“Kanibalët shoqërorë”
Imagjinojeni sikur ekziston një lloj Perandorie me ca mure të qena, por të padukshme, përreth njëfarë territorit të vet jo edhe aq të definuar, jashtë të cilave jetojnë, në botën e tyre të çuditshme, popuj të ndryshëm, njëri ndër të cilët edhe populli juaj.
Për Perandorinë e tillë, sado që korrektësia politike nuk e lejon (një parim që ju nuk e keni), në heshtje konsideroheni “barbarë”. Shumica nga ju, ose të paktën shumica e “civilizuar” nga ju, në të vërtetë, e dini dhe e pranoni se jeni “barbarë”. Megjithatë, kjo e vërtetë, nuk është përjashtuese: dihet e thuhet se mund dhe duhet të ketë marrëdhënie të ndërsjella, të çfarëdo natyre.
Ju “barbarët” keni për synim të futeni brenda atyre mureve të asaj Perandorie. Ngase kjo është një mënyrë e domosdoshme për ta ruajtur ekzistencën, për të qenë të hapur me Perandorinë si dhe pjesën tjetër të “barbarëve”, etj. Në fakt, ky qëllim është po aq i juaja edhe i Perandorisë, e cila, thotë, nuk dëshiron t’ju shohë të veçuar, të izoluar. Që të bëhet e mundshme kjo, megjithatë, duhet t’i plotësoni një mori kushtesh. Duhet, me pak fjalë, të dëshmoni se më nuk do të jeni “barbarë”.
Prijësit e tribusë suaj, “kanibalët shoqëror”, ndërkohë prej vitesh ju kanë thënë e do të vazhdojnë me vite t’ju thonë se ky proces i futjes brenda mureve të Perandorisë pothuajse është i kryer. Ndërsa ju e dini se në të vërtetë problemi kryesor janë vetë ata “kanibalët shoqëror”, të cilët ju kanë ngrënë dhe po vazhdojnë t’ju hanë, sado që kjo, sipas vlerave dhe parimeve humane të Perandorisë, nuk lejohet. “Kanibalët shoqëror” janë të korruptuar, janë bartës të krimit të organizuar, janë vënë mbi ligjin, kanë bërë që fusha të ndryshme të ekzistencës institucionale të funksionojnë sipas një sistemi të ngufatur, të cilat do të mund t’i shpëtonte vetëm një reformim i plotë – veçse ai reformim nuk është i dëshirueshëm për dhe nuk bëhet i mundshëm nga “kanibalët shoqërorë”.
Kur i keni parasysh këto e gjëra të tjera si këto, e kuptoni vetvetiu se ëndrra juaj për të udhëtuar të lirë brenda kësaj Perandorie, është e parealizueshme. Do të mund të provonit të hyni përmes rrugësh të paligjshme, ama do të identifikoheni menjëherë si “barbarë” që nuk e keni vendin aty. S’do të ishte e rehatshme as për vetë ju. Ajo që, do të thoshin ata të Perandorisë, mbetet të bëni ju vetë tribuja, është arrini një stad zhvillimi e edukimi, ku “kanibalët shoqëror” do ta kuptonin se “mishngrënia” është e ndaluar, është kundër vlerave dhe parimeve të cilat dëshirohet të përqafohen. T’ua bëni të qartë se e keni kuptuar se derisa ata të jenë prijës të tribusë, derisa vendi është i kredhur në mjerim ekonomik, politik e kulturor, derisa nuk ka sistem gjyqësor funksional, për ju nuk do të ketë hapje të murit për të kaluar brenda perandorisë. T’i zhvishni nga fuqia dhe t’i bëni të japin llogari për keqpërdorimin e pushtetit që kishin. Të dëshmoni se muret hapen për të mos qenë më ”barbarë”.
Nuk e di(ni) kur do të arrihen këto.
Deri atëherë, duhet të kënaqeni me të qenit “barbarë”.