E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati i PS në Lezhë: Do ankimojmë vendimin e KQZ, mandati do t’i kthehet PS-së

TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot me katër votat e anëtarëve të pranishëm tabelën përfundimtare të qarkut të Lezhës, vendim që ndryshoi edhe raportin e mandateve të këtij qarku, ku mandati i katërt i së majtës i kaloi koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike.

Kandidati i PS-së në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka deklaroi se ndryshimi i rezultatit është i përkohshëm, pasi çështja do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në televizionin “News24”, Ndoka theksoi se socialistët do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje, duke pretenduar se kanë argumente bindëse për rikthimin e mandatit tek koalicioni i majtë.

“Ky ndryshim i rezultatit është i përkohshëm, sepse ne kemi argumente që hedhin poshtë pretendimet. I garantoj votuesit që nuk do t’i zhgënjej, do t’i shkoj deri në fund kësaj historie. Kolegji zgjedhor do të jetë i qartë përsa i përket argumenteve që ne do paraqesim dhe kam bindjen se mandati do t’i kthehet PS-së. Anëtarët e KQZ-së të mos kalojnë në rolin e organit të akuzës. Procesverbalet e KZAZ-së nuk janë fallco, por origjinale.”- deklaroi Ndoka.

Vendimi i KQZ-së për ndryshimin e rezultatit në qarkun e Lezhës erdhi pas verifikimit nga administrata të tabelave origjinale të 248 qendrave të votimit në këtë zonë zgjedhore, ndërsa për 10 qendrat e votimit të ZAZ-së nr. 13, për të cilat Komisioni nuk dispononte tabela origjinale, rezultati doli pas kalkulimit të të dhënave të sistemit elektronik të KQZ-së. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›