Kosova përtej stanjacionit
Faktorët politikë në Kosovë, kundërshtuan, para disa ditësh, një marrëveshje për kontrollin e kufijve, të lidhur ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, me arsyetimin se autoriteti i vetëm për të ndërmarrë akte të tilla është qeveria vendore.
Mirëpo problemi është se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk pranon kurrfarë marrëveshjeje me institucionet e saj. Në këto kushte, zona kufitare ose duhej të mbetej jashtë kontrollit të koordinuar, ose duhej gjetur një zgjidhje tjetër e pranueshme.
Bazuar në këtë logjikë, Misioni Mbikëqyrës i BE-së në Kosovë (EULEX), ka bindur Serbinë që në këmbim të procesit integrues, të nënshkruajë për kontrollin kufitar. Edhe pse marrëveshja është kundërshtuar nga segmentet nacionaliste në Serbi me pretekstin se po njihet defacto pavarësia e Kosovës.
Normalisht, marrëveshjet që kundërshtohen nga palët në konflikt janë të ekuilibruara. E tillë është marrëveshja në fjalë, ku shqiptarët thonë se cenohet sovraniteti i Kosovës, ndërsa serbët nacionalistë kundërshtojnë duke thënë se po njihet pavarësia e saj.
Ajo që mund të thuhet që në fillim është se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në fjalë i krijon Serbisë disa favore: së pari, i hap rrugë për liberalizimin e vizave dhe vazhdimin e procesit për në BE; së dyti, i krijon terren të përforcojë kontrollin në një territor që është defacto jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare.
Por, marrëveshja mund të interpretohet edhe ndryshe. Në favor të shqiptarëve: së pari, Serbia pranon se ka humbur sovranitetin mbi Kosovën dhe që ky autoritet nuk është OKB-ja, por një organizëm tjetër (BE-ja) që në shumicë dërrmuese të saj e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe së dyti, kontrolli i kufijve, institucionalisht të paktën, është në favor edhe të institucioneve të Kosovës dhe një mundësi më shumë për të parandaluar krimin e organizuar që operon në këtë rajon.
Evropianëve u interesojnë marrëveshje të tilla, sepse çdo hap në procesin e integrimit të Serbisë në BE, do të ishte njëkohësisht hap largimi i saj prej Rusisë.
Si rrallëherë, në rastin e kësaj marrëveshjeje, pozicionimi i politikanëve shqiptarë në raport me faktorët ndërkombëtarë ka qenë diletant. Nga njëra anë shikoje Kryeministrin dhe Presidentin tek flisnin për Kushtetutën, e nga ana tjetër faktorët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-në që përshëndesnin marrëveshjen.
Është e kotë të flitet për ligjet në letër, kur e di që ato janë të pazbatueshme në terren. Janë vullnetet e njerëzve në terren, të cilët konsiderohen faktor i brendshëm, që vendosin. Në raste problematikash të mëdha, ligjet nuk mund të zbatohen tejpërtej. Mjafton të kujtojmë rastet e ndërhyrjeve ushtarake në Kosovë dhe Irak pa mandate të OKB-së.
Kufijtë shtetërorë nuk mund të lihen ashtu të pakontrolluar duke pritur derisa serbët dhe shqiptarët të merren vesh mes tyre. Udhëheqësit e Kosovës duhet t'i kishin marrë parasysh këto gjëra për të mos u konfliktuar me bashkësinë ndërkombëtare.
Procesi në Kosovë akoma nuk ka përfunduar. Do të mjaftonte një prishje ekuilibri dhe gjërat të përmbyseshin, ose të paktën të rrinin në stanjacion.
Kur flasin për veriun e Kosovës, autoritetet vendore në fakt flasin për një gjë që as e kontrollojnë e as i pyet kush. Është më e ndershme që politika kosovare ta pranojë dështimin e faktorit ndërkombëtar në veri.
Ky do të ishte kontributi i vetëm i mundshëm për momentin. Mbivendosja e katër pushteteve në veriun e Kosovës (pushteti i Beogradit që është relevant, pushteti i UNMIK-ut që është harruar, por akoma s'ka ikur, pushteti i EULEX-it, që s'dihet çfarë është dhe pushteti i Prishtinës, që ekziston vetëm në letër dhe në zemrat e disa shqiptarëve që jetojnë në atë zonë) e ka bërë shumë të komplikuar situatën.
Evropa është treguar e paaftë për t'i dhënë një zgjidhje të plotë këtij rajoni dhe dhe ka kërkuar të fitojë në kohë, duke luajtur kështu me nervat e palëve.
Kosova përbën tregun më të madh për produktet që prodhohen në Serbi. Kësisoj, interesi dypalësh është shumë i rëndësishëm. Disiplinimi i kufirit nëpërmjet të cilit sot zhvillohet kontrabanda më e madhe në rajon është çështje stabiliteti rajonal.
Trafiqet e pakontrolluara, kalimi i drogës, kontrabanda me mallrat bazë etj., vetëm në 2-3 vitet e fundit kanë përforcuar një rrjet mafioz në të dy anët e kufirit.
Ky rrjet, që spekulon në emër të nacionalizmit, ruajtjes së tërësisë territoriale të Serbisë, mund të krijojë kushte për strukturime të grupeve paramilitare, të cilat do të shkaktonin trazira në të ardhmen e afërt. Pasurimi nëpërmjet kontrabandës në kohë disekuilibresh është një gjë që ndodh kudo në rajone krizash.
Rasti i veriut të Kosovës është një i tillë. Në kufirin Kosovë-Serbi kalojnë në mënyrë të paligjshme një përqindje shumë e lartë e mallrave, duke i shkaktuar shteti një evazion fiskal prej miliona eurosh.
Kosova ka leverdi që procesi integrues i Serbisë të kushtëzohet, por jo të pengohet. Një Serbi e integruar do të ishte më e zbutur.
Autoritetet kosovare nuk kanë përse shqetësohen aq shumë për faktin se Serbia po integrohet, por për faktin tjetër, se Kosova s'po integrohet me ritmin e duhur.
Konfliktimi me faktorët ndërkombëtarë, qoftë edhe për çështje jo shumë kapitale, do të ishte një shenjë më tepër vonese në procesin e integrimit të Kosovës në Evropë.