Kandidatët përballë Komisionit
Kandidatët për ambasadorë të rinj të Kosovës më në fund do të dalin përballë anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
Lista e Ministrisë së Punëve të Jashtme me propozimet për ambasadorë është dorëzuar të premten në këtë Komisioni parlamentar.
Këtë e ka konfirmuar anëtarja e Komisionit, deputetja Donika Kada- Bujupi.
“Po e kemi marrë listën por nuk e di se kur do t’i intervistojmë”.
Ajo konfirmoi se bëhet fjalë për emrat të cilët “Express” i pati publikuar ditë më parë.
Njëri prej tyre është Akan Ismaili, ish-Kryeshef Ekzekutiv i IPKO’s, i cili pritet të dërgohet në Ëashington.
Ish-Ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala, ndërkaq, pritet të dërgohet në Bruksel.
Sylejman Selimi, Komandant aktual i FSK’së, në Tiranë.
E, Koordinatori i Qeverisë për Veriun, Ylber Hysa pritet të shkojë në Shkup.
Në rrethin e dytë të ndryshimeve në shërbimin diplomatik të Kosovës, ndërkaq, pritet të ketë lëvizje në Ambasadën e Kosovës në Berlin. Atje do të shkojë Skënder Xhakaliu, i cili për pak kohë ka shërbyer në Ministrinë kosovare të Arsimit.
Ndryshime do të ketë edhe në Bullgari. Në Ambasadën e Kosovës në Sofje pritet të shkojë Shpend Kallaba, zyrat i AKR’së.
Një tjetër koleg i Kallabës, Esat Brajshori pritet të dërgohet ushtrues detyre i ambasadorit të Kosovës në Çeki.
Po ashtu, pozitë ambasadori pritet të marrë edhe Amir Ahmeti, aktualisht deputet i Partisë së Drejtësisë në Kuvendin e Kosovës. Ai do ta zëvendësojë Rexhep Bojën në Arabinë Saudite.
E pasi që lista tashmë gjendet në kryesinë e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, ky i fundit pritet t’i intervistojë të gjithë kandidatët.
Më pas i njëjti Komision do të dërgojë një raport vlerësues për kandidatët, Presidentes Atifete Jahjaga, Kryeministrit Hashim Thaçi si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Ndërsa, dekretimi i tyre mund të bëhet nga Presidentja Jahjaga vetëm pasi të marrin agremanet nga shtetet përkatëse ku priten të dërgohen.
Ndryshe, ambasadorët aktual, sipas zëvendësministrit të MPJ’së, Ibrahim Gashi nuk do të shkarkohen. Ata priten të sistemohen në vende të reja në MPJ pas dekretimit të ambasadorëve të rinj.
E kundër kësaj liste një protestë të vogël e kanë bërë deputetet e Kuvendit të Kosovës për shkak se aty nuk ka ndonjë femër.
“Të gjitha propozimet që kanë ardhur janë propozimeve të meshkujve...” ka thënë deputetja e LDK’së Teuta Sahatcija.