Kanuni i Nokshiqit
Shfaqja “Kanuni” në regji të Agnes Nokshiqit, është dhënë vite më parë në teatrin Oda. Suksesin e saj e dëshmon rikthimi pas shumë viteve në skenë. Të mërkurën mbrëma, në orën 20: 00 do të jepet repriza e parë e Kanunit.
“Kanuni” është një shfaqje fizike e imagjinuar si një dramatizim i situatave jetësore të inspiruar nga ‘Kanuni’ i Lekë Dukagjinit i shkruar në shekullin XV,e që përfaqëson një sistem ligjesh dhe rregullash të jetës shoqërore të shqiptarëve ndër shekuj.
Një nga vlerat kryesore, edhe pse është shkruar në imperativ, megjithatë qëndron në kualitetin e një forme komunikimi që qëllim kryesor ka të bindurit dhe jo të urdhëruarit. Dhe këtë është në gjendje ta bëjë për shkak se brenda Kanunit ekziston një formë përshkruese e dijes që përfaqëson nivel të lartë të vetëdijes shoqërore. Duke përdorur formën e shprehjes teatrore shfaqja shpalos shpirtin njerëzor që gjen mënyra të qëndrojë në situata të pasigurisë dhe të mundshmes së papritur, duke gjetur kualitetet e së vërtetës që askush nuk mund ta vë në dyshim.
Ideja është e bazuar në prezantimin e fjalive nga Kanuni në formën e tyre origjinale. Bazuar në këtë, qasja është e fokusuar në teatrin e trupit dhe lëvizjes përgjatë 9 situatave të nxjerra nga libri (Familja, Shtëpia, Mysafiri, Bota, Tregtia, Oda, Trashëgimia, Kufiri, Vdekja). Prezantimi i veçantë vokal i fjalive në kombinim me lëvizjen janë gjithashtu pjesë e kësaj shfaqje.
Pasi shfaqja të kryejë punën e saj në Prishtinë, “Kanuni” do të marrë pjesë në Festivalin “Off Europa” i cili do të mbahet prej datës 17-24 shtator 2011, në Lajpcig dhe Dresden të Gjermanisë.
Ky është edicioni i njëzet i këtij festivali, ndërkohë festivali, në secilin edicion u kushtohet kombeve ose shteteve të caktuara, këtë vit ky festival Kosovën dhe Shqipërinë do t’i ketë në qendër.
Shfaqja është prodhim i teatrit Oda. Ky projekt është finalizuar në qershor 2005, ndërsa rikthehet në skenë me disa ndërrime të vogla.
Në shfaqje luajnë: Agnes Nokshqi, Leonora Mehmetaj, Shkëlzen Veseli, Fitore Broqi, Vedat Haxhiislami, Fidan Mamusha.
Regjia: Agnes Nokshiqi; muzika: Labinot Sponca; kostumet: Burim Musliu.