E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet gjermane dhe Shqipëria

Zgjedhjet parlamentare në Gjermani kanë një traditë më se 100-vjeçare. Nuk është e tepërt të thuhet se për këtë vend zgjedhjet janë një proces normal, me standarde të larta dhe një model i funksionimit të sistemit partiak, sistemit zgjedhor dhe sistemit politik.


Modele të tilla, ashtu si edhe modelet amerikane, franceze apo britanike të zgjedhjeve, përbëjnë formën më të arrirë të zgjedhjeve, por edhe raste për analizë, mësim e reflektim për vende si Shqipëria, e cila dëshiron të jetë krah Gjermanisë e Francës në Bashkimin Europian.


Parë në këtë këndvështrim, përmes një analize të shpejtë profesionale, dëshiroj të vë në dukje dallime apo ngjashmëri midis modelit gjerman të zgjedhjeve aktuale (27 shtator 2009) dhe zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri (28 qershor 2009).


Janë dy zgjedhje parlamentare, dy zgjedhje të zakonshme, dy raste të konfirmimit të fitores nga partia kryesore në qeveri, dhe dy raste të aplikimit të zgjedhjeve në vende që janë anëtare të NATO-s, pra që pranojnë e premtojnë standarde të njëjta demokracie. Megjithatë, midis dy zgjedhjeve ka dallime të mëdha.


Së pari, sistemi zgjedhor. Shqipëria ka aplikuar modelin gjerman të sistemit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992, 1996, 1997, 2001 dhe 2005. Më 2009-ën hoqi dorë prej tij, duke preferuar modelin e sistemit proporcional rajonal. Sistemi shqiptar është sistem me një votë, ai gjerman mbetet besnik i sistemit më dy vota. Aplikimi i këtij sistemi ishte fatlum për CDU-në e kancelares Merkel.


Media gjermane raportoi se bazuar në statistikat e sondazheve para e paszgjedhore, rreth 1.2 milionë zgjedhës të CDU-së votën e parë ia dhanë kandidatit zyrtar të partisë, kurse votën e dytë një partie tjetër politike, FDP (Partia Liberale).


Kjo, pasi për CDU-në, synimi kryesor zgjedhor ishte ruajtja e vendit të parë në zgjedhje dhe bashkëqeverisja më pas me liberalët, duke hequr dorë nga koalicioni i madh me socialdemokratët. Pra, gjermanët aplikuan atë që në Shqipëri e kemi quajtur "skemë taktike", dhe rezultati është pozitiv për autorët e saj, por edhe i pranuar nga të gjitha partitë konkurruese në zgjedhje.


Së dyti, fushata elektorale ishte një leksion demokracie për shkak të debateve politike profesionale, nivelit të lartë politik, respektit të ndërsjellë dhe rolit të kandidatëve kryesorë. Dy rivalët kryesorë, Merkel e Steinmeier, ishin njëherësh kancelar dhe zëvendëskancelar.


Ata nuk atakuan asnjëherë njëri-tjetrin personalisht, debatuan rreth vizionit të tyre politik për të ardhmen, pati disa debate televizive midis tyre dhe të dy përfaqësuan vendin e vet denjësisht edhe një javë përpara zgjedhjeve në OKB dhe Samitin G20.


Tek ne në Shqipëri, nuk pati debat midis dy kandidatëve, retorika ishte verbale e personale, plot akuza e fyerje, rivaliteti i ashpër la në hije dallimet programore dhe palët shfrytëzuan çdo takim kombëtar e ndërkombëtar për të sulmuar palën tjetër.
Së treti, CDU-ja pati moto të fushatës premtimin se ka nevojë për një qeveri të koalicionit me liberalët, si shans i vetëm për reforma.


FDP-ja ishte në opozitë me CDU-në gjatë 4 viteve, por kjo nuk ndikoi që retorika e tyre politike gjatë fushatës të ishte e përafërt. Zgjedhësi gjerman ishte i mirinformuar se, nëse voton CDU-në e FDP-në, atëherë do të ketë koalicion midis tyre, nëse jo, atëherë do të vijohej me koalicion të madh, midis demokristianëve dhe socialdemokratëve, ndaj, 1.2 milionë votues të CDU-së e dhanë votën e tyre të dytë për FDP-në.


Në Shqipëri, PD-ja dhe PS-ja në asnjë rast nuk pranuan se do të bëjnë koalicion paselektoral me grupet natyrale, Polin e Lirisë apo LSI-në.


