E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Vota masive për të djathtën, një shenjë besimi ndaj qeverisë

23-05-2011 / Nga Mirjan Zela

Zgjedhjet administrative në Shqipëri pothuajse përfunduan pritet që të dalë edhe vendimi i KQZ për Tiranën. U vërejtën fenomene interesante, të pandodhura më parë si rënia e bastioneve, depërtimi i disa partive të vogla në mjedise elektorale që nuk imagjinohej kurrë se do të merrnin vota dhe shumë fenomene të tjera që karakterizuan këto zgjedhje dhe që predominojnë situatën politike në vend, siç është protesta e vazhdueshme e opozitës para KQZ-së. Gjithsesi këto akte kundërshtie të manifestuar nga lidershipi i PS nuk përbëjnë ndonjë risi për situatën politike, pasi janë nën vazhdën e politikës  së mëparshme të bllokimit institucional që frymëzon PS-ja. Në rang kombëtar, koalicioni i djathtë ka marrë mbi 150 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë. Nga ky fakt, themi  me plot gojë se mazhoranca e kaloi me sukses këtë test të rëndësishëm politik. Shqiptarët dëshmuan edhe një herë përkushtim për rrugën europiane që ndjek mazhoranca. Kjo votë e inkurajon mazhorancën që të vazhdojë rrugën e progresit të gjithanshëm. Ky votëbesim vjen në një moment ku shqiptarët janë shumë pranë realizimit të ëndrrës europiane. Me gjithë vështirësitë, pengesat që eksponentë të së majtës po përpiqen që me veprimet e tyre të papërgjegjshme të minojnë këtë proces, qeveria shqiptare do të vijojë me përkushtim dhe me këmbëngulje realizimin e aspiratave të popullit. Shqiptarët duan stabilitet politik dhe jo gërrmërre të vazhdueshme politike të cilat bëhen pengese për progresin. S’ka dyshim se zgjedhësit shqiptarë zgjedhjen e tyre e bënë duke u mbështetur në fakte konkrete dhe indikatorë të matshëm. Vetë programi nga koalicioni i djathtë ishte më i qartë, gjithëpërfshirës, një program që premtoi vende pune e zhvillim të gjithanshëm e të qëndrueshëm. Sigurisht që sukseset e deritanishme që ka korrur kjo mazhorancë u bënë katalizatorë të kësaj mbështetje masive. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar e rriti prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e larguar njëherë e përgjithmonë vendin tonë nga harta famëkeqe e trafikut. Sigurisht që nuk ishte aspak e lehtë që të zgjidhje fijet e ngatërruara të krimit të organizuar, por triumfoi vullneti, vendosshmëria e pashembullt e kësaj qeverie për t’i eliminuar këto plagë kanceroze. Ky akt fitoi një admirim të madh në sytë e opinionit publik. Shqipëria bëri një luftë të ashpër ndaj monopoleve të cilat deri në 2005 të cilat kishin asfiksuar ekonominë e lirë nga parimet liberale të konkurrencës së lirë. Shqipëria arriti të ruante stabilitetin makro-ekonomik në një moment ku kriza ekonomike botërore po bënte kërdinë, madje edhe tek fqinjët tanë shumë më të zhvilluar se ne. Në të gjitha vendet e rajonit ndodhën frenime të investimeve pasi këto vende kishin problem me deficitin buxhetor, në Shqipëri ndodhi e kundërta ata u rritën ndjeshëm , u ndërtuan vepra publike me rëndësi jetike. E gjithë kjo erdhi si pasojë e mirëorganizimit e mirëmenaxhimit, si ulja e shpenzimeve të tepërta, shkurtimi i administratës së tepërt që bëhej oaz burokracie. Nuk ishte aspak e lehtë që të rrisje pagat, pensionet por përsëri triumfoi vullneti i hekurt i qeverisë “Berisha” për ta bërë më të begatë këtë vend. Shqipëria gjatë mandatit të Berishës u rendit ndër vendet e para për joshjen që krijonte ky vend tek turistët e huaj, kjo si pasojë e një pune voluminoze që bëri qeveria në promovimin e natyrës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Rreshtojmë edhe shumë suksese të tjera si prokurimi elektronik, i cili zhduku korrupsionin njëherë e mirë në këtë fushë si dhe shumë arritje të tjera për të cilat duhet shumë e shumë letër për t’i përshkruar. Edhe pse këto zgjedhje në thelb nuk ishin zgjedhje politike, përfaqësuesit që zgjidhen përfaqësojnë vullnetin e partive të tyre, prandaj del qartë edhe relacioni politik i këtyre zgjedhjeve. Më shumë se për reformat energjike të qeverisë Berisha dhe zhvillimet progresiste, kjo votë i atribuohet filozofisë së qeverisjes së PD, një filozofi që gjithmonë ka gjeneruar ide dhe ka shërbyer si burim frymëzimi për çdo. Jam i sigurtë se kjo votë nuk do të shkojë dëm, pasi PD dhe aleatët e saj e kanë dëshmuar me kohë përkushtimin ndaj interesave të qytetarëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›