E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koha për t’u bashkuar kundër krushqisë së turpshme”

04/09/2009  Negociatat Meta-Berisha, reagon Rama

Kupola rozë shton çdo ditë e më shumë presionin ndaj mazhorancës qeverisëse përmes deklaratave të ashpra për mosnjohjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Për më tepër, mosnjohjen e institucioneve të dala prej tyre. Kështu, duke marrë shkas nga nënshkrimi në mënyrë zyrtare i bashkëpunimit mes LSI-së dhe PD-së për qeverisjen e vendit në katër vjetët e ardhshëm, kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, ka lëshuar apelin e radhës për të majtët, apel që konsiston në bashkimin e tyre me qëllim dhënien fund kësaj qeverisjeje, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Apeli

“Është koha për t’u bërë të gjithë bashkë kundër kësaj krushqie të turpshme, sepse dasma e kryeplakut të politikës së vjetër me nusen e re të xhuvelizmit do t’u kushtoj shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - deklaroi Rama gjatë një konference për shtyp lidhur me negociatat e zhvilluara dy ditë më parë mes PD-së dhe LSI-së. Madje, po në këtë linjë, kryetari në detyrë i PS-së shtoi se “ky është çasti për t’u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të të gjithë atyre që sinqerisht e ndershmërisht besuan tek Ilir Meta në emër të asaj çka ai premtoi: që të bëhej pjesë e familjes së madhe politike të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj”. Nga ana tjetër, Rama nuk kurseu kritikat ndaj marrëveshjes “Meta-Berisha”. “Në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve u kurorëzua një maskaradë zgjedhore, e cila ka në themelin e saj krimin elektoral dhe ka për fytyrë të saj pazarin e hershëm dhe të paralajmëruar prej nesh të Sali Berishës me Ilir Metën, i cili besoj kreu veprën më shembullore të mashtrimit publik, duke marrë 83 mijë vota në emër të çlirimit të shqiptarëve nga Sali Berisha dhe duke i përdorur ato vota për t’u ulur në prerin e Sali Berishës”. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë mundësi dhe mbi të gjitha arsye që të paguajnë vijimisht, duke hyrë në borxhe edhe më të mëdha se këtu ku ka hyrë sot çdo familje shqiptare, për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë, për një qeverisje që nuk mund të ofrojë asgjë, por që vetëm do të rritë në mënyrë eksponenciale fitimet dhe përfitimet e këtij grushti njerëzisht të bashkuar për të vijuar plaçkitjen e nisur të Shqipërisë.

Qëndrimi

Ndërkohë, duke iu kundërvënë kësaj marrëveshjeve, por njëkohësisht dhe duke iu referuar dhe parregullsive që u shënuan gjatë procesit elektoral, kryetari i PS-së shprehu dhe një herë tjetër qëndrimin e partisë që ai drejton për zgjedhjet e 28 qershorit. “Krimi elektoral e bën Kuvendin një institucion me legjitimet thellësisht të cunguar dhe qeverinë një nënprodukt të deformimit zgjedhor. Kurse mashtrimi publik i Ilir Metës, që u kurorëzua me marrëveshjen e tij të hapur me Sali Berishën, thellon krizën e rëndë të besimit të njerëzve te politika dhe e bën politikën të duket më shumë se kurrë një gënjeshtër tallëse me ata që zgjedhin”, - vuri në dukje Rama gjatë komunikimit të tij me mediet. Në këtë mënyrë, parë në këtë këndvështrim, Rama përsëriti dhe një herë tjetër se “jo vetëm që nga ky pazar dhe mbi themelet e kësaj maskarade zgjedhore nuk mund të lindë asgjë tjetër përveç një qeverie që do të thellojë krizën e demokracisë, krizën e shtetit të së drejtës, krizën ekonomike”. Njëkohësisht gjatë fjalës së tij Rama u ndal dhe në akuzat dhe kritikat që vijnë në adresë të PS-së nga drejtuesit e PD-së dhe të LSI-së. “Pa dyshim që për Sali Berishën dhe Ilir Metën Partia Socialiste mbetet dhe do të jetë përditë e më shumë një objekt agresioni verbal dhe sulmesh të koordinuara, me një fuqi mediatike që është vënë tashmë në dispozicion të këtij çifti të ri të politikës së vjetër. Sepse ata duan që PS-ja të bëhet pjesë e batakut të tyre dhe jo të jetë alternativë e këtij bataku”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Takimi Rama-Gjinushi

“Bojkoti hapi i parë kundër mazhorancës ilegjitime”