Dy palët luftuan çdo parti e grupim tjetër, personalizuan fushatën, ndërkohë që pas zgjedhjeve, të dyja palët "shkelën" zonën e minuar politike, duke kërkuar aleatë, fituesit e djathtë nga e majta dhe vetë e majta, tek të djathtët jashtë qeverisë.

Së katërti, CDU-ja fitoi me rreth 34%, por statistikisht ajo arriti rezultatin më negativ që prej 60 vitesh.


Aleati kryesor i saj, CSU në Bavari, fitoi 41%, edhe ky ishte rezultati më negativ i saj prej 50 vitesh. Kjo është arsyeja që drejtuesit e CDU-së e konsideruan fitoren një mesazh për ndryshim dhe rishikim të shumë prej qëndrimeve dhe temave tradicionale të programit të saj, kurse drejtuesi i CSU-së, edhe pse rifitoi mandatin qeverisës u tha mbështetësve dhe medias se ndjehej shumë i zhgënjyer nga rezultati zgjedhor.


Madje, ai kritikoi edhe kancelaren fituese, Merkel, strategjinë e saj elektorale, si përgjegjëse për mosmobilizimin sa duhet të shumë anëtarëve besnikë të partisë. Kurse tek ne, ku partia fituese, PD-ja, praktikisht në disa qarqe arriti rezultat shumë më të vogël sesa më 2005-ën e 2007-ën, nuk pati asnjë analizë, asnjë zë kritik apo vetëkritik, përkundrazi, thirrje e lëvdata triumfuese.


Së pesti, partia socialdemokrate, SPD-ja, me 23%, mori rezultatin më negativ që prej vitit 1949. SPD-ja nuk konkurroi me kryetarin e partisë, por me figurën më të rëndësishme në qeveri, ministrin e Jashtëm Steinmeier.


Ajo ishte përgatitur për humbje, por jo kaq të thellë. Megjithatë, tri ditë përpara ditës së votimit, kryesia e partisë pati vendosur se pas humbjes, kandidati për kancelar, Steinmeier, të zgjidhej në krye të grupit të ri parlamentar të partisë. Kandidati rival, Steinmeier, i telefonoi menjëherë kancelares Merkel dhe e uroi për fitoren.


Ndërkohë, kryesia e partisë pranoi përgjegjësinë dhe shpalli nisjen e një procesi rigjenerimi në parti, për ta bërë partinë "më sociale". Tek ne jo vetëm që nuk pati urime midis konkurrentëve, nuk pati debat televiziv, nuk pati pranim rezultati, nuk pati urime kortezie, por edhe opozita, nuk pati një skemë rezervë postzgjedhore në rast humbjeje.


Së gjashti, kandidati fitues, Merkel, menjëherë pas fitores iu rikthye punës, duke thënë se detyra e parë do të ishte krijimi i qeverisë dhe hartimi i programit të përbashkët me liberalët. Këta të fundit publikuan menjëherë pikat e programit preferencial dhe çështjet e panegociueshme, duke premtuar se pavarësisht suksesit, do të jenë me këmbë në tokë.


Tek ne, tradicionalisht, fituesit nuk i fliten ditët, javët as muajt e parë, sepse ai ose ata sillen jo si të mandatuar për të shërbyer, por si shpëtimtarë, heronj dhe produkte të historisë. Bisedimet për koalicione dhe programi qeverisës bëhen në mënyrë të fshehtë, kryesisht me emra individësh e numër postesh, jo me ide, program e angazhime të përbashkëta.


Së shtati, zgjedhjet gjermane prodhuan një sistem partiak me 4-5 parti, nga sistemi i mëparshëm me 2-3 parti.


Liberalët arritën rekord historik me 15%, por mbi 10% fituan edhe ish-komunistët dhe të gjelbrit. Pra, janë pesë parti me dallime thelbësore midis tyre, me identitet të qartë dhe të ndryshëm, me të shkruar dhe synime të ndryshme për të ardhmen.


Kurse tek ne, ndryshimet kushtetuese sollën largimin e partive të vogla politike, ruajtjen e sistemit dypartiak, me një parti të tretë negociuese.


Megjithatë, midis 3-4 partive tona parlamentare është e pamundur të gjenden ndryshime thelbësore programore, identitete të qarta apo synime për profile të ndryshme në të ardhmen. Secila tenton të jetë njëherësh e majtë dhe e djathtë, duke tentuar të përfitojë sa më shumë nga votuesit, në kurim të identitetit të tyre politik.


Së teti, zgjedhjet mbaruan, palët pranuan rezultatin dhe askush nuk pati pretendime për shkelje apo manipulime zgjedhore. Natyrisht që kjo është normale për Gjermaninë, por nëse kemi parasysh se brenda saj është edhe pjesa lindore ish-komuniste, mund të na lejohet të bëjmë një krahasim edhe me zgjedhjet tona.


