E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatura e Shqipërisë, Frattini: BE, gati për shqyrtimin



Ndërkombëtarët flasin shkoqur, duke i mbyllur të gjitha shtigjet e opozitës për bojkotin e Parlamentit. Kreu i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch dhe ai i KE-së, Helmut Lohan, përdorën sërish dje argumentin më të fortë kundër qëndrimit bojkotues të PS-së se zgjedhjet e 28 qershorit ishin të rregullta dhe shënuan progres. Ndryshe nga herë të tjera, dje ata folën troç dhe duke u zgjeruar në qëndrimin absurd të PS-së, të cilën tentojnë ta bindin për rikthimin e saj në Parlament, duke i bërë të qartë se bojkoti pas rregullsisë së zgjedhjeve dhe progresit të dukshëm të tyre, bojkoti tashmë s’ka asnjë vlerë. Vetëm dy ditë pasi Edi Rama deklaroi në cilësinë e kryetarit të rizgjedhur të Partisë Socialiste se kjo forcë politike nuk do të futet në Parlament pa u plotësuar kushtet e saj, faktori ndërkombëtar rreshtohet edhe njëherë kundër bojkotit duke ripërsëritur qëndrimin se debati politik duhet zhvilluar brenda institucioneve dhe jo jashtë tyre. Dhe vetëm disa orë nga ky qëndrim i Ramës, kundër bojkotit u shprehën dje përfaqësuesit e dy institucioneve më të rëndësishme të BE–së, ambasadori i Komisionit Evropian, Lohan dhe ai i OSBE –së, Robert Bosch. Gjatë një takimi të zhvilluar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, Bosch ritheksoi domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së PS–së në Kuvend. Ndërsa pohoi se pretendimeve të saj për manipulime u është dhënë përgjigje nga institucionet e certifikimit të zgjedhjeve. Ambasadori Robert Bosch, i pyetur për kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit si kusht për të hyrë në Parlament, la të kuptohet se për OSBE-në çështja është e mbyllur me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. “Nuk jam këtu si një ekspert ligjor apo si dikush nga Gjykata Kushtetuese, por me sa kuptoj, të gjitha mjetet ligjore janë ndjekur deri sa më 1 gusht u shpall rezultati përfundimtar i zgjedhjeve”, - u shpreh Bosch. Sipas tij, deri tani janë ndjekur të gjitha rrugët ligjore për sa u përket zgjedhjeve të 28 qershorit, rezultatet përfundimtare të publikuara më 1 gusht dhe finalizimi ligjor i gjithë këtij procesi. “Gjithsesi, OSBE-ja shpreh dhe një herë vullnetin e saj për të mbështetur Shqipërinë drejt integrimit në BE, dhe nëse na kërkohet, ne jemi të gatshëm të mbështesim si qeverinë, ashtu dhe opozitën për përmirësimin e standardeve zgjedhore, po i gjithë ky proces zhvillohet me një opozitë brenda Parlamentit dhe jo jashtë tij", - deklaroi z. Bosch.

Në një tjetër dalje publike, ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, që nga Durrësi ku mori pjesë në një seminar kundër krimit ekonomik, rikonfirmoi qëndrimin e Brukselit se futja e opozitës në Parlament është e vetmja rrugë për konsolidimin e institucioneve demokratike. Duke komentuar qëndrimin e opozitës për të bojkotuar punimet e Parlamentit, z. Lohan vuri në dukje se debati i vërtetë politik duhet të zhvillohet vetëm brenda dyerve të legjislativit. “Komisioni Evropian e ka shprehur qartë qëndrimin e tij se debati politik zhvillohet brenda institucioneve demokratike”, - u shpreh ambasadori Helmut Lohan. Vendimi i Ramës për të bojkotuar Parlamentin nuk gjeti që në krye të herës mirëkuptimin e ndërkombëtarëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe mjaft institucione ndërkombëtare e përfaqësues të tyre e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kundër braktisjes së Parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›