Luan Hoxha, 206 telefonata me Delijorgjin
Ish- shefi i Shtabit të Ushtrisë, vetëm ditën e ngjarjes ka folur 4 herë me pronarin e "Alba Demil"
Me ish- ministrin më shumë biseda janë kryer ditën e tragjedisë
TIRANE- Ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Luan Hoxha, nga tabulatet telefonike të administruara nga Prokuroria në interes të hetimit të tragjedisë së Gërdecit, rezulton të ketë folur më tepër se 206 herë me pronarin e "Albademil" Mihal Delijorgji.
Kjo nëpërmjet numrit të tij të telefonit që ai mbante dhe që njihet nga hetuesit. Kaq herë së paku me këtë numër Hoxha, nuk rezulton të ketë biseduar me ish- ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, në një periudhë të barabartë kohore.
Sipas tabulateve telefonike të administruara nga organet hetimore, Luan Hoxha, për gjatë kohës që zhvillohej procesi i demontimit në Gërdec, gjatë periudhës 2007- 2008, ka folur jo pak por 206 herë. Sipas të njëjtit burim, tabulatit të administruar nga Prokuroria vetëm ditën e ngjarjes, ish- numri një i Ushtrisë ka folur së paku katër herë me Delijorgjin.
Telefonata e parë është kryer në orën 12:16 minuta vetëm pak kohë pasi në Gërdec kishte shpërthyer fabrika e demontimit të municioneve, në të cilën ishin depozituar rreth 400 tonë barut në pritje të evadimit të saj për në Hollandë ku pritej të shitej.
Në të kundërt të bisedës me pronarin e fabrikës Mihal Delijorgjin, ish- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Luan Hoxha, rezulton të ketë biseduar vetëm 10 minuta më vonë me shefin e tij Fatmir Mediu, i cili gjithashtu nga ana e tij, ka pasur biseda me Delijorgjin atë ditë.
Sipas kronologjisë së tabulateve, katër telefonatat me Delijorgjin janë kryer përkatësisht në orën 12:16 minuta, dhe e fundit i përket ditës së diel, datë 16 mars në orën 11:56, ndërsa po atë ditë, pronari i "Albademil", u arrestua nga policia me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme.
Po kështu tabulatet tregojnë se veç telefonatave të ndryshme të tij, Hoxha atë ditë ka folur edhe me Drejtorin e Ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari.
Sipas rrjedhës së tabulateve, telefonata e parë me Mediun është kryer rreth 10 minuta pas telefonatës që Hoxha ka pasur me Delijorgjin, në orën 12:26, telefonata e dytë me Mediun është kryer në orën 12:32, më pas sërish pas 10 minutash e një tjetër në orën 17:20.
Kjo ditë duket se ka qenë dita me dendësinë më të madhe të bisedave mes dy krerëve të lartë të Ushtrisë mes tyre, ndërsa thuajse e kundërta ka ndodhur me një drejtues të një kompanie private si në rastin e Mihal Delijorgjit.
Kjo periudhë e bisedave të tyre sipas hetuesve përkon edhe me kohën që në Gërdec, po kryhej demontimi dhe kontratat mes MEICO-s dhe SAC, po realizoheshin për demontimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm.