E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanosi me thikë një qytetar dhe e ndoqi me makinë, shpallet në kërkim 21-vjeçari në Sarandë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen nr. 3 të qytetit të Sarandës, ku një 21-vjeçar ka kanosur me thikë një shtetas dhe më pas e ka ndjekur me automjet, duke i dëmtuar mjetin e tij në lëvizje.

Policia lokale ka shpallur në kërkim shtetasin M. B., 21 vjeç, banues në Sarandë, i dyshuar për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se ka kanosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 41 vjeç, dhe më pas e ka ndjekur me automjetin e tij, duke i shkaktuar dëmtime automjetit që drejtonte 41-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në të njëjtën lagje ku banon edhe i dyshuari, dhe pamje të saj janë shpërndarë në rrjetet sociale, duke alarmuar qytetarët.

Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga 21-vjeçari, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të konfliktit.

Materialet hetimore janë referuar pranë Prokurorisë së Sarandës, për vijimin e procedurave ligjore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›