E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi zyrtar në heshtje

Qeveria e Maqedonisë deri në orët e para të mëngjesit ka diskutuar për zhvillimet e fundit në raportet me Kosovën.

Por, askush nga kabineti qeveritar nuk ka dalë me qëndrim zyrtar nëse është marrë ndonjë qëndrim në këtë seancë në të cilën ka raportuar ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini pas vizitës që kishte realizuar në Prishtinë për shqyrtimin e mundësive për kapërcimin e situatës.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se ministrat kanë vendosur që të mos ndërmerret asnjë masë tjetër në raport me Kosovën, ndërsa të punohet intensivisht për kapërcimin e situatës.

Kjo, sipas burimeve të qeverisë në Shkup, mund të ndodhë në dy-tre ditët e ardhshme që Qeveria e Maqedonisë të tërheqë vendimet për importin e kushtëzuar të miellit si dhe taksat rrugore për shtetasit e Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës masat e vendosura për ndalimin e prodhimeve të Maqedonisë të destinuara për tregun kosovar.

Ndërkohë, në vendkalimin kufitar Bllacë mes dy shteteve, edhe të mërkurën kanë vazhduar bllokadat e shoqatës së transportuesve “Makamtrans”, e cila kërkon nga dy qeveritë të ulen dhe të bisedojnë për largimin e barrierave tregtare mes dy vendeve.

“Situata mbetet e pandryshuar, ne qëndrojmë në kufi dhe nuk e kemi ndërmend të tërhiqemi derisa nuk marrin sinjale pozitive nga të dyja palët. Edhe njëherë i bëjmë thirrje dy qeverive që të mendojnë mirë pasi jemi në shekullin e 21-të dhe është qesharake të aplikojmë embargo dhe bllokada në kohën kur dihet se Bashkimi Evropian po punon për zgjerimin e tregtisë së lirë”, deklaroi Biljana Muratovska nga shoqata e transportuesve “Makamtrans”.

Ajo thotë se veprimi i kësaj shoqate është në përputhje të plotë me Ligjin, edhe pse në nenin 2 të Ligjit për tubime publike thuhet se bllokada dhe protesta nuk mund të ketë në rrugët magjistrale për shkak të rrezikimit të komunikacionit rrugor.

“Protesta është e paraqitur dhe këtu është edhe një automjet i ndihmës së shpejt, kështu që probleme nuk janë regjistruar. Ne na vjen keq për këtë formë të protestës, por ishim të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë pasi transportuesit janë ata që të parët i ndiejnë pasojat e masave të tilla”, shprehet Muratovska.

Ndërkohë, bllokimi i kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës të mërkurën sërish është dënuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, e cila kërkon zhbllokimin e shpejtë të tij.

“Askush nuk guxon të ndërmarrë veprime të tilla anti-ligjore dhe mbi të gjitha anti-njerëzore të pengimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit që paraqesin edhe parimet bazë të ekonomisë së tregut, por edhe kritere bazë të Marrëveshjes së CEFTA-s. Asnjë bllokim i kufirit nuk mund të zhbllokohet me bllokime të reja, prandaj çdo iniciativë e këtij lloji vetëm se kontribuon në përkeqësimin e gjendjes edhe ashtu të rënduar ekonomike dhe sociale në vend”, thuhet në reagimin me shkrim të Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga ana tjetër për situatën e krijuar ka reaguar edhe ish ministri i Financave, Nikolla Poposki duke fajësuar për këtë rast para së gjithash qeverinë maqedonase.

“Askë nuk e arsyetoj, por mendoj se Qeveria e Maqedonisë ishte ajo që ka provokuara e para situatën dhe ç'është më e keqja bëhet fjalë me shtete fqinje, të cilat, në vend që ti zgjidhim problemet ekonomike, futen edhe në probleme politike që mund edhe të mos i dihet fundit. Besoj se në fund situatën do ta marrin në dorë ndërkombëtarët pasi nëse kështu vazhdohet ne do të përfundojmë edhe më keq se në komunizëm”, thotë Nikolla Popovski, ish ministër i Financave.

Dëmet nga embargoja mes dy vendeve, sipas shoqatave ekonomike të Maqedonisë, janë të larta për kompanitë maqedonase, të cilat, vlerësohet të kenë humbur deri në 1 milion dollarë në ditë për shkak të suficitit të madh tregtar që ka Maqedonia në raport me Kosovën. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›