Gjiknuri: Berisha- Meta s’kanë as program, as alternativë, kanë vetëm gënjeshtra

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, është treguar kritik ndaj dyshes Berisha- Meta, lidhur me premtimet e tyre elektorale për zgjedhjet e 14 majit, duke i përkufizuar ato si “gënjeshtra”, dhe se janë dy persona që nuk kanë bërë asgjë edhe kur ishin në pushtet.
Këto komente Gjiknuri i bëri gjatë një takimi me strukturën e Koordinimit Elektoral në Belsh, ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku, Arif Tafani.
“Kundërshtari ynë, që s’ka bërë asgjë, premton qiejt. Ata vijnë e thonë ty do të fus në punë, do dyfishoj rrogat. Po kush do e bëjë këtë? Ilir Meta me Sali Berishën? Apo kandidati i tyre në terren. Çfarë alternative ofron ai këtu në terren përveçse të kthehet në bunker i Sali Berishës dhe Ilir Metës? Nuk ka çfarë të ofrojë ai. Të vetmen gjë që do përdorë është gënjeshtra te njerëzit. Çfarë do bëjë ai po s’pati qeverinë nga mbrapa?”,- u shpreh Gjiknuri.
Numri 2 i PS, që është njëkohësisht edhe drejtues politik i Qarkut Elbasan, kërkoi mbështetjen dhe kontributin e çdo qytetari për PS-në në zgjedhjet e ardhshme vendore, për të vijuar zhvillimin e zonës. “Po afrohemi drejt garës për bashkitë. Kandidatin e kemi, kundërshtarin e dimë. Alternativat i kemi të qarta. Na duhet puna e gjithësecilit që ne të arrijmë rezultatin maksimal. Këtu në Belsh ne kemi mundësi që të shkojmë me „gojën plot“ te njerëzit, sepse janë bërë shumë punë. Belshi do të futet tani edhe te pjesa më e vizituar e Shqipërisë”,- tha ai.
Sipas tij, në këto zgjedhje ka një ballafaqim mes punës së bërë nga PS, dhe dyshës Berisha- Meta që nuk kanë asnjë program dhe alternativë serioze.
“Alternativa tjetër është revolucion përmbysje. Por ne ofrojmë atë që quhet e prekshme edhe që është për të mirën e qytetarëve. Në Belsh ne vijmë duarplot edhe ballëlart me gjithë këto punë të mira që kemi bërë”,- tha ai.
Sipas tij, megjithëse në kushte të vështira qeveria e Edi Ramës ka treguar se është në lartësinë e duhur, pasi ka kaluar vite të vështira si pandemia, tërmeti, pastaj lufta në Ukrainë, rritja e çmimeve.
“Belshi do jetë një krahinë edhe më e vizitueshme dhe me një progres dhe rritje ekonomike shumë më të madhe”, deklaroi ai.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Belshit renditi një sërë investimesh të rëndësishme që janë kryer në këtë zonë. Ai theksoi se Bashkia ka pasur gjithë mbështetjen nga qeveria për të realizuar projektet infrastrukturore që e kanë kthyer Belshin në një atraksion turistik.
/rtsh.al/