E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetevrasje me thike buke

Ish-polici, probleme me ndjenjat e pakontrolluara te xhelozise, tenton veteflijimin me nje mjet rrethanor

LUSHNJË - Një ish-polic nga Lushnja tentoi dje të vetëvritej, teksa qëlloi veten e tij me thikë në bark. Petraq Peri, 50 vjeç, banues në lagjen “Gafurr Muço”, u vetëqëllua në sy të bashkëshortes, Liri Peri, mësuese në një shkollë 9-vjeçare të qytetit, për të cilën mësohet se ka ushqyer gjithmonë ndjenja xhelozie. Mësohet se akti vetëvrasës i ish-policit që kishte rreth 15 vjet që kurohej nga obsesioni i xhelozisë që e shoqëronte, ndodhi gjatë momentit të shtrimit të drekës në familje, ndërsa e shoqja e 50-vjeçari shmangu katastrofën. Petraq Peri zgjodhi thikën e bukës për t’u vetëvrarë, por fatmirësisht, bashkëshortja mundi të ndërhyjë në kohë, edhe pse ai e nguli mjetin e mprehtë në bark. Mësuesja dha ulërimën dhe menjëherë reaguan fqinjët, të cilët bënë të mundur transportimin e të aksidentuarit në spital, i cili ndërkohë ishte pa ndjenja. Peri iu nënshtrua një operacioni dhe mjekët thanë se gjendja e tij për jetën është stabilizuar. Sipas policisë, veprimi i ish-policit, njëkohësisht kolegut të tyre, është kryer në kushtet e depresionit mendor, ndërsa shkaqet e vërteta ende nuk dihen. Familja Peri jeton në katin e parë të një pallati në lagjen “Gafurr Muço” dhe gëzon një gjendje të mirë ekonomike. Gjithsesi, pas kësaj ngjarjeje, prokuroria e rrethit po heton për të gjetur arsyet e vërteta që çuan 50-vjeçarin drejt vetëvrasjes. Ndërkaq, mjeku personal i Perit bëri me dije se 50-vjeçari e kishte ndërprerë mjekimin. Mendohet se shkak për këtë veprim të jetë bërë një zënkë banale me të shoqen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›