhe vendimi i KQZ-së. PD-ja do të ndjekë të gjitha procedurat. I gjithë dokumentacioni është depozituar tashmë pranë KQZ-së, në përputhje të plotë me legjislacionin. PD-ja do të regjistrohet, do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do jetë e fokusuar te 14 maji”,- tha Alibeaj.
/rtsh.al/