E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmë nga ekspertë të huaj

Nga Express më 15 janar 2011 në ora 17:50

Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të huaj për vërtetimin e origjinalitetit të video-përgjimit të bisedës mes ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit, dhe ish-zëvendëskryeministrit, Ilir Meta. Tri ditë pas publikimit të xhirimit, kryetari i LSI’së, Ilir Meta të premten ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të dy postet qeveritare.

‘Gazeta Shqiptare’ publikoi të shtunën se, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar zyrtarisht nga Ambasada e SHBA në Tiranë një ekspert, i cili do të ndihmonte njësinë e specializuar (Task-Forcë) për të konfirmuar vërtetësinë e video-xhirimit.

E gjithë dilema lidhur me tërë çështjen ka të bëjë me atë nëse video-xhirimi nga zyra e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, është ose jo autentike, apo nëse bëhet fjalë vetëm për një montazh.

Deputeti Prifti këmbëngul se bëhet fjalë për një xhirim të bërë nga ai, dhe se xhirimi është origjinal. Nga ana tjetër, ish-zëvendëskryeministri shqiptar, Meta, pretendon se bëhet fjalë për një montazh.

“Për shkak të rëndësisë së çështjes, dhe të protagonistëve që janë pjesë e saj, kemi kërkuar një ekspert të huaj për të vërtetuar autenticitetin ose jo të video-përgjimit”, deklaroi një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme.

Eksperti që pritet të mbërrijë në Shqipëri duhet të sqaroj dilemat nëse ka pasur ndërhyrje në video-xhirimin e shfaqur në opinion ose jo, nëse zëri i dy bashkëbiseduesve vërtet ishte i tyre ose jo, etj.

Ndërkohë LSI, të premten ka bërë zëvendësimin e posteve të zbraztë qeveritarë me dy emra të tjerë të partisë. Nasip Naço,zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë është propozuar për postin e ministrit të Ekonomisë, ndërsa Edmond Haxhinasto, që aktualisht është ministër i Jashtëm i Shqipërisë, do të mbajë dhe postin e zëvendëskryeministrit.

Në orët e së premtes mbrëma, kryeministri Berisha ka miratuar propozimet e LSI dhe pastaj ato ia ka përcjellë presidentit, Bamir Topi, për dekretim.

Për postin e nënkryetarit të Kuvendit është propozuar Vangjel Tavo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›