E Shtunë, 31 Tetor 2026

Departamenti i shtetit publikon foton e takimit Obama-Berisha



Një miqësi mes dy liderëve dhe dy zonjave të para, tashmë e fiksuar edhe në celuloid. Departamenti i shtetit publikoi dje foton zyrtare që pasqyron evenimentin e rëndësishëm të takimit mes Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Pas caste më pas edhe faqja zyrtare e Kryeministrisë publikoi foton e takimit të datës 24 shtator 2009. Dy liderët shoqërohen nga bashkëshortet e tyre, znj. Obama dhe znj. Berisha, të cilat ishin të pranishme në pritjen e dhënë nga Presidenti i SHBA-së në Metropolitan Museum në Nju Jork, gjatë sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë pritjes ceremoniale, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Obama për një vizitë në Tiranë, duke e siguruar se këtu ai do të gjejë kombin më miqësor dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan. Ndjenjave miqësore të shqiptarëve ndaj kombit amerikan Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, u është përgjigjur me një konsideratë të veçantë: “Kam punuar me shqiptarët dhe ata më kanë lënë mbresat më të mira”. Nga ana e tij, Presidenti Obama pohoi se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri. Presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht Kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Çikago, ku ai kishte punuar, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me shqiptarë dhe kishte për ta mbresat më të mira. Në takim ishte dhe Zonja e Parë e SHBA-së, Michelle Obama, e cila duke shprehur kënaqësinë për këtë ftesë, theksoi se do të nxisë bashkëshortin e saj të realizojë këtë vizitë në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›