E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatura për qeveritar

Mark Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera


Disa muaj më parë u caktova kandidat për qeveritar i shtetit të madh të Nju Jorkut, në një listë të pavarur, duke pasur si kundërshtarë z. Xhon T. Smith dhe z. Blank J. Blank. Unë e ndjeja veten në një gjendje pak më të mirë nga këta zotërinj, për shkak të karakterit tim.


Duke kënduar gazetat, ishte e lehtë të kuptoje se koha kur ata kishin pasur një emër të mirë kishte kaluar. Dukej qartë se gjatë vjetëve të fundit, ata ishin marrë me çdolloj kundërvajtjeje të turpshme.


Po në kohën që unë mbahesha më të madh për cilësitë e mia dhe ndjeja një gëzim të fshehtë, një rrymë e turbullt shqetësimi më ngacmoi në thellësi të zemrës, dhe kjo ishte - propaganda që bëhej, sikur unë, gjoja, kisha lidhje familjare me këta njerëz. Kjo gjë më shqetësoi shumë. Më në fund i shkrova një letër gjyshes. Përgjigja e saj më erdhi shpejt dhe ishte e qartë. Ajo shkruante:


"Ti nuk ke bërë në jetën tënde asnjë gjë të vogël nga e cila të turpërohesh, - asnjë. Shiko gazetat, këndoji ato, dhe shih se çfarë njerëzish janë zotërinjtë Smith dhe Blank e pastaj mendohu nëse të pëlqen ta ulësh veten gjer në nivelin e tyre dhe të hahesh me ta botërisht".


Këtë mendim kisha dhe unë! Atë natë nuk mbylla sy fare. Po tani nuk mund të prapsesha. Kisha dhënë fjalën, prandaj duhet të vazhdoja luftën. Kur po u hidhja një sy të shpejtë gazetave, sot në mëngjes, lexova këtë paragraf dhe mund t'ju them me gjithë mend se s'kam ndjerë ndonjëherë një shqetësim të tillë:


"Shpërbetim. Ndofta tani që z. Mark Tuein, ka dalë përpara popullit si kandidat për qeveritar, do të kandiset të na shpjegojë se si u dënua për be të rreme kur iu provua nga tridhjetë e katër dëshmitarë në Uakuak, në Koshin të Indokinës, më 1863; qëllimi i këtij shpërbetimi ishte për t'i vjedhur një të veje vendase dhe familjes së saj të pambrojtur një copë arë me banane, me të cilën mbante fryme kjo familje e mjeruar e pa burrë. Z. Mark Tuein e ka për detyrë, si për veten e tij, ashtu edhe për popullin, të cilit i kërkon votat, që ta sqarojë këtë çështje. A do ta sqarojë vallë?"


M'u duk se do të çmendesha nga habia. Një shpifje e tillë kaq mizore! Unë nuk e kisha parë kurrë Koshin e Indokinës! Uakuakun as që e kisha dëgjuar kurrë! Unë as që dija gjë për ndonjë arë bananesh a për ndonjë dëshmi të gënjeshtërt!


Nuk dija ç'të bëja. Më vinte të sikur do të çmendesha. Ajo ditë kaloi pa bërë asgjë. Të nesërmen në mëngjes, po ajo gazetë, kishte vetëm këtë shënim:
"Vini re! Z. Tuein, siç duket e ka mbyllur gojën për çështjen e gjyqit në Koshin të Indokinës".


(Deri në fund të fushatës, kjo gazetë nuk më përmendi kurrë me ndonjë emër tjetër, po vetëm famëkeqi, shpërbetues Tuein.)
Të nesërmen, "Gazeta" botonte këtë lajm:


"Duam të dimë nëse do të bëjë kabull vallë kandidati i ri për qeveritar t'u japë shpjegime miqve të tij qytetarë (të cilët mendojnë ende t'i japin votën!) për ngjarjen e papëlqyer me shokët e dhomës së tij në Montana, të cilëve u vidheshin kohë pas kohe sendet e vlefshme, deri sa më në fund këto sende u gjetën në xhepat e Tueinit ose ne valixhen e tij dhe shokët u detyruan t'i jepnin një këshillë miqësore për të mirën e tij, duke e kopanisur e duke ia zbutur kurrizin, e më në fund e hipën në një tren dhe e porositën që ta lërë bosh përgjithmonë atë vend që zinte zakonisht në shtëpinë e pushimit. A do të sqarojë vallë?"


