E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos pas arratisjes

Guri i provës së të afërmve te te arrestuarve per arratisjen e Burrelit, është filmimi i kamerave të sigurisë së burgut, që bie në kundërshtim me procesverbalin e shefit të regjimit të brendshëm

BURREL - Vetëm dy ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit në kryeqytet, për 10 të arrestuarit e burgut të Burrelit, odiseja e gjyqeve të të cilëve nisi pas arratisjes së dy të dënuarve, kanë nisur konfliktet mes familjarëve të 8 prej specialistëve që mbetën në qeli dhe atyre që po shijojnë lirinë. “Specialisti i regjimit të brendshëm, Kadri Domi, i cili u la i lirë, ditën e arratisjes së dy të dënuarve me burg të përjetshëm ka shkruar në procesverbalin e kontrollit të tetë dhomave në seksionin B, se ai dhe vartësit e tij kanë kontrolluar për 90 minuta qelitë e të dënuarve, ndërkohë që jemi informuar se në disqet e kamerave të sigurisë kontrolli i ushtruar nga specialistët e liruar ka zgjatur vetëm 8 minuta e 16 sekonda”. Kjo e shumë arsye të tjera, mes së cilave edhe lidhja e Domit me prokurorë, duket se janë arsyet e shqetësimit për lirimin dhe lënien në arrest me burg për dy specialistët e burgut të sigurisë së lartë në Burrel, Kadri Domi e Rasim Hoxha, përkatësisht shef i regjimit të brendshëm e specialist i trupës në regjimin e jashtëm. Sipas familjarëve të ish-funksionarëve të burgut, të cilët akuzojnë edhe prokurorin e çështjes, Edmond Hykën, “seleksionimi i Gjykatës së Apelit dhe prokurorëve të Apelit konsiderohet si një mënyrë për të dëmtuar hetimin e plotë të ngjarjes së pazakontë”.

Lidhja me prokurorët

Familjarët bëjnë lidhjen e dhëndrit të specialistit të regjimit të brendshëm me zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe me vjehrrin e një prokurori tjetër të Tiranës, i cili sipas tyre ka ndërhyrë për lirimin nga burgu të tij. “Ky specialist që ndihmohet nga Gjykata e Apelit dhe prokurorët e Apelit, është përgjegjësi kryesor i ngjarjes së ndodhur. Në procesverbalet e kontrollit të datës 5 prill 2008, janë faktuar tre dëmtime hekurash, ndërkohë që tre dëmtime të tjera janë konstatuar nga Prokuroria e Matit gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes”, thonë ata. Sipas tyre, ka prova të mjaftueshme që implikojnë edhe Rasim Hoxhën e Kadri Domin. Hoxha tanimë ndodhet në “arrest shtëpie”, ndërsa Domi është lënë i lirë. Personat që kundërshtojnë vendimin Gjykatës së Apelit, thanë se nuk mund të lihen të lirë dy specialistë të kontrollit të brendshëm dhe të kontrollit të elementeve të sigurisë, kur Prokuroria dhe Gjykata e Matit faktuan dhe vendosën që ata të qëndronin nën masën e sigurisë “burg pa afat”. Ndërkaq, mësohet se zbardhja e plotë e së vërtetës për burgun e sigurisë së lartë do të zgjasë ndoshta disa muaj.


10 personat e ndaluar nga policia, pas arratisjes së 5 marsit

Edvin Heta

Fatmir Domi

Fiqiri Ceni

Ardian Ruka

Eduart Brahilika

Thanas Rumnici

Kadri Domi

Kujtim Laçi

Luan Hysa

Rasim Hoxha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›