E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanuni në Gjermani

Shfaqja ‘Kanuni’, në regji të Agnes Nokshiqit, do të niset të premten drejt Gjermanisë, për të marrë pjesë në Festivalin ‘Off Europa’, i cili do të mbahet nga data 17 deri më 24 shtator në Lajpcig dhe Dresden. Nga Alfred Beka më 14 shtator 2011 në ora 10:21

Gjashtë vjet pasi është shfaqur për herë të parë në teatrin Oda, shfaqja ‘Kanuni’, në regji të Agnes Nokshiqit, rikthehet serish në këtë teatër.

Kjo shfaqje do të jepet sot (e mërkurë) në teatrin Oda dhe arsyeja e këtij rikthimi është se ekipi i kësaj shfaqjeje, të premten, do të niset drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në festivalin ‘Off Europa’, i cili mbahet në qytetin e Lajpcigut dhe atë të Dresdenit, duke filluar nga data 17 deri më 24 shtator.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në teatrin Oda, Florent Mehmeti, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i teatrit, tha se rikthimi i shfaqjes ‘Kanuni’, e cila ka qenë produksion i teatrit Oda në vitin 2005, është risia e parë për këtë sezon.

“Shkas për të rikthyer këtë shfaqje ka qenë ftesa që na është bërë nga festivali ‘Off Europa’ në Gjermani për të marrë pjesë me këtë shfaqje dhe sa i përket Teatrit Oda arsyeja tjetër e madhe është se kjo është një prej produksioneve, e cila ka qenë më specifike në historinë tonë të prodhimit teatror dhe mendojmë që ia vlen t’i serviret edhe publikut këtu, por do të kemi edhe disa tentativa që ta promovojmë edhe pas këtij festivali”, tha Mehmeti.

Festivali Off Europa është i themeluar në vitin 1992 në Lajpcig me emrin Manover dhe u kushtohet kryesisht kombeve dhe shteteve të caktuara. Gjatë viteve të shkuara ka vënë në pah situatën e teatrit bashkëkohor të Rumanisë, shteteve të Baltikut, Gjeorgjisë dhe të disa shteteve të dala nga ish Jugosllavia.

Edicioni i njëzetë do t’i shndërrojë Shqipërinë dhe Kosovën në objekt të studimit intensiv e që shpesh në Europën Qendrore ka reflektim joadekuat. Gjatë këtyre datave do të shfaqen punë të teatrove nga të dy shtetet shqiptare në dy qytetet e mëdha të Saksonisë, në Lajpcig dhe Dresden.

Programi kryesor do të pasurohet edhe me shfaqje filmash dhe koncertesh përcjellë me ligjërata dhe diskutime.

Shfaqja është prodhim i teatrit Oda. Ky projekt është finalizuar në qershor 2005, ndërsa rikthehet në skenë me disa ndërrime të vogla.

Në shfaqje luajnë: Agnes Nokshiqi, Leonora Mehmetaj, Shkëlzen Veseli, Fitore Broqi, Vedat Haxhiislami, Fidan Mamusha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›