E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ‘rikthen’ “trurin”

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi të premten, se "programi për rikthimin e 'trurit' në Shqipëri, është një nga prioritetet më madhore të kësaj qeverie". Në ceremoninë e certifikimit të 73 përfituesve të parë nga paketat nxitëse të programit "Brain Gain", Kryeministri Berisha e vlerësoi një program jetik për kombin, "rikthimin e 'trurit' dhe përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të vendit".

"Projekti i rikthimit të 'trurit' do të thotë rikthimi në Shqipëri i studiuesve dhe intelektualëve të cilët janë doktoruar, kanë marrë master apo janë shkolluar, në shkollat më të mira të perëndimit. Kjo është dhe mbetet një përparësi shumë madhore e qeverisë sime", tha Kryeministri në fjalën e tij.

Duke shprehur bindjen se universitetet janë qendra kryesore e përfshirjes së të gjithë atyre që fitojnë këtë program, Kryeministri siguroi se "edhe administrata do të mbetet gjithnjë e hapur në këtë drejtim". Suksesi i këtij projekti, sipas Kryeministrit Berisha, "do të jetë një faktor i madh në procesin e zhvillimit të vendit".

"Ne jemi vendi më kohë humbur i Europës, ndaj kemi nevojë më tepër se çdo vend tjetër të fitojmë në kohë. Reformat e ndërmarra kanë patur një ndikim transformues dhe janë pikërisht ato që po e bëjnë Shqipërinë një vend anëtar në NATO, pra po i japin vendit një pasaportë të re besimi, sigurie dhe bashkëpunimi", tha Kryeministri. Reformat në këtë vend jo vetëm kanë shtyrë përpara proceset e integrimit, por sipas Kryeministrit, "kanë bërë që Shqipëria me gjithë problematikën, të jetë një nga vendet me ekonomi më të konsoliduar".

Kryeministri theksoi se "kjo ndodh, pasi Shqipëria ka vendosur në themelet e ekonomisë së saj parimet më solide, duke u bërë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë". Investimet në infrastrukturë dhe përdorimi i stimujve fiskalë, sipas Kryeministrit Berisha janë antidoti i krizës në Shqipëri. "Shqipëria ka standardet më të hapura ekonomike dhe këto standarde kanë ndihmuar në këtë drejtim.

Ky vend i vogël dhe me probleme, me dinamizëm po përpiqet të ecë në orën globale", tha Kryeministri Berisha. Për sa i përket arsimit, Kreu i Qeverisë siguroi se "në rast të marrjes së një mandati të dytë, arsimi do të mbetet prioriteti absolut i kësaj qeverie". Në kuadër të programit "Brain Gain", Kryeministri theksoi se "janë vendosur në dispozicion të universiteteve publike rreth 1 mijë vende shtesë", ndërkohë që shprehu gatishmërinë e qeverisë për të dyfishuar këtë numër.

"Çdo atribut i këtij programi duhet të shtrihet njëlloj në të gjitha universitetet", tha Kryeministri. Për sa i përket Fondit të Ekselencës, Kryeministri informoi se "ky fond është pa limit dhe synon të mbështesë çdo studiues që do të mbrojë doktoratën apo masterin në universitetet e Perëndimit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›