E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët presidencial akuzojnë njëri-tjetrin

Shkup -Kandidatët për president në Maqedoni për në raundin e dytë, Gjorgji Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM opozitare kanë zhvilluar debatin e parë me tone dhe akuza të ashpëra për temat e izolimit të vendit dhe bllokimit të procesit të evrointegrimeve.Kandidati i socialdemokratëve opozitar Lubomir Fërçkovski ka insistuar se Qeveria aktuale është fajtore për rrënimin e pozicioneve në planin ndërkombëtar.

“Kjo qeveri me politikën e udhëhequr me elementetet e antikitetit rreth çështjes së emrit ka rrënuar pozicionet e Maqedonisë në planin e jashtëm. Sa më shpejt duhet të arrihet kompromis për emrin, me qëllim që Maqedoni në shtator të marrë ftesën për anëtarësim në NATO”, ka theksuar Fërçkovski duke akuzuar që kjo qeveri po ndjek kursin e izolimit të vendit. Ai ka premtuar se angazhohet për zgjidhje të emrit pa prekur identitetin kombëtar maqedonas.

Nga ana tjetër, Ivanov ka hedhur poshtë akuzat e oponentit të tij, duke shtuar se Qeveria aktuale angazhohet në negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, dhe jo sipas tij, nënçmuese.

Ai ka shtuar se Maqedonia mbetet e përkushtuar për integrimin e saj në NATO dhe se vazhdon qasjen e saj për bashkëpunimin e ngushtë me miqt e saj.

Dy kandidatët për president kanë shkëmbyer edhe ofendime dhe nënçmime lidhur me karrierën e tyre politike dhe intelektuale. Kandidati i opozitës Fërçkovski e quajti një njeri të cekët oponentin e tij Ivanov, duke e konsideruar vetëm si një “fletë të bardhë” në karrierën politike. Ndërsa Ivanov në kundpërgjigjen e tij ka theksuar se Fërçkovski ka një bekgraund të errët politik dhe një vrimë e zezë derisa ka qenë në krye të Ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme në Maqedoni. ina

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›