Kaos në Durban, VIP-at lënë tifozët pa parë ndeshjen
DURBAN- Qindra tifozë kanë humbur ndeshjen mes Spanjës dhe Gjermanisë për shkak të një kaosi të krijuar në aeroportin e Durbanit si rrjedhojë e invazionit të një numër të madh VIP-ash. Emra si Paris Hilton, Leonardo di Kaprio, Orlando Blum, Sharliz Teron, Black Eyed Peas, Mik Xheger apo Henri Kisinger, kanë zbarkuar në Durban për të ndjekur këtë ndeshje me avionët e tyre privatë, duke bërë që shumë tifozë të sillen rrotull në qiejt e Afrikës së Jugut për orë të tëra, në pritje për t’u ulur në tokë. Aeroporti ka qëndruar për 5 orë i mbyllur, ndërsa të paktën 700 tifozë që kishin prerë bileta dhe kishin prenotuar udhëtimin, kanë humbur ndeshjen mes Gjermanisë dhe Spanjës. Veç VIP-ave të Hollivudit, në Durban kanë udhëtuar me xhetët e tyre privatë edhe miliardierë të shumtë si Niki Openheimer, manjat i minierave apo fituesi i çmimit Nobel për Paqen Henri Kisinger. Autoritetet e aeroportit kanë bërë të ditur se faji për këtë ngatërresë ka qenë i pilotëve të avionëve privatë, të cilët nuk kanë pranuar t’i parkonin mjetet e tyre në aeroportin e vjetër Durban International, por i kanë lënë në të riun King Shaka. Tifozët janë shprehur të irrituar, ndërsa edhe vetë afrikano-jugorët e kanë quajtur fatkeqësi që drejtuesit e një aeroporti nuk dinë sesa avionë do të ulen. Ndërsa gazetari i Daily Mirror, Xhon Kros, që gjithashtu ka humbur ndeshjen, shkruante: “Numërova të paktën 16 avionë të VIP-ave që uleshin, ndërsa ne qëndronim në ajër. Sharliz Teron, Black Eyed Peas, Mik Xhegerit dhe Paris Hiltonit u them vetëm kaq: T’ju vijë turp! Ata duan të duken dhe dëmtojnë tifozët e vërtetë”.
Ndërsa FIFA ka bërë të ditur se tifozëve nuk do t’u rimbursohen biletat, zëdhënësi i Komitetit Organizativ Zhermen Kreg, duke folur në një konferencë për shtyp në Johanesburg, pranoi kaosin e madh të krijuar. “Po, dje në Durban kishte një problem me avionët, por ishin faktorë të shumtë që ndikuan. Afrika e Jugut ka bërë një punë të madhe për FIFA-n, por sigurisht që gjërat duhen planifikuar më me detaje”, tha ai.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)