E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ngërçi politik dhe bojkoti i opozitës sollën refuzimin e statusit kandidat”

20-10-2011 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, u shpreh dje se ngërçi politik dhe bojkoti i opozitës, sollën refuzimin e statusit kandidat të Shqipërisë në BE, për të dytin vit radhazi. Deklaratën e saj ministrja Bregu e bëri nga Shkupi, gjatë fjalës së mbajtur në tryezën me temë “Sfidat Evropiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Pasi u përcolli urimet më të mira vendeve që kanë marrë përgjigje pozitive për të ecur para në procesin e integrimit, ministrja Bregu shprehu edhe një herë keqardhjen për dëmin që bojkoti i gjatë i opozitës i ka shkaktuar përparimit europian të Shqipërisë. Ajo tha se në progres – raportin e Komisionit Evropian, por edhe në deklaratat e ndërkombëtarëve, Shqipëria vlerësohet për progresin e arritur në reforma, por problemi kyç vazhdon të mbetet konflikti politik dhe bojkoti i Kuvendit nga opozita.
“Askush nuk mund të thotë se përpjekjet madhore të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, nuk janë vlerësuar si në progres – raportin e Komisionit Evropian ashtu dhe në deklaratat e ndërkombëtarëve. I vetmi problem mbi të cilin është vënë gishti si problematik është konflikti dhe ngërçi i gjatë politik. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe opozita të maturohet për përgjegjësitë e saj kushtetuese ndaj të ardhmes së vendit. Ngërçi politik ishte arsyeja pse Komisioni nuk i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Kjo ishte e thënë qartë në Progres Raport. Por me gjithë pasojat negative të bojkotit, jam këtu për t’ju garantuar se qeveria shqiptare nuk ka ngadalësuar asnjë ditë përpjekjet për të përmbushur kriteret për hapjen e negociatave me BE”, u shpreh Bregu, duke i bërë thirrje Partisë Socialiste, të votojë ligjet me shumicë të cilësuar në parlament.
Ajo theksoi se “reforma të nevojshme për procesin e integrimit të Shqipërisë janë realizuar pavarësisht bojkotit parlamentar dhe mos votimit të asnjë ligji nga opozita në dy vitet e fundit. Është e rëndësishme të nënvizoj që situata politike nuk duhet të eklipsojë arritjet e reformave. Shqipëria vazhdon të afrohet me BE-në. Liberalizimi i vizave ishte njohje e arritjeve në konsolidimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në garantimin e të drejtave të njeriut. Zbatimi i mirë i MSA-së dëshmon rritjen e kapaciteteve tona administrative dhe gatishmërinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE”.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ministra dhe drejtues të tjerë të lartë të proceseve të integrimit në rajon, përfaqësues ndërkombëtarë si edhe drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino. Në fund të diskutimeve, të pranishmit në këtë takim u shprehën se bojkoti i opozitës në Shqipëri është një rast i paprecedent në të gjithë rajonin. Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, ishte e pranishme në tryezën “Sfidat Evropiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të zëvendëskryeministres për Integrim Evropian në Republikën e Maqedonisë, Teuta Arifi. Në fund të takimit, zëvendëskryeministrja e Integrimit Evropian në Republikën e Maqedonisë znj. Teuta Arifi shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen në këtë takim të përbashkët rajonal të zëvendëskryeministrit serb, Bozhidar Gjeliç, ndonëse ishte rënë dakord që ky takim të mbahej me pjesëmarrjen e të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Kjo iniciativë rajonale u vlerësua e rëndësishme në këtë moment kyç për të ardhmen e përbashkët evropiane, për të nxitur politikat edhe më të mira të bashkëpunimit, mirëkuptimit e marrëdhënies së fqinjësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›