Projekti i Botimet MAPO ndërkombëtarizimi i Ben Blushit
Kanë nisur kontaktet e para me agjentë letrarë. Synimi bota anglo-saksone. Blushi romanin e tretë “Shqipëria” ia beson markës më të re në tregun e botimeve.
Botimet MAPO, një sigël e re për botimet letrare e hap serinë e publikimeve këtë vjeshtë më romanin “Shqipëria” të Ben Blushit dhe bashkë me të edhe me një projekt për shndërrimin e autorit të ri, por të suksesshëm në shkrimtar ndërkombëtar. Sipas Henri Çilit, drejtor i Botimeve MAPO, kjo sigël do të ecë në traditën e gazetave të mëdha perëndimore që, përveç periodikëve, kanë edhe ente botimesh. Mapo Editions i shton një sigël të re treshes së periodikëve të saj, ku futen: e përditshmja MAPO dhe dy revistat e përmuajshme MAPO dhe Madame Mapo. Sa i takon ndërkombëtarizimit të shkrimtarit Ben Blushi, botuesi Çili thotë se kjo do të ndodhë falë bashkëpunimit me agjentë letrarë në Perëndim, me të cilët janë vendosur ndërkohë kontaktet e para. Romanet e Blushit janë botuar ndërkohë në Greqi, por Mapo Editons synon botën anglo-saksone, duke filluar nga ishujt britanikë, me një plan më gjerë për t’u shtrirë edhe në Amerikë e Kanada. Projetki i ri i mapo Editiosn sipas botuesit Henri Cili është gjithashtu edhe një përpjekje për të dalë nga izolimi kulturor i letërsisë shqipatre në tregun ndërkombëtar. Sipas tij në një situatë ku “tokën e huaj” e njohin vetëm një numër shumë i kufizuar autorësh shqiptarë, Ben Blushi është një emër dhe cilësi që do e paraqiste pa komplekse letërsinë shqiptare në tregun e huaj. Dihet se lexuesit e huaj janë të prirur drejt letërsive ekzotike që vijnë nga vendet e vogla, por që trajtojnë tema universale. Një prej shembujve është shkrimtari afgan Khaleid Huseini që u shndërrua në bestseller ndërkombëtar. Në Perëndim janë të njohura shtëpitë botuese që specializohen në botimin e letërisë së mirë që vjen nga vende dhe kultura të vogla. Ideja e shtimit të një sigle të re nën logon e MAPO-s ka të bëjë edhe me një bashkërendim të levave të afërta të komunikimit si shtypi dhe botimet. Kjo do të ndikonte në emëtimin më të saktë të vlerave kulturore në vend, shton Cili. Mapo Editions ka në plan edhe botime të tjera shkrimtarësh shqiptarë me të cilët do të themelojë një kolanë të posaçme. Romani i Ben Blushit “Shqipëria” është përpjekja e parë e kësaj kolane. Romanet pararendëse të Blushit “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, të dy të botuar nga shtëpia botuese “Toena”, u bënë menjëherë bestseller. Për vetë natyrën kundërthënëse të temave të trajtuara në romanin e parë, “Të jetosh në ishull”, libri u pasua me kritika e recensa mbështetëse. Këto pikëpamje mbi librin u mblodhën më pas në një libër më vete, duke shënuar kështu një rast të rrallë në letrat shqipe, kur bëhet një libër polemikash mbi një libër.
Shqipëria ose njeriu që donte të zëvendësonte Zotin
Ben Blushi bëhet gati për një rikthim të tretë me historinë e një njeriu që donte të zëvendësonte Zotin. Për të ndërtuar një shoqëri pa Zot, pa pronë e dashuri. Me këtë metaforë nis romani më i ri i Blushit, për të na ngërthyer më pas në një histori më të madhe, atë që Shqipëria ka njohur në një të shkuar jo fort të largët. Ndaj edhe e ka titulluar thjesht “Shqipëria” romanin e tij të tretë, që pritet të hidhet së shpejti në treg nga Botimet “Mapo”. Si në dy romanet e tij të suksesshme: “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, Ben Blushi duket se ka vendosur të provokojë sërish përmes rikthimit në të shkuarën, apo zhvendosjes në kohë e hapësirë të personazheve. Pasi për Blushin, kjo ndërthurje e ditëve tona me kontekstin historik është: “Njësoj si të jesh në të sotmen, duke parë nga dritarja të djeshmen. Je prapë në të sotmen dhe e jeton atë”. I njohur si politikan dhe publicist, Ben Blushi surprizoi shumëkënd në vitin 2008 me futjen e papritur, por të zhurmshme, në letërsi. Romani i tij i parë “Të jetosh në ishull” shkaktoi për letërsinë shqiptare atë “tërmet” që ishim mësuar ta preknim vetëm me romanet e Kadaresë. Ndërsa diskutimet për romanin e parë nuk ishin fashitur ende, ai hodhi në treg romanin e tij të dytë “Otello, Arapi i Vlorës” e bashkë me të edhe konfirmimin se, përveçse si politikan, Blushi është shkrimtar. Edhe ky libër i dytë kapi majat e shitjeve, duke u kthyer në një “bestseller”.
Fragment nga “Të jetosh në ishull”
Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej mish. Pazari ishte zgjuar i pari dhe pas tij ishte zgjuar qyteti. Zakonisht, qyteti lodhej në pazar dhe çlodhej në kishë. Por ishte e diel dhe jo të gjithë punonin. Ishte një ditë pazari dhe jo të gjithë shkonin në kishë. Fshatarët kishin ditën e tyre të punës. Qytetarët kishin ditën e kishës dhe të pazarit. Gratë dilnin nga mesha e mëngjesit, shkonin në pazar, ku i frynin trastat si gjinj, dhe pastaj ktheheshin në shtëpi. Kur ato vonoheshin pas gjërave të panevojshme, fëmijët i prisnin me gojë hapur. Burrat pinin duhan në hije dhe shikonin gratë. Kafshët rrinin në diell dhe, duke pritur të shiteshin, shikonin burrat. Ata që kishin vapë freskoheshin në liqen. Por qyteti ishte në mes të maleve dhe jo të gjithë dinin not.
Deri kur u mbyll pazari ai nuk i shiti dot dy delet e tij. Mblodhi paratë që kishte fituar dhe u nis.
Xhamia ishte në të dalë të qytetit. Në dimër ajo rrugë ishte e pushtuar nga balta, por atë ditë bënte zheg dhe toka digjte mbi kokë dhe nën këmbë. Dera e xhamisë ishte e mbyllur. Ai trokiti me një gur mbi portën e vogël. Imami u shfaq pas pak duke lidhur tyrben mbi kokën e rruar. Alekum Selam. Mirëdita, i tha ai. Dua të bëhem mysliman. Urdhëro, e ftoi imami. Je i pari që vjen sot. Të krishterët merren me tregti të dielave. U fut brenda dhe pati ftohtë. U ulën të dy përballë njëri-tjetrit mbi një rrogoz, i cili në anën e tij dukej më pak i përdorur. Xhamia ishte bosh. Dielli hynte me zor nga katër kamare të vogla, të shpërndara nga një në çdo faqe muri. Në një cep të errët mezi dukej një tenxhere e madhe dhe pranë saj bukë dhe disa kokrra ullinj. Je në shtëpinë e Zotit, i tha imami, si për t'i thënë mos u habit. A ha Zoti ullinj, qeshi ai duke u përpjekur ta ngrohte xhaminë me shaka. Imamit nuk i lëvizi asnjë muskul. Ullinjtë i ha unë. Doktorët thonë se bëjnë mirë për veshkat.