E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet 12-vjetori i Masakrës së Reçakut

Nga Express më 15 janar 2011 në ora 18:40

Qytetarë nga e gjithë Kosova kanë bërë, sot, homazhe në kompleksit memorial në fshatin Reçak të Shtimes, për t’i nderuar viktimat që 12 vjet më parë u masakruan mizorisht nga forcat barbare serbe.

Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë para të pranishmëve se Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe ishte gurtheve, për lirinë që sot po gëzojmë.

“Masakra e Reçakut dhe lufta e UÇK-së është një vulë, është themeli i shtetit tonë është dëshmia, e cila e njohu botën e mbarë, e cila tregoi se ky shtet është ndërtuar me sakrificë, gjak e mund. Themelet e këtij shteti janë të forta sa që nuk do të mund askush të ndalë këtë popull në këtë lëvizje, drejt Evropës së bashkuar”, ka thënë Ismajli, transmeton KosovaPress.

Kurse ministri në largim i FSK-së, Fehmi Mujota, ka thënë se masakra e Reçakut ka qenë një dëshmi se jemi ballafaquar me një okupator që nuk ka njohur asnjë normë civilizuese e njerëzore.

“Sot kur po mbushen 12 vjet nga dita e masakrës së Reqakut e gjithë vëmendja e qytetarëve të Republikës së Kosovës është kthyer nga përkujtimi i asaj ngjarjeje makabre që ndodhi mbi popullatën civile, të asaj ngjarje që shkundi ndërgjegjen ndërkombëtare, për të kuptuar të vërtetën dhe qëllimin e drejtë të luftës së UÇK-së. 15 janari i vitit 1999 gjithmonë do të ngel në historinë më të lavdishme të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, sepse u dëshmua se shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre kanë luftuar për të drejtën e tyre”, ka thënë ai.

Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Wiliam Walker, pasi vizitoi vendin ku u bë masakra, tha se ajo që kishte parë ishte ngjarja më trishtuese në jetën e tij.

Walker e cilësoi këtë ndodhi si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Për shkak të deklaratave të tij, që nxitën reagimin ndërkombëtar për të ndalur dhunën ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë, qeveria jugosllave e shpalli Uoker "person non grata".

Pas rreth dy muajsh, nga masakra e Reçakut, NATO filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe që zgjatën 78 ditë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›