Kandidati i CDU-së për Bundestag lavdëron komunitetin shqiptar

Peter Weiss, kandidat i CDU-së për deputet në Parlamentin Federal të Gjermanisë, ka zhvilluar të martën në Europapark, Rust, Landi Baden Württemberg një tubim zgjedhor, ku mori pjesë dhe kancelarja gjermane, njëherësh kryetare e CDU-së, Angela Merkel. Me këtë rast ai u është drejtuar në mënyrë të veçantë shqiptarëve, gjegjësisht komunitetit kosovar që është mjaft aktiv në këtë regjion. Në vazhdim, pjesë nga fjalimi i tij i mbajtur në këtë tubim, që mund të shihet edhe në këtë video.
Në jugperëndim të Gjermanisë jeton një komunitet i madh i njerëzve me prejardhje nga Kosova. Ata janë të organizuar përmes shoqatave kulturore si bie fjala “Yjet e Kosovës“ dhe ata nuk janë të fokusuar vetëm në jetën e tyre interne, por janë shumë frytdhënës me aktivitetet që dalin jashtë rrethit të tyre.
Ata në mënyrë të vendosur kërkojnë dhe gjejnë kontakte me palën gjermane, të cilat kanë depërtuar që nga njeriu i thjeshtë deri te niveli më i lartë. Bashkëpunimi i tillë shtrihet me klube dhe shoqata gjermane dhe ata kanë një bashkëpunim të ngushtë me organet lokale dhe komunale, me kryetarët e komunave, me institucionet vendore.
Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë dhe nuk mund te lihet pa u potencuar që mërgata kosovare këndej në Gjermani është shumë aktive. Pjesëtarët e saj praktiktojnë një kontakt me një dashuri dhe respekt të paparë ,dhe si e tillë ajo sjell dhe ofron këtu një pasqyrë të mrekullueshme për vendin dhe atdheun e tyre. Integrimi shembullor i tyre ne Gjermani nuk ka mundësi të përshkruhet me fjalë dhe për këtë më duhet të them pa u hamendur, ajo që realizojnë kosovarët në Gjermani ka një themel të fortë dhe ky është një kapital i madh për vetë ata si dhe për Kosovën, meqë përkushtimi i tyre i pashoq vlerësohet këtu në mënyrën më pozitive nga të gjitha nivelet, ka thënë veç tjerash P. Weiss. /Indeksonline/