A mund të kishte gjë më djallëzore se kjo? Unë s'kisha qenë kurrë në jetën time në Montana.
(Pas kësaj kohe, gazeta, zakonisht më përmendte mua si Tuein, kusari i Montanës.)

Paskëtaj i hapja gazetat me frikë, - si një që ka frikë të mbulohet me batanije, sepse i duket sikur do të heqë shpirt nën të. Një ditë tjetër më ra në sy ky lajm:

"Gënjeshtra në diell. Në bazë të dëshmisë me be që ka bërë i nderuari Mishel O'Flenegan dhe z. Snab Referti dhe z. Kati Maligan, banorë të Uotwr Stritit, u sqarua se thënia e poshtër e z. Mark Tuein, se gjoja gjyshi i dashur i flamurtarit tonë fisnik, Blank J. Blank, ishte varur për vjedhje nëpër rrugë, është një gënjeshtër mizore, pa pikën e së vërtetës.


Kjo i zemëron pa masë njerëzit e ndershëm kur shikojnë se ç'mënyra të turpshme përdoren për qëllime politike, duke sulmuar edhe të vdekurit në varret e tyre dhe duke përlyer me shpifje emrin e tyre të ndershëm.


Kur kujtojmë se ç'dhembje shpirtërore do t'u shkaktojnë këto shpifje të poshtra të afërmve të pafajshëm dhe miqve të të ndjerit, na vjen të nxisim popullin e zemëruar dhe të fyer për një shpagim të rreptë e të paligjshëm kundër shpifësit.


Por nuk do ta bëjmë këtë! Do ta lemë ta brejë ndërgjegjja e tij (megjithëse populli nuk do ta frenojë dot zemërimin dhe në inat e sipër do t'i japë shpifësit ndonjë ndëshkim trupor, dihet fare mirë se asnjë gjykatë nuk do t'i dënojë autorët e një vepre të tillë)".

Kjo fjalia e mprehtë, që i vë kapak, më ka bërë atë natë të hidhem nga krevati dhe të sulem gjer tek dera e dhomës, ndërsa "turma e zemëruar dhe e fyer", vërshonte në shtëpi, thyente mobiliet e dritaret duke hyrë dhe, pasi nxirrnin inatin, me të drejtë, rrëmbenin çdo gjë që mundnin duke dalë.


Ndërsa unë, mund të vë dorën mbi ungjill dhe të betohem se nuk kam bërë asnjë shpifje kundër gjyshit të z. Blank. Bile unë as që e kisha dëgjuar ndonjë herë gjyshin e tij dhe as që e kisha zënë ndonjë herë në gojë deri në atë çast.


(Dua të theksoj, kalimthi, se paskëtaj, gazeta e lartpërmendur më quante Tuein shpifaraku.)

Artikulli tjetër në gazetë që më tërhoqi vëmendjen, ishte ky:
"Një kandidat i shkëlqyer. Z. Mark Tuein, i cili do të mbante një fjalim asgjësonjës mbrëmë, në mbledhjen e përgjithshme të Indipendentëve, nuk arriti dot në kohën e duhur!


Një telegram i dërguar nga mjeku i tij, njoftonte se ai u rrah paq nga disa njerëz të panjohur, të cilët i thyen këmbën në dy vende; tani, i rrahuri ndodhet në dyshek me dhembje të mëdha, e të tjera, e të tjera pallavra si këto. Indipendentët u përpoqën shumë ta tërhiqnin këtë dredhi të dështuar, duke thënë se nuk e dinë shkakun e vërtetë të mungesës së asaj krijese të arratisur, të cilën ata e kanë caktuar si flamurtar të tyre. Mirëpo mbrëmë, është parë një i dehur tapë duke u qorollisu, në hotelin ku banon Mark Tueni.


Është detyra e Indipendentëve të provojnë se ai pijanik i thekur nuk ishte vetë Mark Tueni. Tani i kemi në dorë! Këtij rasti s'kanë si i shpëtojnë. Zëri i popullit buçet si gjëmimi, duke thirrur: cili ishte ai njeri?"

Ishte e pabesueshme, krejtësisht e pabesueshme që të lidhej emri im me këtë ngjarje të turpshme. Unë kisha tre vjet që nuk e kisha vënë në gojë as birrën, as verën, as likerërat e çdo lloji.


