Kandidimi për deputetë, pedagogët braktisin mësimin për fushatëNga Bledar LumaniNë listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit bie në sy që një pjesë e tyre i përkasin fushës së arsimit, pedagogë dhe profesorë. Këta të fundit, me fi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kandidimi për deputetë, pedagogët braktisin mësimin për fushatëNga Bledar LumaniNë listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit bie në sy që një pjesë e tyre i përkasin fushës së arsimit, pedagogë dhe profesorë. Këta të fundit, me fillimin e fushatës elektorale janë përfshirë ethshëm në të, duke lënë kështu mënjanë detyrimet që kanë nëpër fakultetet ku japin mësim apo dhe i drejtojnë. Zyra e tyre, tashmë që prej datës një qershor, kur dhe u shpallën listat e kandidatëve për deputetë, nuk ndodhet më në fakultetet ku ata japin mësim apo dhe i drejtojnë ato, por në zonat në të cilat janë kandiduar. Studentët, të cilët nuk duan të identifikohen, për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e pedagogëve të tyre kandidatë për deputetë, shprehen se këta të fundit, që prej fillimit të fushatës elektorale, e kanë “harruar” portën e shkollës, duke mos ardhur më në të. Për pasojë, orët, të cilat studentët kanë pasur për të zhvilluar me pedagogët e përfshirë në fushatë, nuk janë bërë. Por kjo është më e pakta, pasi provimet për lëndët e këtyre të fundit, studentët mund t’i zhvillojnë në vjeshtë, pasi pedagogët e kandiduar, deri më datën 28 qershor, që në fakt është ndër ditët e fundit të sezonit të provimeve, janë të përfshirë në fushatë. Më të shqetësuar për këtë situatë shprehen studentët e viteve të fundit, të cilët nuk duan të lënë provime për në vjeshtë, pasi në këtë mënyrë do t’u shtyhej dhe tema e diplomës. Kjo gjë do të bënte që ata të rrezikojnë edhe regjistrimin për vazhdimin e dy-vjeçarit. Sakaq, studentët shprehen se janë të habitur me faktin që pedagogët e tyre të kandiduar për deputetë nuk kanë dhënë dorëheqjen nga puna e tyre aktuale, gjë që, sipas tyre, do të ishte më e ndershme nga këta të fundit, të cilët tashmë i kanë shkëputur plotësisht marrëdhëniet me shkollën dhe studentët. Kjo gjë do të bënte që në vend të tyre të shkonin pedagogë të tjerë dhe orët e mësimit të zhvilloheshin normalisht. Disa prej të kandiduarëve, të cilët bie në sy se më së shumti i përkasin Partisë Demokratike, janë drejtues të disa prej fakulteteve kryesore në vend.
Administrata në fushatë
Fillimi zyrtarisht i fushatës elektorale ka bërë që edhe punonjësit e administratës shtetërore të lënë detyrën e tyre dhe të përfshihen në këtë të fundit. Madje, këta të fundit, përveç përfshirjes së tyre, janë duke përdorur dhe infrastrukturën shtetërore në fushatë, siç janë mjetet motorike. Nëse do të shkosh nëpër zyrat e ministrive, do të gjesh shumë pak njerëz, të cilët më së shumti janë punonjës së thjeshtë. Ndërkohë, drejtorët e tyre prej ditësh kanë lënë zyrat dhe ndodhen në terren, duke bërë propagandë për qeverinë aktuale. Në lidhje me këtë situatë, ata që i vuajnë pasojat më të rënda janë qytetarët, të cilët nuk mund të trokasin më në dyert e administratës shtetërore për të zgjidhur problemet e tyre. Përfshirja e administratës shtetërore në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit është denoncuar dje edhe nga Konfederata e Sindikatave. Sipas kryetarit të Konfederatës, Kolë Nikolla, kjo ka bërë që nëpër zyra të mos gjesh as drejtorë dhe as specialistë. “Po vëmë re që drejtues dhe punonjës të ndryshëm të pushtetit vendor dhe qendror po përfshihen dhunshëm në fushatë. Në ministri të ndryshme të gjitha drejtoritë janë duke u marrë me fushatën dhe vënë në dispozicion të saj, jo vetëm punonjësit, por edhe mjetet motorike”, - u shpreh Nikolla. Kreu i Konfederatës thotë se kjo ka dhe një kosto të madhe për shtetin, pasi automjetet që përdoren në fushatë furnizohen me karburant nga institucionet. Sakaq, sipas Nikollës, sipas një studimi të kryer nga ana e Konfederatës së Sindikatave, një pjesë e madhe e punonjësve të administratës shtetërore përfshihen në fushatë kundër dëshirës së tyre. Kjo, duke qenë se ata kërcënohen me largim nga vendi i punës, nëse nuk do të përfshihen në fushatë. Sipas Konfederatës, këto veprime kryen në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Kodin e Punës. Për këtë arsye, Kolë Nikolla kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ndërhyjë për t’i dhënë fund kësaj situate. “Ne i bëjmë thirrje KQZ të ndërhyjë për të ndaluar këtë fenomen, ndërkohë që për këtë çështje do t’i dërgojmë një letër edhe ambasadorit Lohan”, - tha Nikolla. Përfshirja e administratës shtetërore në fushata elektorale prej vitesh është kthyer në një traditë tashmë në Shqipëri, pasi, nëse punonjësit e administratës nuk do të përfshiheshin në të, rrezikojnë seriozisht që të pushohen nga puna.
Përdorimi i fëmijëve
Gjatë kësaj fushate elektorale është vënë re dhe një përdorim i skajshëm i fëmijëve nga ana e qeverisë, e cila gjatë vizitave të kryeministrit Berisha në rrethe të ndryshme të vendit, i detyronte këta të fundit të linin mësimin dhe të shkonin në miting. Përfshirja e fëmijëve në fushatë solli edhe reagimin e ashpër të prindërve të vetë fëmijëve, por dhe të opozitës dhe të një sërë institucionesh të tjera, si Presidenca, Avokati i Popullit, Parlamenti Rinor etj. Ndërkohë, reagimi qesharak i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, për këtë fakt, ishte se, duke u përfshirë në fushatë dhe duke marrë pjesë në mitingje, mendja e fëmijëve bëhet më e kthjellët dhe shkathtësohet. Fëmijët detyroheshin nga ana e mësuesve të tyre që të merrnin pjesë në mitingjet e organizuara nga ana e pozitës së sotme, në të kundërt do të penalizoheshin me nota negative. Por, edhe vetë mësuesit e fëmijëve detyroheshin nga ana e drejtorëve të shkollave që të merrnin pjesë në mitingjet dhe takimet e organizuara nga ana e krerëve më të lartë të mazhorancës. Këta të fundit, si fëmijët, ashtu dhe mësuesit, me mbarimin e shkollës, fatmirësisht kanë shpëtuar nga përfshirja me dhunë e tyre në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Ajo çka është lehtësisht e dallueshme, është që fëmijët janë dekori i shëmtuar i kësaj fushate, qoftë duke tundur flamujt si sfond pas shpine, qoftë duke u detyruar që të brohorasin për liderët politikë, të detyruar nga mësuesit.