Kaos pas ikjes së presidentit
Një ditë pasi që presidenti, Zine Al-Abidine Ben Ali, iku jashtë vendit, në qendër të kryeqytetit të Tunizisë raportohet se është rritur siguria. Por, kjo siguri nuk duket se shtrihet më gjerë se kaq. Çdo kund tjetër raportohet për kaos.
Presidenti i Tunizisë, Zine Al- Abidine Ben Ali, u largua kështu papritmas nga pushtetit, pas plot 23 vjet sundimi në Tunizi. Shkaku kryesor për ikjen e tij nga pushtetit ishin lëvizjet e tij të fundit, përmes të cilave nuk arriti t’i qetësonte protestat që në Tunizi shpërthyen javëve të fundit, për shkak të papunësisë, shtrenjtësisë dhje korrupsionit.
Tërbimi për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe korrupsionit nëpër rrugët e Tunizisë shpërtheu nga mesi i dhjetorit, fillimisht nëpër qytetet në brendësi të vendit, e pastaj u zgjerua gradualisht, derisa protestat nuk shpërthyen edhe në kryeqytetin e vendit. Atje, tash sa ditë turma të mëdha njerëzish po kërkonin dorëheqjen e presidentit Ben Ali.
Pamje të tilla mbretëruan deri të premten pasdite, kur, gjatë një adresimi të tij publik, kryeministri i Tunizisë, Mohammed Ghannouchi, njoftoi popullatën tuniziane se ai po e merrte përkohësisht drejtimin e vendit.
Presidenti Ben Ali e braktisi vendin të premten, dhe gjatë natës u nis bashkë me familjen drejt Arabisë Saudite. Sipas njoftimit të familjes mbretërore të Arabisë Saudite, ai aktualisht ndodhet në qytetin saudit Jeda.
Ndryshe, ngjarjet në Tunizi do të kenë jehonë në botën arabe, por edhe do të sinjalizojnë se përmes shprehjes masive të pakënaqësisë mund të rrëzohen edhe pushtetet e fuqishme autoritare arabe, të ngjashme me atë të presidentit Ben Ali, vlerësoi agjencia e lajmeve AP.
I përballur me protestat masive, Ben Ali kot mundohej që ta ruante pushtetin. Ai të premten shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tunizi, shkarkoi qeverinë dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas gjashtë muajve. Një ditë më herët, protestuesve u kishte premtuar se nuk do të kandidonte në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2014, dhe kishte urdhëruar uljen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore, si sheqeri, buka, qumështi, etj.
Dita e parë pa Ben Ali
Që nga e shtuna, vetëm një ditë pasi që në vend u shpall gjendje e jashtëzakonshme, qindra ushtarë vazhdojnë të patrullojnë rrugëve të Tunisit.
Presidenti i përkohshëm i shtetit, Mohammed Ghannouchi, ndërkohë deklaroi se prioritet i tij kryesor është vendosja e rendit dhe rregullit në vend.
Megjithatë, grabitjet ende po vazhdojnë, ndërkohë që njoftohet se në një burg, në qytetin turistik të Monastirit, është shkaktuar një zjarr, si pasojë e të cilit kanë vdekur disa persona. Jozyrtarisht, raportohet për 42 të vdekur.
Sipas BBC, dhuna ende vazhdon nëpër shumë qytete tuniziane. Kjo dhunë, sipas BBC, shpërtheu pasi që Këshilli Kushtetues i Tunizisë njoftoi se kryetari i Parlamentit, Fouad Mebezza, ishte caktuar si president i përkohshëm dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbaheshin brenda 60 ditësh.
Mirëpo, megjithë ndalimin shumë të rreptë të qarkullimit, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës u raportua për dhunë dhe shkatërrime në shumë pjesë të Tunizisë.
Stacioni kryesor hekurudhor në kryeqytet ishte një prej shumë ndërtesave që u dëmtuan nga zjarri.
Situata politike nuk është e qartë, megjithëse ka njoftime se partitë e opozitës janë takuar për të vendosur për rrugën që duhet ndjekur tash e tutje.
Reagimet nga jashtë
Përderisa mijëra protestues që mbushën rrugët ditët e fundit vazhdojnë të kërkojnë reforma ekonomike dhe politike, me një prani aktuale ushtarake nëpër rrugët e qyteteve kryesore, ende nuk është e qartë se kur dhe nëse kjo do të lejohet të ndodhë.
Franca ndërkohë ka bërë thirrje për mbajtjen sa më të shpejtë që të jetë e mundur të zgjedhjeve të lira në Tunizi. Përmes një kumtese presidenciale ajo bëri thirrje për përfundimin e dhunës në rrugë.
Ministria e Jashtme egjiptiane publikoi se po ndjekë nga afër zhvillimet në Tunizi, dhe se Egjipti i respekton zgjedhjet e popullit egjiptian.
Kurse, Liga Arabe u ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Tunizi që të jenë të bashkuara, edhe pse shumica e qeverive arabe ende nuk kanë reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Tunizi. (Nga agjencitë)