E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radha e kreditorëve

Me legjislacionin e ri, kthimi i Fondit të Privatizimit nuk do të jetë proces aspak i lehtë. Paralelisht me kthimin e një pjese të mjeteve në buxhet, duhet të rehatohen edhe kreditorët, që kryesisht janë kompani serbe. Njohësit e ekonomisë thonë se ekziston rreziku që Fondi, i cili aktualisht peshon afër 600 milionë euro, në fund mund të tkurret në masë të madhe. Nga Agon Sinanaj më 12 shtator 2011 në ora 18:04

Pothuajse nuk ka ndërmarrje shoqërore që është privatizuar e që nuk i është paraqitur ndonjë kreditor. Kompanitë që kanë pretendime vijnë kryesisht nga Serbia dhe tashmë i kanë deponuar kërkesat e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Sipas Ligjit të ri për AKP-në dhe atij për Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, pretendimet e kreditorëve duhet të verifikohen nga Gjykata, një për një. Ato kompani që marrin izën nga Gjykata pastaj, paratë do t’i marrin nga Fondi i Privatizimit, që aktualisht peshon afër 600 milionë euro.

Njohësit e ekonomisë mendojnë se nga mënyra se si po ndodh ky proces, ekziston rreziku që Fondi i Privatizimit të tkurret në masë të madhe.

Sipas kalkulimeve fillestare, besohet se pretendimet e kreditorëve mund të arrijnë deri në 200 milionë euro.

Sidoqoftë, zyrtarisht kjo nuk ka qenë e mundur të konfirmohet nga Zyra për Informim e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Për më tepër, thonë se është e vështirë të numërohet edhe numri i kreditorëve, duke lënë të nënkuptohet që bëhet fjalë për shumë sosh.

Njohësit e ekonomisë mendojnë se deri tani pretendimet e kreditorëve që kryesisht janë kompani serbe, është në nivelin e kërkesave spekulative.
Sipas Muhamet Sadikut, pa e thënë gjykata fjalën e vet, nuk mund të dihet se sa do të përfitojnë nga Fondi këto kompani.

Me ligjet e reja që rregullojnë këtë fushe, sipas tij, është gabuar që në start. Është lënë serish mundësia që këto mjete mbeten të bllokuara jashtë vendit. Paralelisht me kthimin e një pjesë të mjeteve në buxhet, duhet të rehatohen edhe kreditorët, që kryesisht janë kompani serbe.

“As ligji i ri nuk dallon shumë nga ato të mëparshmet. Sërish mjetet po mbesin jashtë vendit të bllokuara”, ka thënë Sadiku.

Ai ka përsëritur idenë e tij se për kërkesat e kreditorëve është dashur të krijohet një fond i veçantë, që në ekonomi njihet si “Fondi i Restitucionit”, dhe ku do të barteshin 20 për qind e mjeteve nga privatizimi. Ndërkaq, pjesa tjetër, prej 80 për qind të mjeteve, të ktheheshin menjëherë në Kosovë.
“Pra, ideja është që vetëm 20 për qind e mjeteve të mbesin të ngrira dhe të dedikohen për kreditorët. Nëse kërkesat do ta kalonin këtë shumë, atëherë si garant do të dilte Qeveria”, vlerëson Sadiku.

Edhe profesori i ekonomisë, Musa Limani shprehet skeptik me ligjet e reja. Thotë se pak a shumë është njëjtë si në kohën e UNMIK-ut, që mjetet duhej të bllokoheshin, me qëllimin që, siç thotë ai, më vonë të rehatoheshin kreditorët serbë.

“Në aspektin ekonomik dhe juridik me këto mjete duhet të disponojë Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit”, ka thënë Limani.

Sipas ekspertëve, e mira e vetme me ndryshimet e reja në legjislacion është se e përshpejton procesin e likuidimit dhe me këtë edhe i ul shpenzimet. Ashtu siç ka qenë, vetëm shpenzimet për ta kryer këtë proces shkojnë deri në 150 milionë euro.

Veç kësaj, me ligjin e vjetër janë dashur plot 1056 ditë për likuidimin e një ndërmarrjeje, e ndoshta edhe më shumë. Tani me të renë kjo kohë është përgjysmuar, por mund të ecë edhe më shpejt, pasi me likuidimin e një ndërmarrjeje do të merren kompani që janë të specializuar në këtë aspekt.

Ndryshe, kompensimi i kreditorëve do të bëhet nga 80 për qind e të hyrave të krijuara nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, pasi që 20 për qind është pjesa që u takon punëtoreve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›