Partia Socialdemokrate pozicionohet në mbështetje të qëndrimit të Partisë Socialiste për të bojkotuar parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme. Kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi zhvilloi dje një takim me kreun në detyrë të PS-së, Edi Rama, për të diskutuar pikërisht mbi hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë kjo e fundit mbi axhendën parlamentare. Kështu, një ditë pas konkretizimit të aleancës “Berisha-Meta” me përcaktimin e posteve ministrore të LSI-së në kabinetin e ri qeveritar, kryetari i PSD-së, edhe pse nuk siguroi përfaqësimin në Kuvend, bojkoti parlamentar është kundërpërgjigjja më e mirë ndaj maxhorancës ilegjitime. “Me një parlament me demokraci të cenuar dhe të cunguar, të dalë nga zgjedhje jo të ligjshme dhe jo të standardeve patjetër që bojkoti është veprimi i parë. Nuk mjafton vetëm bojkoti, patjetër që ne na takon roli që ky vend të kthehet në një vend normal”, - u shpreh Gjinushi. Njëkohësisht ai bëri me dije dhe krijimin e një fronti të majtë kundrejt qeverisjes së re. “Meta bën pazar me Sali Berishën për të mbajtur gjallë korrupsionin. Është një marrëveshje sipas etiketimit të bërë nga vetë dy protagonistët, të Sali Gërdecit me Ilir Floririn. Mjaftojnë këto etiketime për të kuptuar moralin e kësaj marrëveshje”, - ironizoi Gjinushi gjatë fjalës së tij.

Postzgjedhjet

PSD, PDS, PBDNJ, G-99 ende aleate të PS-së

Koalicioni “Bashkë për Ndryshim” ende vijon të ketë të njëjtën përbërje, edhe pse vetëm një prej partive aleate të PS-së do të jetë e përfaqësuar në kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, edhe pse ishte deklaruar dhe besuar se ky koalicion do të rezultonte fitues në këtë garë, momentalisht duket se aleatët e partisë që drejtoi një aleancë të tillë, njëkohësisht partia më e madhe opozitare, pra PS-ja, nuk ka shfaqur pakënaqësi deri atje sa të deklarojnë largimin nga një aleancë e tillë, apo që të mos jenë më pjesë e aleancave me një parti të tillë. Në këtë mënyrë, përpara zgjedhjeve parlamentare pjesë e “Bashkimit për Ndryshim” ishin PS-ja si parti kryesore, PSD-ja, PBDNJ-ja, PDS-ja dhe “G-99”-a, ku veç mandateve të fituara nga selia rozë në këtë garë dhe PBDNJ-ja e drejtuar nga Vangjel Dule arriti të siguronte një mandat për në legjislativin shqiptar. Ndërkohë tri partitë e tjera të kësaj aleance mbetën të papërfaqësuara në kuvendin e ri. Por, edhe pse pas përfundimit të këtij procesi përfaqësues të disa prej këtyre partive nuk hezituan të lëshonin akuza për aleatin e tyre kryesor për vjedhje votash, sërish ato vijojnë të jenë pjesë e këtij koalicioni, pra mbështesin qëndrimet e ndërmarra nga Partia Socialiste mbi procesin zgjedhor.

Zgjedhjet e 28 qershorit

Rama: Duhej të ishin si në çdo vend të BE-së

“Koncepti ynë për zgjedhjet nuk është një koncept që buron nga relativizimi i së keqes, por është një koncept që buron nga ambicia dhe nga besimi se në këtë vend zgjedhjet mund të jenë zgjedhje normale, të një vendi evropian, njësoj si në çdo vend të BE-së dhe anëtar të NATO-s”. Përmes një fraze të tillë kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjodhi të komentojë

deklaratën e komisionarit për Zgjedrimin Oli Rehn, i cili i konsideroi zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në 28 qershor si më të mira në krahasim me ato të mëparshme. Për këtë arsye, në komunikimin e tij të radhës me mediet Rama dha arsyet pse PS-ja nuk mund të pranojë një proces të tillë zgjedhor. “Ne nuk luftuam për zgjedhje më të mira se të kaluarat, por për t’i dhënë fund asaj vazhde të shëmtuar zgjedhjesh të kërcënuara, trysnuara dhe abuzuara. Për t’u dhënë shqiptarëve dinjitetin dhe lirinë që buron nga dinjiteti dhe liria e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 28 qershorit nuk patën dinjitet dhe liri. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë realitet dhe nuk mund të lejojmë që me këtë realitet të marrë fund çdo besim dhe shpresë për zgjedhjet te liria dhe fuqia e votës”, - vuri në dukje Rama sa i takon një çështje të tillë. Ndërkohë ai nuk harroi të vinte theksin në faktin se PS-ja do të vijojë të mbrojë votën e shqiptarëve. “Kemi kontribuar me sa kemi mundur dhe kemi bërë gjithçka që Shqipëria të dilte nga qerthulli i zgjedhjeve, që gjithmonë janë quajtur më të mira se të tjerat, por gjithmonë kanë mbetur brenda qerthullit të zgjedhjeve me probleme dhe pa standarde. I kemi dhënë një shans historik vendit dhe qeverisë së tij, që më në fund Shqipëria të kishte zgjedhje si në çdo vend të BE-së dhe si në çdo vend anëtarë të NATO-s. Kjo sforco dhe sakrificë politike jona nuk është bërë për të shkuar kot dhe ne nuk do të lejojmë që të shkojë kot”, - nënvizoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›