E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati Lakrori çel garën kundër Edi Ramës

Në linjat kryesore të platformës së tij politike prej dhjetë pikash, kandidati Lakrori shprehet për bashkimin e së majtës, ndryshimet statutore, rikthimin e solidaritetit brenda PS-së, ndarjen nga kulti individual në krye të partisë etj. Lakrori ftoi kryetarin në detyrë Edi Rama që të zhvillojnë debate të përbashkëta lidhur me  programet e tyre, në garën për kreun e ri të partisë.

 "Ftoj z. Rama që të paraqitemi së bashku në të 12 qarqet e vendit, në takime të përbashkëta me anëtarësinë socialiste për të parashtruar argumentat dhe opsionet tona për drejtimin e Partisë Socialiste për katër vitet në vazhdim", tha kandidati Lakrori.

Në deklaratën e tij ai kundërshtoi objektivin e PS-së për një bojkotim të mundshëm të punimeve të parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë kontestuar në vijimësi nga opozita. Zgjedhja e kryetarit të ri të PS-së u vendos në punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm të socialistëve një javë më parë, pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit Rama.

Këtij të fundit,  sipas statutit i ndërpritet mandati në rast të humbjes së partisë në zgjedhjet e përgjithshme. Për postin e kryetarit të ri të PS-së, që do të zgjidhet në Kongresin e ardhshëm të socialistëve më 26 shtator, konkurojnë dy kandidatë: Maqo Lakrori dhe Edi Rama, ndërkohë që kandidati tjetër, Arben Malaj u tërhoq nga gara. 

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›