Tek ne asnjë proces zgjedhor pas 1992-shit nuk është pranuar dhe nuk pranohet, askush nuk ka besim tek ndershmëria e votave dhe tema kryesore e debatit para dhe pas hyrjes në NATO mbetet kërkesa për rihapjen ose mosrihapjen e kutive të votimit.


Së nënti, një nga skandalet më të mëdha politike gjatë fushatës elektorale ishte publikimi i faktit se ministrja e Shëndetësisë e SDP, udhëtoi për pushime në Spanjë me makinën e saj zyrtare.


Skandali i kushtoi shumë SPD-së dhe karrierës së ministres, ndërkohë që bëhej fjalë për përfitim nga shteti të 550 eurove (shpenzimi për karburant Gjermani - Spanjë dhe rikthimi).


Të gjithë, përfshirë edhe kolegët e saj ministra, e kritikuan dhe natyrisht, e ardhmja e saj politike u vu në pikëpyetje. Kurse tek ne, i gjithë shteti ishte në fushatë, të gjithë demokratë e socialistë, përdorën çdo burim të mundshëm shtetëror për të bërë fushatë dhe për të fituar vota. Raporti i ODIHR-it sjell me dhjetëra fakte për këtë, një dallim thelbësor midis standardeve të demokracisë.


Së dhjeti, administrimi gjerman i zgjedhjeve dallon shumë nga administrimi shqiptar. Në Shqipëri sistemi i administrimit është partiak, partitë kryesore zgjedhin KQZ-në, KZZ-të dhe koalicionet e votimit dhe të numërimit.


Në Gjermani, asnjë nga 120 mijë të angazhuar në këtë proces, nuk është person partiak. Për pasojë, askush nuk merr urdhra partiakë, por secili lexon e zbaton ligjin.


Tek ne dihet, debatet në KQZ ngjanin me debatet politike parlamentare midis dy partive kryesore, komisionet më poshtë u mbushën me militantë dhe partitë kontrolluan dhe diktuan tërësisht procesin. Rezultati dihet.


Së fundi, lajmi kryesor i mediave gjermane është rënia e numrit të votuesve. Në fakt, në zgjedhje morën pjesë më shumë se 70%, rreth 20% më shumë se në zgjedhjet shqiptare.


Në Gjermani votojnë të gjithë shtetasit gjermanë, kudo që ata ndodhen, e drejta e votës është e pacenueshme dhe pjesëmarrja e tillë është sa tregues kulture e përgjegjësie politike aq edhe tregues i nivelit të besimit të qytetarëve tek politika dhe produkti i saj.


Mjaftojnë këto dallime kryesore, por që kanë pas tyre dhjetëra elementë minorë për të parë distancën e madhe midis sistemit politik, sistemit zgjedhor dhe demokracisë gjermane dhe shqiptare, megjithëse të dy vendet janë vende europiane, anëtare në NATO dhe me shpresë, me votën gjermane, në vitet e ardhshme edhe anëtarë të Bashkimit Europianë.


Ne mund të vazhdojmë të themi se jemi ndryshe, nuk kemi traditë, jemi ende demokraci e brishtë, kemi mungesa në infrastrukturë etj., por në thelb, gjithçka shërben si alibi për ata që janë përgjegjës për zgjedhjet dhe vendimmarrjen politike.


Nga njëra anë ne i mbajmë leksione botës për krizën ekonomike dhe nivelin e demokracisë, nga ana tjetër pranojmë për veten tonë aplikimin e një modeli qeverisës, ekonomik dhe zgjedhor, shumë më të ndryshëm sesa sistemi i familjes europiane perëndimore, së cilës duam t'i përkasim.


Kur bëhen krahasime të tilla, për qytetarin e ndërgjegjshëm bëhet edhe më e lehtë për të kuptuar se pavarësisht arritjeve të tranzicionit, pavarësisht ndryshimeve pozitive në vite, ne jetojmë akoma në një shoqëri parademokratike.


Kjo është një shoqëri iluzioni dhe imazhi, në të cilën ne bëjmë sikur jetojmë në demokraci, sikur kemi parti politike, sikur respektojmë verdiktin qytetar, sikur hartojmë programe elektorale, sikur i mbajmë premtimet elektorale, sikur vishemi, flasim, komunikojmë e sillemi si europianë, sikur bëjmë zgjedhje, sikur votojmë dhe sikur numërojmë vota.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›