(Është e tepërt të them se ç'përshtypje më bëri kur pashë të nesërmen se ajo gazetë, pa pikën e turpit, më quante z. Tuein Hutaqi, - duke e ditur se do ta përdorte këtë emër me besnikëri deri në fund).

Qysh prej kësaj kohe, një pjesë të madhe të postës sime e zinin letrat anonime. Kjo lloj përmbajtjeje ishte e zakonshme.
"Si u bë çështja e asaj plakës që i re me shkelm afër shtëpisë sate kur po të lutej?" Pol. Pry.
ose:


"Shumë gjëra nga ato që ke bërë ti, i di vetëm unë. Më mirë tregojua vetë shokëve të tu, përndryshe do t'i nxjerr unë me anë të gazetës.


Hendi Endi
E tillë ishte përmbajtja e letrave. Mund të vazhdoj, po të jetë nevoja, deri sa të vel lexuesin.


Pas pak kohësh, gazeta kryesore e republikanëve më padiste për ryshfete të mëdha, kurse gazeta kryesore e demokratëve më nxirrte sikur kisha dërguar letra kërcënimi. (Në këtë mënyrë fitova edhe dy emra të tjerë: Tuein Ryshfetçiu i ndyrë dhe Tuein Dallaveraxhiu i fëlliqur).


Në këtë kohë u bë një potere kaq e madhe për t'u dhënë përgjigje këtyre shpifjeve të shfrenuara që ishin bërë kundër meje, sa gazetarët dhe udhëheqësit e partisë sime më thanë se, po të qëndroja akoma i heshtur, e kisha të humbur davanë.


Të nesërmen, një gazetë, sikur deshi ta bënte më të nevojshme dhënien e përgjigjes, shkruante: "Shikoni atë njeri! Kandidati i Indipendentëve qëndron ende i heshtur, sepse nuk guxon të flasë.


Çdo padi kundër tij është provuar plotësisht dhe është pranuar e firmosur nga vetë ai, me heshtjen që mban, e cila flet qartë. Shikojeni, o zotërinj independentë, kandidatin tuaj!


Shikojeni shpërbetuesin famëkeq; kusarin e Montanës, shpifësin tuaj! Këqyreni Hutaqin tuaj, Ryshfetçiun e ndyrë, Dallaveraxhiun e fëlliqur! Soditeni atë dhe mendohuni mirë, pastaj thoni nëse mund t'ia jepni votat tuaja të ndershme një njeriu që ka fituar një listë të zezë titujsh për shkak të krimeve të llahtarshme që ka bërë dhe tani nuk guxon të hapë gojën për të mohuar asgjë nga ato që ka bërë!"

Nuk kishte asnjë mënyrë për t'iu shmangur përgjigjes, prandaj, me një ndjenjë turpi, u ula për të përgatitur përgjigjen kundër gjithë atyre padive të pathemelta dhe shpifjeve të poshtra.


Por nuk e mbarova dot detyrën, sepse të nesërmen në mëngjes, një gazetë botonte një tjetër gënjeshtër të tmerrshme, duke më paditur sikur kisha djegur çmendinën bashkë me të sëmurët, për shkak se pengonte pamjen e shtëpisë sime. Kjo më kalli datën.

Pastaj erdhi padia tjetër, sikur kisha helmuar xhaxhanë për t'i marrë pasurinë dhe kërkohej të hapej varri. Kjo gati më çmendi. Dhe përmbi këtë më ngarkuan një padi tjetër, sikur kisha mbledhur gjithë pleqtë e farefisit tim në kuzhinën e spitalit të fëmijëve kur isha kujdestar i tij. M'u drodh zemra.

Dhe më në fund, si për t'u vënë kapak të gjithave atyre që kishin shpifur për mua ata smirëzinj, dërguan nëntë fëmijë të rreckosur të të gjitha markave dhe ngjyrave, të cilët u derdhën në tribunë gjatë një mitingu, duke më pushtuar pas çapokëve e duke më thirrur baba!

Këtu ngrita duart. Hoqa shenjat dhe u dorëzova. Nuk isha aq i fortë sa t'u qëndroja kërkesave të fushatës së zgjedhjeve për qeveritar i shtetit të Nju Jorkut, prandaj e tërhoqa kandidaturën time, dhe, me zemër të copëtuar, e nënshkrova:
I juaji me besë
Dikur njeri i ndershëm, kurse tani Mark Tuein SH. K. H. R. dhe D.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›