E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandili i Ramës po fiket

20-10-2011 / Nga Lavdrim Lita

Ka shumë zëra që thonë se Edi Rama është tashmë një lider i fikur. Se zjarri i ndezur shumë vite më parë është shuar krejtësisht dhe s’ka mbetur asgjë tjetër veçse një grumbull hiri. Se i janë djegur të gjitha kartat e mundshme për të ardhur në Pushtet. Jam dakord me këto zëra. Sepse as vota, as bojkoti, as protesta, as greva e urisë, as demonstrata e dhunshme dhe revoltat popullore nuk e sollën në Pushtet.
Mirëpo ata që e kanë kuptuar të parët këtë realitet të hidhur janë aleatët e tij, sa majtas ashtu dhe djathtas, të cilët kanë parë se ai është i njëjti, i pandryshuar nga koha, nga humbjet dhe nga martesa. Sa për mbështetjen verbale që u ka dhënë partive të vogla opozitare, ajo është si vesa e mëngjesit, sepse krerët e këtyre partive janë të ngopur nga premtimet boshe. Dhe janë precedentët  jo miqësor, që Rama, ka pasur ndaj tyre sa herë është hedhur për diskutim Reforma Zgjedhore. Sepse është Rama kanibali më i uritur i votave të partive opozitës, megjithëse, jo të mjaftueshme për t’i garantuar atij një maxhorancës qeverisë.
Humbja e 8 majit në kryeqytet tregoi më së miri që meteora politike e Ramës po fiket çdo ditë, pak nga pak, me firo të paparë pëlqimi. Keqdrejtimi i Partisë Socialiste është i dukshëm në dritën e diellit. Shterpësia e mendimeve politike dhe humbja e orientimit konstruktiv e ka detyruar të sajojë një mori sloganesh të kurorëzuara me të famshmen “Fajin e ka Saliu”. Mirëpo kjo nuk mjaftonte për të fituar vota, zemra, shpirtra jashtë vathës socialiste. Kjo u pa në zgjedhjet lokale të këtij viti, që dëftyen se koalicioni PD-LSI, për kundër të sharave dhe pakënaqësive, ishte në avantazh të dukshëm me 142 mijë vota. Shumë analistë elektoral të brendshëm dhe të huaj janë habitur vitaliteti i koalicionit për integrim, PD-LSI. E vetiu pothuajse të gjithë janë mundur të shqyrtojnë këtë vitalitet elektoral. Ndërsa PS-ja e ka pasur të vështirë dhe kësaj radhe të shqyrtojë dhe të analizojë humbjen e betejës lokale. Forumet e saj politike janë narkotizuara. Prodhojnë vetëm fresk për kryetarin sepse janë të vetëdijshëm për marrëdhënien e vështirë të Ramës me humbjen.
I papranueshmi Rama është një njeri që refuzon publikisht të kuptojë se ka humbur dy zgjedhjet. Dhe po kaq herë nuk ka dhënë dorëheqjen, sipas, nenit 28 të Statuti. Prandaj brenda radhëve ka shpikur kësisoj “armikun”, teknicienin Kastriot Islami, tek skemat e të cilit Rama ishte mbështetur për të siguruar fitoren (2009), tek gabimi i tij justifikohej humbja me mijëra vota, me ndarjen e zonave zgjedhore, sipas kodit të ri elektoral të natës së prillit 2008. Pak ditë na ndajnë nga Kongresi i PS-së, ku me siguri fajtorët do të jenë të njëjtë. Jo vetëm Saliu, me sa duket.
Në Kongresin e ardhshëm do të vijojnë të mos kuptojnë se Edi Rama është një aksident me pasoja të dukshme për autobusin e Partisë Socialiste. Ky shofer shikon vetëm një rrugë të vetme, të tijën, duke dalë nga autostrada e reformave demokratike. Sigurisht është e vështirë të mbahet partia me editoriale, mesazhe celularësh dhe strategë të organizatave jo qeveritare. Rama kërkon të dyzojë jetën politike të vendit sepse kujton se kur të mbetet vetëm ai dhe Berisha, njerëzit do të zgjedhin Ramën se është çun më trendi. Prandaj ka përzgjedhur staf të dobët rreth vetes dhe kjo shihet qartë në debate televizive, në Parlament, në interpretime juridike dhe në komunikimin me ndërkombëtarët.
Sido qoftë detyra e Partisë Socialiste dhe krejt opozitës është të bindë se ka një platformë politike europiane, të jetë oponencë me qeverinë dhe jo të mendojë për kurthet e ligjeve me 3/5m dhe të synojë të mbushë hendekun e 142 mijë votave që e ndan nga vendi i parë. Mirëpo që opozita të bëjë këtë duhet të këtë një lider që të frymëzojë optimizëm, siguri, prosperitet dhe drejtësi, çka Rama e ka humbur me kohë, me sjelljet e tij bllokuese, frenuese dhe  veprime jo demokratike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›