E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjale të rrezikshme

Pasi e ka bërë xhiron nëpër disa portale, protesta e nënvleftësuar e gjimnazistëve të shkollës "Çajupi", mund të kthehet tani në ndërgjegjen e gjithsecilit prej nesh. Dhe pikërisht në këtë çast, lind pyetja: Çfarë po bëjmë? Çfarë po bëjmë pothuaj dy dekada pasi kemi gjetur me aq mundim rrugën për demokraci?



Le të përpiqemi të shtjellojmë disa argumente, që i ndihin temës. Në prag të 28 qershorit, kemi kërkuar të bëhet kujdes dhe të mos përdoren politikisht mësuesit dhe nxënësit; këta të fundit merreshin me dhunë nëpër mitingje, sidomos atje ku shkonte Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.


Paralajmërimet e disa mediave dhe zërave intelektualë, nuk u përfillën. Ndonjë pushtetar mediokër është përpjekur madje, ta komentojë si diçka të natyrshme praninë e nxënësve në përurime e mitingje, ku flitej gjer edhe për tredhjen e kundërshtarëve politikë.


Dhe ja tek vijmë tani, në një protestë të shuar "për arsye shtetërore". Me fjalë të tjera, nxënësit nuk duhet ta ngrenë më zërin për gjëra që nuk shkojnë, si në rastin e tekstit të historisë, ku flitet kodra pas bregut për demokracinë dhe Shqipërinë.


Por tashmë është pranuar nga qytetarë dhe ekspertë: ky tekst është i papërshtatshëm, i politizuar; aty ngjarjet përshkruhen ashtu si thotë partia, madje historianët e partisë edhe aktualitetit i janë përgjigjur flakë për flakë, deri te flakët e Gërdecit(!)


Viktor Hygo thoshte: "Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve." Pra, këtë mund ta themi edhe për vizatimin e çdo skene e ngjarjeje nga historia jonë e re.


Pak rëndësi ka nëse drejtësia ende nuk është shprehur (për atë ngjarjen "aksidentale", bie fjala). Partia kërkon që t'i dalim përpara së keqes, të mohojmë ç'mund të mohohet, t'u hedhim hi syve të njerëzve, t'ua shpëlajmë trutë. Dhe për të realizuar këtë, e menderosim historinë, bëjmë pak a shumë si ata që deri më sot i kemi përqeshur.


Mirëpo tani jetojmë në një kohë tjetër. Dhe gjithkush, me të drejtë mund të pyesë: Si kështu? Unë jam duke e përjetuar këtë ngjarje, kam ndjesi krejt të tjera. Përse qenkam i detyruar të "përtyp" variantin tënd, zotëri, shok, komunist, Enver, Stalin, ç'dreqin je...?


Shumëkush mund të thotë se në rastin e gjimnazistëve të shkollës "Çajupi", mund të ketë edhe frymëzime politike dhe ndërhyrje nga njerëz të caktuar të opozitës. Kjo asesi nuk duhet parë si ndonjë mëkat.


Por, këtu po flasim për cenimin e lirisë së nxënësve, të rinjve; përtej çdo përpunimi politik. Madje, ky cenim ofrohet dy herë. Së pari, duke deformuar ngjarjet historike dhe duke u diktuar atyre variantin demagogjik; së dyti, kjo është edhe më e rëndësishme, duke u mohuar të drejtën për të diskutuar dhe për të protestuar në lidhje me këto mësime të diktuara. Është një realitet, që për fat të keq, vjen edhe nga fusha të tjera. Përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, nëpunësve të shkretë iu kërkua deri edhe "filmimi i votës".


Në lajmet e "Televizionit Publik Shqiptar", që paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptarë, por që i shërben në mënyrë fanatike dhe qesharake pushtetit, ka herë pas here deformime të realitetit. (Bie fjala, në edicionet e datës 6 shtator 2009, na ka bërë përshtypje keqinterpretimi i të dhënave të INSTAT-it në lidhje me eksportet dhe importet, që edhe ashtu, nuk se janë tejet reale.)


Këto kohë, në disa media dhe rrethe politike, po bëhet nami në lidhje me atë që po ndodh brenda PS-së. Ka shqetësime "të mëdha" për mënyrën e zgjedhjes së kreut të opozitës. Po i qahet halli edhe bazës se po vuan "mungesën e demokracisë", po ngrihet zëri në kupë të qiellit se aksh nen i statutit thotë ashtu dhe kështu.


Lojë e shëmtuar. Krerët e partive shqiptare, që nga viti '91 janë po ata që ishin dhe, në njëfarë mënyre, kjo përbën jo thjesht mungesë demokracie, por turp. E megjithatë, në rastin e z. Rama, vajtonjësit janë duke çjerrë faqet "për hir të demokracisë"(!)


Por në të njëjtën kohë, nga të njëjtët megafonë, u thuhet gjimnazistëve dhe gjithë popullit: Sus aty! Historinë e bëj unë! Gërdeci ishte aksident. Ti ke për detyrë ta mësosh këtë. Ul kokën! Mbyll gojën!


Nuk po rendisim argumente të tjerë, që gjithashtu mund të flasin shumë për sjelljet e pushtetit aktual.


Por, le të kujtojmë tani se njësia studimore e revistës britanike "The Economist", në indeksin e demokracisë për vitin 2008, Shqipërinë e përfshinte në grupin e vendeve me "regjim hibrid". Ai raport i ndante shtetet në katër grupime.


Në grupimin e parë gjendeshin "demokracitë e plota" apo siç cilësohen "demokracitë thuajse perfekte", ku kryesonte Suedia, e ndjekur nga pesë vende të tjera skandinave dhe të Evropës Veriore.


Grupimi i dytë ishin "demokracitë e paplota ose joperfekte", ku përfshiheshin edhe fqinjët tanë: Maqedonia, Mali i Zi, madje edhe Serbia. Shqipëria gjendej në listën e shteteve me "regjim hibrid", që përbënte grupimin e tretë dhe ku ishin Turqia, Bosnja, Iraku, Rusia, por edhe vende të tilla si Zambia, Madagaskari, Uganda, Burundi, Ekuadori, Venezuela etj..


Njerëzve të pushtetit dhe të partisë u vjen shumë thartë, kur publikohen raporte të tilla. Por nga ana tjetër, sapo e ngre dikush zërin për një padrejtësi që bën mu(!) i tregojnë sakaq vendin.


Është pak a shumë si në atë skenën, kur heroi i njohur meksikan Zapata (luajtur nga Marlon Brando) fillon e vë në rreth emrat e kryengritësve...S'na mbetet veçse t'i themi shtetit (që s'i pëlqen termi "demokraci hibride") të bëjë kujdes me "kryengritësit", qofshin këta edhe gjimnazistë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›