Zyrtarisht - vendore, politikisht - 140 000 më pak
Qasja e shumicës dhe opozitës për kah zgjedhjet, erdhi skajshmërisht e kundërt, e shprehur edhe në dy parullat e tyre: “Ju jeni të parët” dhe “E vetmja rrugë”. “Aleanca për qytetarin” u dha zgjedhjeve vetëm nënvizim vendor - siç edhe qenë ligjërisht; “Aleanca për të ardhmen” u vuri theks veç politik - siç edhe i donte të parakohshme. Ato përdorën mjete të ndryshme - “Aleanca për qytetarin” thirri qetësinë dhe arsyetimin mbi çështjet, “Aleanca për të ardhmen” u soll agresive dhe fyese ndaj kundërshtarit. Përfundimi vërtetë qe i habitshëm. Shumica që kundërshtonte zgjedhjet e parakohshme, mori një rezultat si të ishin zgjedhje të përgjithshme - 17 përqind ose 140 000 vota më shumë se opozita. Opozita që këmbëngulte për zgjedhje të parakohëshme, mori 17 përqind ose 140 000 vota më pak, duke iu rrëzuar keq alibia kryeneçe e të qënit shumicë pas qershorit 2009, me të cilën ndërtoi politikën e konfliktit permanent. Zgjedhjet u mbyllën me dy rezultate - atë vendor dhe atë politik. “Aleanca për të ardhmen” humbi më shumë në çështjen për të cilën kishte luftuar gjatë dy viteve - diktimin me të gjitha mjetet të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat nuk u organizuan si të atilla, por mori prej vendoreve përfundimin se ajo ishte dhe mbetet pakicë.
Ky përfundim për secilën palë ka në bazë dy faktorë: “Aleanca për qytetarin” i dha përmbajtje koalicionit më domethënës dhe kreu votëbesimin e qeverisjes së deri tashme. “Aleanca për të ardhmen” përsëriti pafuqinë për koalicione dhe iu rrëzua sajimi se është shumicë. Ky ballafaqim i gjerë cep më cep Shqipërisë, nuk çoi në një përballje kandidatësh qoftë dhe në një cep ekrani televiziv. Kryetari i “Aleancës për të ardhmen” kurrë nuk pranoi të përplaste idetë, as për Shqipërinë e as për Tiranën, por i dha pluralizmit një fushatë elektorale të vjetëruar- sa shumë të vjetëruar, që u cilësua e tillë edhe falë modelit modern të kandidatit të “Aleancës për qytetarin”. Në betejën për Tiranën, dy kandidatët patën sjellje të kundërta, njerëzore dhe programesh. Lulzim Basha qe i hapur sa s’ka, i drejtpërdrejt sa s’bëhet, me zemër në dorë sa s’thuhet dhe se do t’u rrinte punëve mbi krye 24 orë më 24 orë. Edi Rama fliste me qytetarët e mendonte tjetërçka, i tërthortë dhe disi i fshehtë. Që më 2005 kur ai u vu në krye të Partisë Socialiste, dhe ndërmori “Dialog me Shqipërinë”, duke shkuar edhe në fshatra nëpër të cilat vështirë se mund të shkelë prapë - plot 4 vjet, dhe që nga 2009, kur ai i humbi zgjedhjet dhe zbatoi konfliktin në politikë - plot 2 vjet, pra 6 vjet së bashku i ikur nga drejtimi i përditshëm i bashkisë, nuk u tha zgjedhësve asnjëherë e asnjë fjalë të vetme, pse e braktisi bashkinë për partinë dhe çfarë pasojash pati kryeqyteti prej kësaj lënie pasdore. Përveç që nuk shqiptoi asnjë rrokje për këtë të shkuar të gjatë dhe transferim të paligjshëm të votave të kryeqytetasve për kryetarin e bashkisë te kryetari i partisë, ai heshti dhe për të ardhmen e mandatit të katërt: kurrë nuk tha që, po të fitonte, pas 8 majit nuk i mbetej asnjë ditë për tjetër gjë veç për partinë, që të përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme pas dy viteve dhe, gjithashtu, nuk u tha atyre se, po të fitonte më 2013, ai as do ta çante kryet për diçka të braktisur, sepse vet tha që, “ëndrra vazhdon” vetëm për kryeministër. Tirana pati tri palë: një që mungon - ky ishte kryetari i bashkisë, ata që e votuan politikisht, dhe të tjerët që e kundërshtuan duke votuar Bashën, për të pasur një kryetar bashkie në krye të punëve. Ai humbi në mënyrë të katërfishtë: humbi këshillin bashkiak, humbi minibashkitë 7 me 4, humbi me mënyrën e të bërit fushatë, humbi dhe vetë. Me zgjedhjet vendore, ku mori një përfundim ndëshkues zgjedhjesh “të parakohshme”, që i vërtetuan se është pakicë, i mbetet të përballet me të vetët dhe askë tjetër, sepse e patën paralajmëruar të mos kandidonte Votuesit dhanë votën, përcaktuan zgjidhjen, përcollën kumtin se konflikti permanent është politikë e vjetër dhe e vjetëruar.