E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andamion Murataj: Pas kuintat e filmit “Falja e gjakut”

SHKRUAN: Aida Tuci 14-09-2011 13:36

Në premierën e filmit “Falja e gjakut” në kinema Milleniun në Tiranë skenaristi fitues i ‘Berlinit të Argjendtë’, në Festivalin e Berlinit, rrëfen realitetin e jetës moderne në fshat

Gjithçka mendohej se ishte thënë për filmin “Falja e Gjakut”, sidomos pasi filmi mori ‘Ariun e Argjendtë’ në Festivalin e Filmit në Berlin. Pas premierës në Tiranë kupton arsyen se përse Berlini e vlerësoi filmi si “autentik gati-gati dokumentaresk”. “Falja e gjakut” nuk ishte një film për Kanunin, përkundrazi ky i fundit është një referencë tërësisht periferike, me anë të të cilit skenaristi Andamion Murataj dhe regjisori Joshua Martson tregojnë se çfarë ndodh brenda një familjeje të ngujuar. Raportet atë-bir, nën-bir, motër-vëlla e vëlla-vëlla, të cilët janë të detyruar të jetojnë të izoluar. Njerëz që hyjnë dhe dalin që me atë çfarë thonë e me atë çfarë bëjnë, ndikojnë në botëkuptimin e njerëzve të ngujuar. Nga ana tjetër është Niku, një adoleshent që pas çdo dite që kalon brenda mureve të shtëpisë, në mëngjes ngrihet më i rritur. Ai bën gjithçka për të bërë jetën që kishte para se në shtëpinë e tij të hynte “gjakmarrja”. Krijon “palestrën” e tij në shtesën e pambaruar të katit të dytë të shtëpisë, jeton përmes sms-ve dashurinë platonike me shoqen e klasës, bën xhiro me motor brenda shtëpisë. Por gjithçka është veçse iluzion dhe nuk ia kthen lirinë e humbur. Atëherë Niku rebelohet, rebelohet ndaj gjendjes që ndodhet, ndaj të atit, motrës, nënës, ndaj vetes. Rudina, motra e Nikut, është një tjetër adoleshente. Ajo e ka lirinë që Nikut i mungon, por i bie barra e rëndë për të mbajtur familjen… Babai, nëna, gjyshi, pajtuesit e gjakut janë personazhe që në thelb zbërthejnë pikërisht karakteret e Nikut dhe Rudinës…

Në Gur të Zi, aty ku vajzat shëtisin me motorë

“Unë erdha në Shqipëri me vetëdijen se unë e njihja vendin tim më mirë se regjisori Joshua, por në fakt zbulova shumë gjëra të reja. Zbulova se gjakmarrja, konfliktet e interesit nuk janë karakteristikë e maleve. Ajo çfarë ka ndodhur në 20 vite në Shqipëri, lëvizjet e mëdha urbane, ka bërë që këto konflikte dhe probleme të mbarten në çdo vend. Dhe këtë unë e zbulova gjatë procesit.” - zbulon dhe për gazetarët pas kuintat në shesh xhirim skenaristi Andamion Murataj. Sipas tij, në çdo qytet apo fshat ekzistojnë mekanizma brenda sistemit, që komuniteti t’i zgjidhë vetë problemet e konfliktit. Për të shkruar skenarin, Andamion Murataj dhe Joshua Martson kanë trokitur dhe kanë biseduar me shumë njerëz, që nga familje të ngujuara, të rinj, policë, prokurorë, tregtarë të vegjël etj. Çdo personazh në film është krijuar nga karaktere realë, që dy realizuesit i kanë gjetur sa në Shkodër, Velipojë, Gur i Zi etj. etj. “Ky është një skenar i mbledhur në çdo fjalë dhe unë kam një referencë klasike, për çdo pjesë, se ku ka ndodhur. Në një nga familjet e ngujuara pyes një të ri se cila ishte ëndrra e tij më e madhe, i bindur në vetvete se përgjigjja që do më jepte ishte: Të iki jashtë shtetit. Por ai m’u përgjigj: me ec në rrugë e mos me e kthy kokën mrapa. Më preku shumë. Ishte një kërkesë kaq minimaliste sa, në një fragment ku Niku në film kthen kokën, sepse frikësohet nga një makinë që kalon aty afër, i jam referuar pikërisht këtij karakteri. Filmi në tërësi është një mozaik i këtyre ngjarjeve të vogla që ne i mblodhëm në Shqipëri.”- thotë Murataj.

Si zbuluam një Shqipëri tjetër nga ajo e gazetave

Joshua Martson që në fillim e dinte se jo gjithçka që shkruhej nëpër gazeta ishte domosdoshmërish realiteti. Përvoja e vet i kishte treguar se që të njohësh një vend duhet ta prekësh atë nga afër. Prandaj ai mori rrugën për në Shqipëri, jo me qëllimin për të realizuar një film mbi gjakmarrjen, por për të njohur këtë vend. Ndërkohë që ideja e tij për të ardhur në Shqipërinë mori udhë, takon Andamionin Muratajn, një shqiptar që mendonte se e njihte vendin e tij. Në Shqipëri panorama ishte krejt ndryshe nga lajmet që Joshua kishte lexuar rreth Shqipërisë në Amerikë. Ndërsa për Andamionin ishte një zbulim i ri i vendit të tij. “Mund t’ju tregoj një detaj për të kuptuar se edhe ne vetë nuk e njohim vendin tonë. Në fshatin Gur i Zi të gjithë vajzat e reja lëviznin me motor. Unë vetë nuk e prisja një zhvillim të tillë, por ja që e vërteta është kjo”- dhe ky ishte një zbulim për skenaristin shqiptar të filmit “Falja e gjakut”. Po aq ironike e njëkohësisht groteske ishte për të fakti se në çdo familje të ngujuar ku ata kishin hyrë, familjarët shikonin gjithë ditën programin “Big Brother”: “Ishte vërtet për të qeshur sesi këta njerëz të ngujuar ndiqnin një program ku disa njerëz ishin mbyllur në shtëpi me vullnetin e tyre të lirë”.

Gjuha e folur

Publiku i huaj që e ndjek filmin në gjuhën angleze mund të mos e ndjejë ndryshimin, por për një publik shqiptar që është mësuar gjithmonë me filma statikë, ku gjuha e folur është gjithmonë ajo letrare, dialekti gegë në filmin “Falja e gjakut” me siguri që do të hapë diskutime. “Nuk mund të paragjykojmë Gjergj Fishtën pse shkroi në gegërisht, apo Lasgush Poradecin që shkroi në toskërisht. Skenari është shkruar në anglisht sepse ishte shumë e vështirë që të shkruaje një skenar në gjuhën e folur. Dua të them se ky film dhe këto ngjarje nuk do të ishin kaq autentike në gjuhën letrare. Mendo, konflikti mes brezave atë e bir, në gjuhën letrare. Ne e provuam dhe këtë, por dialogu ngecte dhe ishte një ngërç që nuk mund të tejkalohej.”- shpjegon skenaristi Murataj. Në fakt, është dhe gjuha dialektore e personazheve që e sjell filmin aq pranë publikut dhe ngjarjet aq në realitet sa publiku do të kuptojë menjëherë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›