E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngadhënjen ‘Fausti’

Filmi ‘Faust’ i regjisorit rus Aleksandër Sokurov, adaptim i tragjedisë së shkrimtarit gjerman Goethe, ka ngadhënjyer në Festivalin e Filmit në Venecie, duke u shpërblyer me çmimin Luani i artë. Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 14:58

Filmi i regjisorit rus Aleksander Sokurov “Faust”, të shtunën mbrëma, ka fituar çmimin Luani i artë për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Sokurov e ka përshkruar filmin e tij ‘Faust’ – interpretimin e ri të tragjedisë së shkrimtarit gjerman Goethe – si instalimin e fundit prej katër filmave të tij që eksplorojnë ‘natyrën e fuqisë’, duke ardhur Adolf Hitlerit (“Molokh” në vitin 1999), Vladimir Leninit (“Telec” në vitin 2000) dhe Perandorit Hirohito (“Solnzte” në vitin 2005).

“Imazhi simbolik i Faustit e kompleton këtë seri të kumarxhinjve të mëdhenj, të cilët i humben bastet më të rëndësishme të jetës së tyre”, u shpreh Sokurov, pasi e mori çmimin.
Adaptimi i librit me të njëjtin emër nga autori gjerman Johan Volfgang von Goethe ka ngadhënjyer ndaj filmave “Tinker, Tailor, Soldier, Spy”, adaptim të romanit me të njëjtin titull nga shkrimtari John le Carre, pastaj “Ides of March” nga George Cloony, “A dangerous Method” nga David Cronenberg, si dhe filmin e Roman Polanskit “Carnage”.
“Regjisorët kanë krijuar një klishe që kur nisin të bëjnë një film duhet të mendojnë se cila masë e kupton atë. Unë nuk kam vepruar kështu. Kam bërë film për të plotësuar atë që nuk ka mundësi të shprehet në libër”, ka shtuar regjisori Sokurov.

Filmi më herët ishte kritikuar negativisht nga kritikët, të cilët e kishin quajtur filmin “si një dalje emergjente nga libri dhe se është paksa torturues”. Megjithatë juria ka gjetur një arsyetim më të mirë duke thënë se “filmi nxjerr ajkën e asaj çka shkrimtari ka dashur të transmetonte, por nuk ka mundur”. Filmi 134 minutash i vendosur në shekullin 19, është tërësisht në gjuhën gjermane dhe tregon historinë e një burri që ia shet djallit zërin e tij në këmbim të njohurisë. Megjithatë regjisori Sokurov nuk është i vetmi që është ndarë i kënaqur nga ceremonia e ndarjes së shpërblimeve në Festivalin e Filmit në Venecia.
Regjisori kinez, Cai Shangjun, ka fituar “Luanin e argjendtë” për çmimin regjisori më i mirë për filmin “People Mountain, people Sea”. Ky film për jurinë është cilësuar si “një tregim të cilin jo çdo regjisor do të mund ta nxirrte në këtë formë”.

Juria, e kryesuar nga regjisori i filmit ‘Black Swan’ Darren Aronofsky, ia ka dhënë çmimin special filmit ‘Terraferma’ me regji të Emanuele Crialese. Sipas jurisë, filmi “jep një mesazh se si do të duhej të ishin njerëzit në raport me vetveten dhe se regjisori e ka përdorur intuitën për të nxjerrë më të mirën”.

Aktori Micheal Fassbender e ka marrë çmimin për aktorin më të mirë, duke u vlerësuar kështu për rolin e tij në filmin e Steve McQueen ‘Shame’, ku personifikon një burrë të fiksuar pas seksit.

“Ka qenë pak e sikletshme të luaja këtë gjë, sepse nuk është që jam shumë i dhënë pas seksit në jetë të përditshme. Lus të gjitha femrat, me të cilat kam bërë seks, të mos flasin për këtë gjë në publik”, tha në shaka Fassbender.

‘Shame’ ishte filmi i dytë me të cilin ai ka marrë pjesë në këtë festival, pasi që Fasbender ka luajtur gjithashtu edhe në filmin ‘A Dangerous Method’, në të cilin luan rolin e psikiatrit Carl Jung përballë Sigmund Freud-it të luajtur nga Viggo Mortensen.

Ndërkaq, aktorja japoneze Deanie Ip është shpërblyer me çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në filmin “A Simple Life”.

Juria e ka vlerësuar si “aktore që nuk mundohet shumë, por që aktrimin e ka në gjak”.
Ajo tha se ky film e ka bërë të kuptonte se jeta është ashtu siç e shohin njerëzit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›