Kaos në FSHF, Ekzekutivi kundër Komisionit të Apelit

Arbitri anësor, Ridigert Çokaj në momentin e gjakosjes
Kaos në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në ditën e debutimit të trajnerit të ri të përfaqësueses me Gjeorgjinë, FSHF edhe pse thuajse e gjitha jashtë, ka mbetur me kokën e kthyer te vendimi i Komisionit të Apelit. Ky Komision, i vetë FSHF-së, ka falur 3 pikët e Flamurtarit për ndeshjen e Kupës me Skënderbeun, ku u godit gjyqtari i ndeshjes nga tifozët korçarë. Gjithashtu i ka ulur ndëshkimin në 4 ndeshje pa tifozë Pogradecit, pa marrë parasysh ankimimin e Skënderbeut, i cili është dënuar me 8 ndeshje jashtë nga Komisioni i Disiplinës. “Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, bazuar në vendimin e Komisionit të Apelit të datës 28.02.2012, mban qëndrimin e tij zyrtar, duke deklaruar se pas kërkesave të depozituara pranë këtij komisioni, vendimet e marra nuk janë në përputhje me principet dhe rregulloret e aktiviteteve, të cilat janë votuar nga të gjithë anëtarët e FSHF-së. Në këto vendime të Komisionit të Apelit dallohet qartë paragjykimi dhe paramendimi për të arritur në konkluzione të padrejta e të njëanshme për ata që kanë gabuar rëndë gjatë e pas lojës. Vendimet e Komisionit të Apelit kanë lehtësuar ndëshkimet (dhënë nga Komisioni i Disiplinës) e atyre që kanë vepruar me vetëgjyqësi në fushën e lojës dhe kanë lënë të paprekur palët e tjera të ndëshkuara për rrethana më lehtësuese. Këto vendime dëmtojnë realisht garën sportive, që ka mbërthyer klubet e Kategorisë Superiore për trofeun e Kupës së Shqipërisë e kampionatin kombëtar. Vendosja e mosbarazisë në këto vendime prodhon padrejtësi, dyshime korruptive e keqpozicionime në raport me klubet, të cilat janë anëtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mungesa e objektivitetit në vendimet e drejtësisë sportive, diferencimi me ose pa qëllim që aplikohet në adresë të klubeve të ndryshme, krijon një hendek të vështirë në marrëdhëniet me to”, thuhet në deklaratën e KE-së.