E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizje surprizë e Canëskalon te turqit e Gallatasarajt

TIRANE- Lorik Cana ka lënë Sandërlendin, duke firmosur një kontratë 4-vjeçare me klubin e Gallatasarajt në Turqi. Në një lëvizje surprizë, mesfushori i kombëtares shqiptare ka lënë Premier Ligën angleze, duke u bërë futbollist i klubit më të famshëm turk për shifrën e 4.5 milionë eurove.
Lajmi u bë i ditur fillimisht në uebsajtin zyrtar të Gallatasarajt, ku zyrtarizohet marrëveshja. Gazetat turke bëjnë të ditur se futbollisti shqiptar do të përfitojë një rrogë stratosferike, që shkon në 2.5 milionë euro në sezon.
Në një intervistë dhënë për uebsajtin zyrtar të klubit të Sandërlendit, Lorik Cana ka shpjeguar arsyet e këtij transferimi që ka habitur edhe vetë tifozët anglezë. “Kam kaluar një vit fantastik te Sandërlendi dhe ky klub do të jetë gjithnjë në memorjen time, - shprehet Cana. – Por, tani më është dhënë një mundësi që të luajë në Champions League si edhe të jem më pranë familjes time. Ky nuk ishte një vendim i lehtë për mua dhe shpresoj që tifozët të më kuptojnë. Dua t’i falënderoj të gjithë te Sandërlendi, duke nisur nga drejtuesit, trajneri, stafi, shokët e skuadrës dhe tifozët. Uroj që ky klub të ngjitet sa më lart”, ka deklaruar mesfushori i kombëtares shqiptare. Gallatasaraj është klubi më i madh turk dhe aktualisht ka për trajner hollandezin Frenki Rajkard. Një nga themeluesit e këtij klubi është Ali Sami Jen, djali i rilindasit shqiptar Sami Frashëri dhe njëkohësisht president i Gallatasarajt në vitet 1905-1918.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›